Gara zgjedhore mes partive politike për zgjedhjet e reja parlametare të 9 shkurtit, po bëhet çdo ditë e më e ashpër. Të cilat, të gjitha po synojnë të marrinë vota sa më shumë, e disa tentojnë të e kthejnë një pjesë të elektoratit.
E në lidhje me këto zgjedhje parlamentare, në një intervistë për “Bota sot” foli anëtari i Listës ‘Guxo’, Luan Gacaferi, i cili njëherësh është kandidat për deputet nga koalicioni LVV-Guxo.
Si fillim, ai tregoi atë se çka e shtyri që t’i hyjë kësaj gare zgjedhore, derisa këtë e ndërlidhi edhe me veprimtarinë e tij në Gjermani.
Sa i përket garës zgjedhore apo edhe koalicioneve të mundshme, Gacaferi u shpreh i bindur se LVV-Guxo do fitojnë edhe më bindshëm se në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Madje, ai tregoi se nuk do të ketë nevojë për asnjë koalcion tjetër me ndonjërën nga partitë opozitare.
Në fund, ai i përgënjeshtroi raportimet se ka përçarje brenda Listës ‘Guxo’, duke sqaruar se ka pasur aty-këtu vetëm pakënaqësi individuale, jo diçka më shumë.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Z. Gacaferi ju së fundi keni zyrtarizuar kandidaturën tuaj për deputet nga Lista ‘Guxo’-LVV. Si erdhët deri te vendimi për të hyrë në këtë garë zgjedhore?
Luan Gacaferi: Nuk ishte i lehtë për mua vendimi që të lë Gjermaninë e të kthehem në Kosovë, sepse këtu në Gjermani i kam kaluar mbi 33 vite të jetës time, këtu kam familjen, punën dhe gjithçka tjetër! Por, vjen një moment në jetë kur njeriu duhet të vendos se si mundet t'a ndihmojë atdheun e vet më shumë, përmes rrjeteve sociale apo duke u kthyer në atdhe! Pra erdha në përfundim se Kosovën më shumë mund ta ndihmoj nga parlamenti, nëse i marr votat e duhura, se nga rrjetet sociale!
Gazeta “Bota sot”: Çfarë prisni nga zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit, a do jetë një garë e nxehtë zgjedhore dhe si i vlerësoni partitë opozitare dhe fushatat e tyre?
Luan Gacaferi: Unë pres që në zgjedhjet e 9 shkurtit do të konfirmohet bindshëm qeveria Kurti! Bile pres qe të fitojë edhe më shumë vota se në zgjedhjet e fundit parlamentare! Sigurisht qe do jetë një garë e nxehtë elektorale sepse partitë opozitare nuk do luftojnë për të fituar, por do luftojnë për të mbijetuar dhe siç dihet lufta për mbijetesë është jo vetëm e nxehtë por edhe flliqtë!
Gazeta “Bota sot”: Po ashtu, koalicionet paszgjedhore po përfliten shumë, a do ketë nevojë koalicioni LVV-Lista ‘Guxo’ për partner tjetër politik për të formuar qeverinë, apo do përsëritet suksesi i 14 shkurtit 2021?
Luan Gacaferi: Jam thellësisht i bindur se VV-GUXO dhe Alternativa s'do kenë nevojë për asnjë koalicion me partitë opozitare aktuale, ngase do fitojnë zgjedhjet bindshëm e me një rezultat spektakolar e që do jetë edhe më i lartë se në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021!
Gazeta “Bota sot”: Marrë parasysh se ju vini nga shteti i Gjermanisë, a do jeni zë i diasporës, dhe si e vlerësoni kontributin e kësaj të fundit në zhvillimin dhe forcimin e Kosovës?
Luan Gacaferi: Po unë do jem zëri i mërgatës dhe ky është edhe njëri prej qëllimeve kryesore pse kam pranuar te kandidoj për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025! Mërgata shqiptare deshëm apo jo, është motori i zhvillimit ekonomik i shtetit të Kosovës, duke marrë parasysh miliarda euro remitanca qe derdhen në shtetin e Kosovës, e kështu edhe indirekt në buxhetin e shtetit të Kosovës!
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë fushatë në të cilat do ngritni zërin për përmirësim dhe zhvillim?
Luan Gacaferi: Unë do bëj gjithçka që është e mundur në fuqitë e mia njerëzore dhe intelektuale që shteti i Kosovës të ofroj të gjitha garancitë e duhura ligjore, për të siguruar investitorët potencial nga mërgata shqiptare, por edhe atyre të huaj! Do bëj gjithçka që të kemi pensione më të larta për pensionistët e Kosovës! Do luftojë me mish e më shpirt për një barazi gjinore praktike e jo vetëm teorike në Kosovë! Do luftojë që femrat të kenë më shumë mbrojtje ligjor, por edhe institucionale në rast se ato kanë nevojë!
Gazeta “Bota sot”: Si i keni parë ju zhvillimet e fundit brenda partisë GUXO, konsideroni se pati një propagandë mediatike për denigrimin e partisë, sa të thella janë në të vërtetë përçarjet brenda subjektit tuaj?
Luan Gacaferi: Partia GUXO nuk ka pasur asnjë moment përçarje të brendshme, por ka pasur aty këtu pakënaqësi individuale pse dikush nuk është në listën e kandidatëve për deputet, e për çka unë e marrë deri diku edhe normale! Por, si zakonisht mediat e caktuara e me porosi, i kanë fryer një diçkaje që asnjëherë s'ka ekzistuar!