Qeveria Kurti ka dështuar të bind aleatët ndërkombëtarë se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, si dhe atë të vitit të kaluar në Banjskë, thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Sipas tij, qeveria për të mos humbur kredibilitetin e saj në arenën ndërkombëtare, fillimisht është dashur të pres provat dhe pastaj të bëjë me gisht drejt Serbisë. Ai deklaron se Kosova s’ka nevojë që të bëjë protokoll të ri të bashkëpunimit me NATO-n për dislokimin e FSK-së në veri, mirëpo duhet të pres përfundimin e planit të tranzicionit të FSK-së, deri në vitin 2028.
Haziri në një intervistë për KosovaPress, thotë se takimi i 17 dhjetorit, në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel është vetëm sa për fotografi dhe se nuk pret asnjë rezultat konkret drejt zbatimi të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Haziri: Qeveria Kurti s’ka mundur t’i bind aleatët se Serbia qëndron prapa sulmeve terroriste në veri
“Asgjë nuk i kanë bindur. Edhe sulmin terrorist në Manastirin e Banjskës, po besoj se Prokuroria Speciale po i bind të tjerët se ka gjetur prova sepse për qeverinë edhe ai ke t’u na rrëshqit. Serbia nuk është vetëm sponsor i terrorizmit, por është edhe strehues i terrorizimit. Në vend që me dëshmu këta dhe me treguar që Serbia është bërë një Afganistani në Ballkan që strehon dhe sponsorizon terroristë, por këta e humbën atë kredibilitet dhe Kosovës po ia përkthejnë në disavantazh. Edhe kjo në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc i përngjanë sulmeve të tilla, por pritni provat. Ne duhet me u mësuar që me i pa provat dhe jo me bërë me gisht”, dekalaron Haziri.
Sipas ti, prezenca e FSK-së në veri pa koordinimin me KFOR-in, mund të bëhet në momentin kur finalizohet faza e tranzicionit të FSK-së në ushtri, në vitin 2028.
Haziri: FSK-ja në veri pa koordinimin me KFOR-in mund të bëhet kur finalizohet tranzicioni në ushtri
“Është protokolli në vitin 2028 finalizohet. Nëse e mbërrijmë finalizimin e protokollit në vitin 2028, tri vjet nga tash ne bëhemi anëtarë të partneritetit për paqe. Në momentin që je anëtarë këtu t’i e merr rolin tënd në udhëheqje. Edhe më shpejtë mbyllet nëse arrihet një marrëveshje e normalizimit me Serbinë”, deklaron ai.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Haziri thotë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq janë dakorduar për t’u mos dakorduar dhe me mbajt takime në Bruksel sa me mbajt gjallë procesin e dialogut.
Haziri: S’ka asgjë në dialog, këtë gjë e dimë të gjithë
“Nuk ka asgjë këtu. Kjo po na konfirmon çdo ditë parimin që Vuçiq dhe Kurti janë marrë vesh për t’u mos u marrë vesh. Parimi i dakordimit për t’u mos u dakorduar është me u mbajt takime dhe me i dhënë oksigjen procesit, e në fund ne krejt e dina se nuk ka asgjë. Zgjedhjet janë me 9 shkurt, në janar përfundon mandati i zotëri Lajçak ose i vazhdohet mandati”, thotë Haziri.
Sipas tij, kryeministri Kurti i ka sjell një marrëveshje të keqe Kosovës, derisa është optimist se ujdia e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, do të përmirësohen nën qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja.
Haziri: Do të përmirësojmë marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit
“Dallimi ndërmjet neve dhe qeverisë është ky. Qeveria nuk po e procedon draft-dokumentin e statutit të Asociacionit, ndërsa marrëveshjen Kurti-Vuçiq po thotë që është e mirë. Për LDK-në marrëveshja Kurti-Vuçiq është e keqe në katër provizionet e saja, që ju ka bërë një guri në qafë Kosovës. Draft-dokumenti është dështim i qeverisë Kurti. Ata kanë dhënë komente, kur merr pjesë në proces është punë e kryer...LDK-ja ka një standard. Marrëveshja bazë në katër nene është e keqe dhe ne këtë dokument do të përmirësojmë”, thekson Haziri.
Ai për KosovaPress flet edhe për ftesën që Prokuroria Speciale i ka bërë kryeministrit Albin Kurti. të jep dëshmi në cilësi të dëshmitarit për rastin e rezervave të grurit.
Haziri: Guximi i prokurorisë me ftu kryeministrin është sundim i ligjit
“Sundim i ligjit kjo është. Guximi i prokurorisë me ftuar kryeministrin. Kjo është sundim i ligjit. Nëse këtë rrafsh ne në Kosovë themi se është përmirësuar sundimi i ligjit atëherë ka ndodh. Edhe Hashim Thaçin e kanë ftuar Prokuroria Speciale, nuk është Albin Kurti i pari. Unë jam marrë nga Prokuroria Speciale në rolin e dëshmitarit në cilësinë e zëvendëskryeministrit për një rast në Kosovë. Ka ministra, zëvendëskryeministra, kryeministra që janë ftuar si të dyshuar. Kjo është sundim i ligjit”, përfundon Haziri.