Lirije Kajtazi flet për “Bota sot”: LDK është alternativa që mund ta ndalë degradimin dhe ta zhvillojë Kosovën

Intervista

Lirije Kajtazi flet për “Bota sot”: LDK është alternativa që mund ta ndalë degradimin dhe ta zhvillojë Kosovën

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 dhjetor 2024 Në ora: 15:06
Lirije Kajtazi

Në një intervistë për gazetën “Bota Sot”, kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lirije Kajtazi, ka folur për angazhimin e saj politik.

Kajtazi ka theksuar se kandidimi i saj për deputete ka si qëllim vazhdimin e misionit të saj për t’u shërbyer interesave të qytetarëve të Kosovës.

Ajo e sheh qeverinë e Kurtit si një mandat të dështuar, duke theksuar se dëmi më i madh që kjo qeveri ka shkaktuar për Kosovën është politika e jashtme.

Sipas Kajtazit, LDK është alternativa që ka potencialin për ta ndalur këtë trend të degradimit dhe për ta zhvilluar ekonomikisht Kosovën, duke e integruar në BE dhe NATO, si dhe për t’i riparuar marrëdhëniet me SHBA-në.

Në lidhje me mundësinë e një koalicioni pas-zgjedhor, Kajtazi shprehet se kjo është një çështje që i takon Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Zonja Kajtazi, ju keni qenë edhe më herët deputete, pse vendosët t’i hyni garës sërish?

Lirije Kajtazi: Për të vazhduar misionin tim për çfarë kam hyrë në politikë që e re; që t’u shërbej interesave të njerëzve të mirë që ka vendi. E me LDK-në gjithnjë, si parti e vlerave të qarta ideologjike, me propozimin e saj, ka konsideruar se i ruaj dhe kultivoj denjësisht këto vlera, andaj asnjëherë nuk kam pranuar të rri indiferente në proceset shoqërore, nga se indiferenca është mundësia jote e humbur dhe shanse për të tjerët. Aq më tepër të jem pjesë e atyre që nuk bëjnë detyrën, por i gjykojnë të tjerët si e bëjnë detyrën dhe si nuk ua kanë përmbushur idealet e tyre.  Indiferenca është një fatkeqësi që po e përcjellë demokracinë tonë të brishtë, po i varfëron institucionet tona... Edhe pse kjo buron nga zhgënjimi, ne nuk guxojmë të dorëzohemi ngase qeveritë e këqija janë prodhim i zhgënjimit dhe indiferentizmit të njerëzve të mirë. Indiferentizmi para së gjithash i krijon shtrat zhvillimi manipulatorëve të vullnetit të lirë qytetar.  Kjo është shumë e rëndësishme për t’u penguar, sepse vota e lirë është kushti themelor i demokracisë, manipulimi i votës formon autokracinë, që siç po e shohim, e degradon pushtetin dhe kjo rrjedhimisht jetën e qytetarëve. Se sa ka degraduar sistemi i vlerave nga manipulimet, mund të matet me krahasimin e legjislaturës së zgjedhjeve nën okupim të vitit 1992, por edhe legjislaturave të para të pasluftës. Nëse e krahasojmë kualitetin e vlerave akademike, atdhetare, etike të këtyre legjislaturave (si tërësi), kjo e fundit, me përjashtime të vogla, le shumë për të dëshiruar, në të gjitha aspektet, sidomos, shumica, e cila ka pasur komoditetin e numrave që t’i shtyj proceset, ka qenë e pa përgjegjshme.

“Bota sot”: Si e keni parë qeverisjen e Kurtit për këto katër vite, cili mendoni se është hendikepi më i madh i saj?

Lirije Kajtazi: Autokraci në vepër, qëndrim në pushtet përmes metodave populliste. Mandat shterpë, ngecje në zhvillimin ekonomik, kaos në sistemin arsimor dhe shëndetësor, krijim i një gjendje të defetizmit shoqëror, që shkaktoi zbrazjen e Kosovës. Gjithashtu kjo qeveri do të mbahet gjatë në mend për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe dalje në mbrojtje të këtij korrupsioni nga presidentja dhe kryeministri. Dëmi më i madh që kjo qeveri i shkaktoi Kosovës, është politika e jashtme. Askujt nuk i kishte shkuar mendja se në Kosovë do të dal një forcë politike, e cila do t’i shkatërrojë marrëdhëniet me SHBA dhe BE, me ata që na ndihmuan që të shpëtojmë nga zhdukja, që të kthehemi në shtëpitë tona, që ta fillojmë jetën sërish, që të formojmë institucione dhe shtet... Mendoj se kjo politikë ka qenë dhurata më e çmuar që i është bërë Serbisë. Tani, do t’i mbetet historisë për ta dëshmuar se për çfarë arsye është bërë kjo, me vetëdije apo nga injoranca.

“Bota sot”: VV qeverisë në edhe Gjilan, si e keni parë punën e Hysenit atje?

Lirije Kajtazi: Në të vërtetë, pushteti në Gjilan edhe nuk ka pas ndonjë punë të madhe. Në mandatet e kaluara të qeverisura nga LDK, shumica e lagjeve dhe vendbanimeve të komunës janë pajisur me infrastrukturë rrugore, kanalizim dhe ujësjellës, ndriçim publik, hapësira të gjelbëruara dhe shkolla. Pushteti i VV, është dashur t’i përfundoi një pjesë të projekteve kapitale, të cilat pushteti i LDK i pati filluar. Pos stadiumit të qytetit, i cili është dashtë të përfundohet që në vitin e parë të qeverisjes së VV, sepse një pjesë e madhe e punëve kanë qenë të kryera, gabimin më të madh kjo qeverisje e ka bërë që nuk ka filluar zbatimin e projektit të Impiantit të Ujërave të Zeza, për të cilin si projekt, ne si LDK, i kemi siguruar edhe fondet.

“Bota sot”: Nëse ju fitoni mandatin e deputetes, cila do të jetë çështja kryesore që do të shtyni përpara?

Lirije Kajtazi: E para do të angazhohem në mbrojtje të rendit kushtetues dhe zbatim të ligjeve – zhvillimin e demokracisë. Përtrirja, zhvillimi dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve më aleatët tanë, me SHBA dhe BE, do të jenë gjithashtu prioritet i angazhimeve të mia. Së dyti, luftë të pakompromis krimit dhe korrupsionit: Së treti, aspektet gjinore dhe të rinisë do të jenë fokus i veçantë, pasi konsideroj se familja e shëndoshë është qeliza e cila e bën të shëndoshë organizmin e madh – kombin. Konsideroj që ky është cikli, i cili po u zhvillu në mënyrë normale, do të prodhojë efekte të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, do të bëjë qytetarin tonë me dinjitet, do të krijoj premisa që ai të jetoi nga puna e tij.

“Bota sot”: Cili është parashikimi juaj për zgjedhjet e ardhshme?

Lirije Kajtazi: Për qytetarin mesatar, gjithçka është e dukshme. Qeverisja e VV ka degraduar jetën shoqërore kosovare, çka është më e keqja e ka polarizuar skajshëm. Në çdo fushë të jetës shoqërore ka ngecje, ka korrupsion të zyrtarëve qeveritar. Ne si LDK jemi alternativa që kemi potencial për ta ndalur këtë trend te degradimit dhe për ta zhvilluar ekonomikisht Kosovën, për ta integruar në BE dhe NATO, për t’i riparuar marrëdhëniet me SHBA, për ta bërë me dinjitet qytetarin kosovarë. Kemi dhënë prova shumë në të kaluarën se jemi alternativë që e duam këtë vend, që e kemi ndërtuar nga hiçi. Besoj thellësisht se qytetari kosovar është bindur dhe në këto zgjedhje do të na votojë mjaftueshëm për ta qeverisur vendin.

“Bota sot”: Cilat parti preferoni si LDK për një koalicion të mundshëm pas-zgjedhor?

Lirije Kajtazi: Kjo është një çështje që i përket Këshillit të Përgjithshëm të LDK. Vota ime si anëtare e këtij këshilli do të jetë që LDK si parti e parë të bëjë koalicion me çdo njërën prej partive, e cila nuk lëvizë nga kursi i zhvillimit demokratik të vendit, i integrimit në BE, NATO dhe marrëdhënie me SHBA. Koalicioni me partinë në pushtet nuk do ta ketë votën time.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat