VV-ja fiton mbi 50% të votave? Gëzim Mekuli flet për modelin ideal të qeverisjes dhe jep paralajmërimin e “fuqishëm” për Asociacionin

Intervista

VV-ja fiton mbi 50% të votave? Gëzim Mekuli flet për modelin ideal të qeverisjes dhe jep paralajmërimin e “fuqishëm” për Asociacionin

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 23 nëntor 2024 Në ora: 12:06
Gëzim Mekuli

Njohësi i shkencave të mediave dhe retorikës, Gëzim Mekuli, thotë se marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është strategjike dhe jo e varur nga individë apo administrata të veçanta.

Në një intervistë të thelluar dhe të pasur me analiza dhënë gazetës “Bota sot”, Mekuli kërkon nga Kosova që të qëndrojë vigjilente dhe të mos e lërë të ardhmen në mëshirën e aleancave ndërkombëtare, por të forcojë kapacitetet e veta.

Kritiku i shkencave të mediave, thekson se çdo marrëveshje duhet të ruajë integritetin territorial dhe kushtetues të Kosovës.

Mekuli e sheh Asociacionin e komunave me shumicë serbe si një mjet të Serbisë për destabilizim dhe paralajmëron kundër një “Republika Srpska” të mundshme në Kosovë.

Sipas tij, marrëveshjet pa garanci të forta janë të rrezikshme, me rastin e Ukrainës si shembull paralajmërues.

Ai mbështet paralajmërimin e kryediplomates së Kosovës Donika Gërvallës për rrezikun rus në rajon dhe këshillon forcimin e mbrojtjes dhe aleancave me NATO-n dhe SHBA-të.

Mekuli e vlerëson qeverisjen e Vetëvendosjes për luftën kundër korrupsionit dhe kthimin e shtetit te qytetari.

Teksa parashikon një fitore të mundshme të VV-së, njohësi i shkencave të mediave dhe retorikës, thekson nevojën për dialog politik të sinqertë për stabilitet.

Gëzim Mekuli e sheh diasporën si shtyllë morale dhe mbështetje të fuqishme për zhvillimin e Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Mekuli, si e keni parë zgjedhjen e Trumpit për president të SHBA-së, cili mendoni se do të jetë ndikimi i tij për Kosovën?

Gëzim Mekuli: Lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së është shumë më tepër sesa çështje presidenciale. Kjo është një aleancë strategjike dhe gjeopolitike e ndërtuar mbi parime të demokracisë dhe mbrojtjes së vlerave të përbashkëta. Trump, me stilin e tij të “paparashikueshëm”, mund të ketë krijuar sfida të reja, por administratat amerikane tradicionalisht kanë mbajtur një qasje të qëndrueshme ndaj Kosovës dhe ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi.

Mendoj se pyetja madhore nuk është se kush është në Shtëpinë e Bardhë, por si ne, si shtet, e shfrytëzojmë këtë aleancë për të çuar përpara kauzën tonë. Sidoqoftë, stili “i pallogaritshëm” i Trumpit na mësoi diçka: Kosova duhet të qëndrojë vigjilente. Në diplomaci, çdo vakum mund të shfrytëzohet nga lojtarë të tjerë, si Serbia dhe Rusia, që janë mjeshtër të manipulimit dhe propagandës. Për Kosovën, kjo do të thotë që çdo administratë duhet të trajtohet si një partner jetik, por kurrë i pakushtëzuar.

Por këtu unë pyes veten dhe juve gazetarët: Përse gjithë ky koncentrim te “ndikimi i Trumpit në Kosovë” kur vetë ne, si popull dhe si shtet, nuk e kemi të qartë ndikimin tonë mbi fatin tonë politik, kulturor dhe ekonomik? Si mund të presim stabilitet nga jashtë, kur kemi një kaos të brendshëm në politikë dhe një mungesë totale vizioni për të ardhmen e kombit tonë?

Ne patjetër që duhet të skenojmë lëvizjet politke në Evropë dhe veçanërisht në SHBA por, në vend që të analizojmë çdo fjalë a lëvizje nga Washingtoni, ne duhet të përqendrohemi te pyetjet më të rëndësishme për ne; Si po ndikon Tirana e Edi Ramës në Kosovë dhe në politikën rajonale mbarëshqiptare? Çfarë pasojash ka qasja e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës ndaj vetes, kur prioritetet tona gjeopolitike shpesh duken të ndikuara nga individë, oligarkë dhe jo nga interesat e përgjithshme qytetare/kombëtare?

Për më tepër ne shohim se Mediat dhe OJQ-të tona kanë një obsesion të çuditshëm me të huajt, ndërkohë që injorojnë realitetet që ndikojnë përditë te qytetari i zakonshëm. Kush po i mbronë bujqit, fshatarin, nxënësit, fëmijët, mësuesit, dhe nënat tona, pa dallim etnie, religjioni a statusi social? Kur do të fillojmë të flasim për dështimet tona brendapërbrenda nesh me të njëjtën energji që analizojmë fjalët e politikanëve gjermanë, serbë, italianë, francezë a amerikanë?

Të nderuar lexues,

Trumpi, Bideni apo kushdo tjetër nuk do ta shpëtojë Kosovën. Politikat tona janë ato që përcaktojnë të ardhmen tonë. SHBA është aleati ynë, por nuk mund të jetë gjithmonë shpëtimtari ynë. Kur të përqendrohemi më shumë te forca jonë dhe më pak te hijet e politikës ndërkombëtare, atëherë do të jemi një komb vërtet i pavarur dhe i vlerësuar nga fuqitë e mëdha.

“Bota sot”: A do të ishte sfiduese për Kosovën - nëse nuk merr garanci të forta, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga administrata e re e Trumpit?

Gëzim Mekuli: Sigurisht që është sfiduese. Serbia historikisht ka përdorur mashtrime diplomatike, ashtu si Hitleri në Südetenland (Çekosllovakinë e atëhershme). Çdo marrëveshje pa garanci ndërkombëtare të forta rrezikon të hapë derën për ndarjen e Kosovës apo për futjen e saj në një vorbull destabilizimi. Kur Serbia flet për "Asociacionin", mos harroni: ky është vetëm një hap drejt ëndrrës së tyre për “botën serbe". Gishtin kokës dhe mësoni nga historia. A mendoni se Vuçiq do të ndalet vetëm me një Asociacion? Jo. E përsëris Serbia është duke përdorur të njëjtën strategji si ajo që Gjermania naziste e përdori në Çekosllovaki. Historia na tregon se dramaturgjia për «mbrojtjen e minoriteteve» janë përdorur për të justifikuar ambiciet territoriale. Të jem më i qartë për lexuesin, çdo marrëveshje duhet të garantojë integritetin territorial dhe funksionalitetin Kushtetues së Kosovës. Nëse jo, më mirë të mos ketë fare «marrëveshje për mosmarrveshje».

Më duhet të rikthehem edhe një herë te “garancitë e forta”. Po e marrim si shembull konkret rastin tragjik të Ukrainës; Fati i këtij shteti është një paralajmërim i fuqishëm edhe për Republikën e Kosovës, jo vetëm për Albin Kurtin, siç tenton ta minimizojë e ta individualizojë këtë fakt opozita e Kosovës; në vitin 1994, Ukraina dorëzoi armët e saj bërthamore në këmbim të “garancive të forta” për integritetin e saj territorial. Kjo marrëveshje për dorëzimin e kokave bërthamore u arrit përmes Memorandumit të Budapestit, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia premtuan se do të garantonin paprekshmërinë e teritorit të Ukrainës. Por kur Rusia pushtoi Krimenë në 2014, këto garanci mbetën letra të pavlera. Ky precedent duhet të shërbejë si paralajmërim për Kosovën tonë të shtrenjtë: garancitë ndërkombëtare duhet të jenë konkrete, të zbatueshme dhe të mbështetura me mekanizma të qartë, përndryshe ato mund të jenë thjesht lojëra politike në kurriz të popujve të vegjël; mund të jëtë “Tigër i pa dhëmbë.”

Ndërhyrjet ndërkombëtare shpesh janë të motivuara nga ekuilibra gjeopolitikë dhe jo gjithmonë nga interesat e mirëfillta të popullit të saj. Administrata Trump dhe çdo administratë tjetër amerikane, sado miqësore të duket, ndjek së pari interesat e saj strategjike. Prandaj, Kosovës i duhet të mbrojë me çdo kusht pozicionin e saj duke kërkuar garanci të forta dhe të prekshme.

“Bota sot”: Formimi i Asociacionit vazhdon të mbetet një temë delikate. A duhet Qeveria e Kosovës ta çojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese? Si e shihni ju zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Gëzim Mekuli: Po, çdo hap duhet të respektojë Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese tashmë e ka bërë të qartë se Asociacioni nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive. Nëse lejojmë ndryshe, praktikisht krijojmë një “Republika Srpska” në zemër të Kosovës. Asociacioni është një kukull e Vuçiqit për të realizuar agjendën e tij destabilizuese. Një zgjidhje e mirëfilltë duhet të garantojë të drejtat e serbëve pa cenuar sovranitetin e Kosovës. Nëse Serbia ka synime destruktive, ajo nuk meriton asgjë më shumë sesa një “JO” të fuqishme.

“Bota sot”: Si e komentoni paralajmërimin e kryediplomates së Kosovës Donika Gërvalla në mbledhjen e fundit në Këshill të Sigurimit të OKB-së, se Kosova është në rrezik, pasi Putin mund të nisë luftë në Ballkan?

Gëzim Mekuli: Gërvalla ka të drejtë. Ballkani është pika e butë e Evropës, dhe Rusia ka investuar shumë në destabilizimin e rajonit. Në këtë lojë gjeopolitike, Serbia luan rolin e "mashës" së Putinit. Por paralajmërimet nuk mjaftojnë; Kosova duhet të forcojë mbrojtjen, të thellojë aleancën me SHBA-të dhe NATO-n, dhe të mos lejojë askënd të ndjekë një skenar si ai i Ukrainës. Mesazhi ynë për Vuçiqin duhet të jetë i qartë: Kosova është e përjetshme, e pacenueshme dhe e paprekshme.

“Bota sot”: Pse BE-ja nuk po i largon ende sanksionet ndaj Kosovës, derisa është kritikuar për ledhatim ndaj Serbisë? A besoni se mund të ketë ndryshime pozitive në favor të Kosovës, me rotacionin e udhëheqësve si Kaja Kallas apo Riho Terras?

Gëzim Mekuli: BE-ja është në krizë morale, politike dhe ekonomike. Kjo dobësi e bën një aktor të ngadaltë dhe të pasigurt. Sanksionet ndaj Kosovës janë një ironi absurde, sidomos kur BE-ja ledhaton Serbinë, vendin që po shërben si kali i Trojës i Rusisë në Evropë. Politikat e saj të buta ndaj Serbisë, një shtet që po bën flirtime të hapura me Rusinë, janë të frikshme. BE-ja ka frikë të konfrontohet me Serbinë dhe për këtë arsye mban qëndrime të pabarabarta ndaj Kosovës. Megjithatë, udhëheqës të rinj si Kaja Kallas mund të sjellin një frymë të re, por kjo varet nga sa e gatshme është BE-ja të reformohet nga brenda. Dhe kjo punë varet edhe nga NE.

“Bota sot”: Meqë zgjedhjet parlamentare po afrojnë, si e vlerësoni qeverisjen nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë mandat?

Gëzim Mekuli: VV ka pasur sukses në çrrënjosjen e korrupsionit pandemik dhe kthimin e shtetit te qytetari. Por lufta politike kundër mafias ekonomike dhe mediatike, e salduar fort me opozitën, mbetet një sfidë. Opozita dhe disa media, për fat të keq, kanë zgjedhur ta bombardojnë qeverinë me propagandë dhe lajme të rreme, më shumë për interesa karieriste, klanore sesa për të mirën e popullit. Kur dikush sulmon të mirën publike për interesa private, duhet ta kuptoni se «e keqja» nuk është vetëm kundërshtare, por edhe aktive dhe e organizuar. Qeverisja e Kurtit ka treguar qëndrueshmëri, por duhet t'i bëjë ballë më fuqishëm sulmeve nga ata që kanë frikë nga një Kosovë e drejtë për të gjitha kulturat, etnitë dhe mbi të gjitha për Kosovën me elemente dhe simbolikën shqiptare.

“Bota sot”: Kryeministri Kurti, u shpreh optimist se VV-ja do të fitojë mbi 50% të votave edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit. Cili është parashikimi juaj, a do të ketë nevojë VV-ja për koalicion për Qeverinë e re?

Gëzim Mekuli: Nëse VV fiton mbi 50%, do të ishte një mandat historik për një qeveri pa kompromis. Megjithatë, edhe me një shumicë absolute, bashkëpunimi politik është i domosdoshëm. Ajo që Kosova nuk ka nevojë, janë koalicionet që sjellin vetëm ngërç dhe pazare. Një qeveri e fuqishme, por e hapur për dialog të sinqertë me opozitën, do të ishte modeli ideal.

“Bota sot”: Si prisni të jetë vota e diasporës në këto zgjedhje, a do të dallojë rezultati nga 14 shkurti 2021?

Gëzim Mekuli: Diaspora është shtylla morale e Kosovës dhe themeli i formimit të gjysmështetit Shqiptar. Mërgimtarët votuan për ndryshimin në 2021, dhe shpresoj se do të bëjnë të njëjtën gjë tani. Nuk është çështje partie, por çështje misioni. Kur diaspora mbështet Kosovën, ajo dërgon një mesazh të fuqishëm: shpresa nuk ka ikur nga ky vend. Rezultati mund të ndryshojë, por angazhimi i diasporës për një Kosovë më të mirë nuk ndryshon kurrë.

Kosova nuk ka luksin të bëjë gabime historike. Mësimet nga e kaluara naziste, që nga Sudetenland në Çekosllovaki, nga Ukraina e deri tek agresioni serb, janë thirrje për veprim të zgjuar dhe të vendosur. Po ashtu, gazetaria shqipe e Tiranës dhe e Prishtinës duhet të lirohet nga pengmarrja e interesave personale dhe manipulimeve të orkestruara. Populli i Kosovës, kombi shqiptar në përgjithësi, meriton një të ardhme me dinjitet dhe drejtësi, dhe këtë duhet ta mbrojmë të gjithë bashkë pa dallim partie, krahine a feje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat