Gashi: Listat për deputetë kanë përfshirë të deleguarit nga baza

Intervista

Gashi: Listat për deputetë kanë përfshirë të deleguarit nga baza

Më: 12 dhjetor 2024 Në ora: 21:42
Alush Gashi

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës Alush Gashi, thotë se procesi i hartimit të listave për deputetë të kësaj force politike ka qenë një proces i shkëlqyer, që ka rezultuar me përzgjedhjen e atyre që janë propozuar nga baza e partisë. Duke folur mbi zgjedhjet e pritshme të 9 shkurtit, ai tha se LDK-ja synon të dalë forcë e parë politike për shkak të rolit të saj emancipues, bashkëbisedimit publik shumë civilizues me çështje konkrete, e me njerëz që kanë kapacitetin për të realizuar programin e saj. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës zoti Gashi flet mbi raportet e Kosovës me aleatët dhe pritshmëritë nga administrata e re nën presidentin e zgjdhur Trump, që nis mandatin në janar të vitit 2025.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, ka përfunduar afati për partitë politike që të dorëzonin listat e kandidatëve për zgjedhjet e 9 shkurtit. Ka patur emra nga partia juaj të cilët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me përbërjen e tyre. A mendoni se ka patur mjaftueshëm transparencë në hartimin e listave, dhe a rrezikojnë këto zëra ta dëmtojnë partinë në zgjedhjet e pritshme?

Alush Gashi: Mendoj se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për listën është një proces i shkëlqyeshëm i cili ka filluar në muajin e tretë të këtij viti, ku ne e kemi mandatuar çdo nivel që të bëj përgatitje, të trajtojë njerëz nga niveli i aktivit, degës dhe 97 apo 98% të atyre që janë sot në listë janë të deleguar nga baza. Mund të ketë njerëz që mund të ketë menduar se do të duhej të jetë në listë, por mund të bëhen herë tjetër. Përpos listës ka edhe poste të tjera që janë shumë të rëndësishme, kështu që ata që e meritojnë apo që janë të interesuar do të jenë të përfshirë.

Zëri i Amerikës: Pra, thoni se ata që nuk janë në listë, nuk janë dërguar nga baza?

Alush Gashi: Natyrisht se jo!

Zëri i Amerikës: Çfarë pret LDK-ja nga këto zgjedhje zoti Gashi?

Alush Gashi: LDK-ja si partia e parë opozitare e Evropës Juglindore, si partia më e vjetër në botën shqiptare dhe natyrisht më e vjetra në Prishtinë ka edhe një rol emancipues për popullatën, për proceset, për zgjedhjet, për debatin. Ne jemi duke e zhvilluar një bashkëbisedim publik shumë civilizues me programe konkrete, me njerëz që e kanë kapacitetin për të realizuar atë program. Angazhimi jonë është që të dalim partia e parë, që qytetarëve të Kosovës t’u japim një qeverisje të mirë, që vendi të ecë përpara dhe të ketë zhvillim ekonomik, por edhe të kemi një bashkëpunim më normal edhe njerëzor me Bashkësinë Ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi, ajo që ka karakterizuar këtë vit ka qenë një përplasje ndërmjet partisë në pushtet dhe opozitës lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara. Kryeministri thotë se bashkëpunimi me SHBA-në, ndryshe nga ç’pretendon opozita, është zgjeruar, por sipas tij lajm bëjnë pikërisht le të themi ato që ndonjëherë janë përplasje për strategji dhe taktika dhe jo për qasje mbi parime të mëdha dhe qëllime mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. A ndani ju të njëjtin qëndrim, si i shihni ju marrëdhënie në këto katër vite?

Alush Gashi: Në kulturën politike të LDK-së është se partia jonë, jashtë Kosovës, nuk flet keq për qeverinë e vet. Por, është e dukshme që ekziston një zhgënjim i jashtëzakonshëm për mospërmbushje të asnjë premtimi për zhvillim ekonomik. Të gjitha mospajtimet janë ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Kuvend dhe janë dërguar mbi 10 ligje në Gjykatën Kushtetuese të cilat janë anuluar për shkak të përmbajtjes së paqëndrushme.

Lidhja Demokratike ka kredibilitet në bashkësinë ndërkombëtare. Është shumë kredibile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi bashkëbisedues të rregullt dhe kredibil, kështu që tregimet që tenton t’i përhapë apo promovojë kryeministri nuk janë të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Thebra e Akilit në bisedimet me Serbinë, por dhe në përplasjet me aleatët ka qenë çështja e associsacionit. Në rast se opozita do të fitonte zgjedhjet, partia juaj a do ishte gatshme të ndërmerrte këtë si hap të parë, pra ngritjen e asociacionit?

Alush Gashi: Nuk është në pyetje çështja e Asociacionit. Asociacionin ne e kemi si obligim kushtetues në procesin e Ahtisaarit, por e kemi Asociacionin i cili duhet të jetë plotësisht në kuadër të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Çuditërisht Kryeministri ka një qasje interesante. Në Kuvend e lavdëron atë Asociacion, në mediume nuk e pranon atë Asociacion. Ajo përmbajtje e cila ka dalë publikisht si një draft-statut është plotësisht e papranueshme, sepse është shkelje flagrante e pjesës më të madhe të Kushtetutës së Kosovës. Është një krijesë tjetër, të cilën ne nuk dimë ta interpretojmë. Lidhja Demokratike e Kosovës do ta zbatojë marrëveshjen sipas udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila është udhërrëfyes se si duhet të përfundojë ai proces. Ne nuk mund të hyjmë në obligim, ta zbatojmë një tekst i cili nuk është hartuar nga institucionet e Kosovës, por është pranuar nga institucionet e Kosovës dhe të cilat tash deklarohen se nuk është tekst i tyre. Ne jemi të zotuar që së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të përbashkët, që në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ta miratojmë Asociacionin, por nuk mund të ketë Asociacion kur nuk ka njerëz të zgjedhur, pakica serbe i ka lëshuar institucionet e veta. Kështu që LDK-ja do ta zbatojë Kushtetutën me përpikëri. Si pjesë e Kushtetutës, në provizionet e Ahtisaarit, është i paraparë Asociacioni. Ne e kemi një Asociacion, ku bën pjesë shumica e popullatës shqiptare.

Zëri i Amerikës: Zoti Gashi çfarë ndikimi prisni të ketë administrata e re Trump në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Alush Gashi: Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga dita e parë, ka në programin e vet qenësor raportet e veçanta, speciale, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se si republikanët, po ashtu edhe demokratët, do të përkujdesen për Republikën e Kosovës, për të cilën kanë investuar shumë që ta shpëtojnë nga gjenocidi, e kanë bërë si pjesë të suksesit më të madh që e kanë SHBA-ja në vendet ku kanë intervenuar.

Ne jemi të gatshëm si Lidhje Demokratike e Kosovës që të punojmë intensivisht me administratën për realizimin e programeve të përbashkëta dhe të vazhdojmë që të jemi faktor i stabilitetit. Ne në administratën (e zotit) Trump, kemi fituar njohjen nga Izraeli, kemi hapur ambasadën në Izrael dhe jemi të gatshëm për zhvillim ekonomik në pika strategjike me interes për SHBA-të dhe Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat