Kryeministri i territorit ballkanik i jep intervistë EL MUNDO-s në një nga momentet më kritike të mandatit të tij, me zgjedhjet legjislative përpara dhe tensionet e rritura rajonale, të përkeqësuara nga Putini, si sfond.
Kështu e nis intervistën me kryeministrin Albin Kurti gazeta spanjolle EL MUNDO për të vazhduar, duke thënë se Albin Kurti i lindur në Prishtinë 1975, kryeministri i Kosovës dhe lideri i lëvizjes Vetëvendosje, ka arritur të bëhet një figurë kyçe në politikën e trazuar të Ballkanit.
Në një kontekst të shënuar nga ndikimi i Rusisë në rajon, që kërcënon të destabilizojë stabilitetin e brishtë të arritur pas dekadash konflikti, Kurti synon të forcojë pozitat e Kosovës përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme.
Kurti ka folur për shumë çështje që lidhen me aktualitetin politik në Kosovë, si dhe raportet me Serbinë dhe ndërkombëtarët.
Kurti është pyetur edhe për atë se si e percepton Kosova presidencën e Donald Trump?
“Kosova ka një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në angazhimin e vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE dhe NATO. Gjatë mandatit të Trump, iu dha përparësi marrëveshjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë për të promovuar stabilitetin, ndërkohë që administrata Biden e forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto ndryshime pasqyrojnë ndryshime në qasje, nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, ka thënë mes tjerash kryeministri.
Intervista e plotë:
P. Zoti Kurti, a është koha që Spanja ta njohë Kosovën?
Kurti: Këtu ka një paradoks, sepse Spanja, një demokraci e konsoliduar, nuk e njeh Kosovën, një shtet proevropian dhe kundër ndikimit rus, ndërkohë që mban një qëndrim të afërt ndaj Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që Spanja ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Përveç shpalljes së pavarësisë, historia jonë e afërt përfshin dy momente kyçe. I pari ishte çlirimi në vitin 1999, i mundësuar falë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm, spanjollit Javier Solana. Komuniteti ndërkombëtar paralajmëroi se Milosheviçi donte të kryente një gjenocid të dytë, këtë herë në Kosovë, siç ndodhi në Srebrenicë.
Momenti i dytë kyç erdhi në shtator 2012, kur u hoq statusi i mbikëqyrjes ndërkombëtare. Gjatë katër viteve të para pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk kishte sovranitet të plotë. Pieter Feith, si përfaqësues i Grupit Ndërkombëtar të Mbikëqyrjes së Kosovës, mbikëqyrte dhe kishte autoritet mbi institucionet tona, duke kufizuar kështu pavarësinë tonë reale.
P. Spanja thotë se vendimi i saj për të mos njohur Kosovën nuk është i kushtëzuar nga marrëdhëniet e saj me Serbinë. A mendoni se ky faktor luan rol në qëndrimin e Spanjës?
Kurti: Dëshiroj të theksoj se shtete të tjera, si brenda dhe jashtë Bashkimit Europian, kanë lidhje më të ngushta me Serbinë sesa Spanja dhe, megjithatë, kanë njohur Kosovën. Ky precedent tregon se njohja e Kosovës nuk është e kushtëzuar domosdoshmërisht nga lidhjet ekonomike me Serbinë, por nga një vendim sovran, i bazuar në parime të drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Nëse Spanja e njeh Kosovën, do të ishte një hap i qartë për stabilitetin brenda Ballkanit. Zgjerimi i Bashkimit Europian është në tryezën e negociatave në Bruksel dhe do të ishte një përgjigje e përshtatshme për ata që kërkojnë të dobësojnë integritetin dhe bashkimin e Evropës.
P. A mendoni se "jo"-ja e Spanjës është e lidhur me problemet e brendshme, si çështja katalanase ose vaske?
Kurti: Republika e Kosovës dhe Spanja nuk kanë asnjë problem bilateral. Prandaj, nuk ka asnjë çështje midis dy shteteve që mund të çojë në një bllokim për njohjen. Ne mendojmë se do të ishte mirë që Spanja të bashkohej me shumicën e shteteve evropiane që kanë njohur Kosovën.
Ka shtete të tjera që, ashtu si Spanja, përballen me probleme secesioniste dhe, megjithatë, kanë njohur Kosovën. Historia e Spanjës ka qenë e shënuar nga territore që kërkojnë autonomi të madhe ose madje pavarësi. Çështja e Kosovës nuk ka lidhje me situatën politike të brendshme të Spanjës.
P. Ka pasur kontakte me Qeverinë Spanjolle?
Kurti: Jo. Edhe pse kemi pasur ndërveprime në disa konferenca ndërkombëtare, këto takime kanë qenë kryesisht në nivel personal, kryesisht midis parlamentarëve, por jo midis përfaqësuesve qeveritarë. Me gjithë këto takime në forume ndërkombëtare, nuk është krijuar një dialog i drejtpërdrejtë dhe zyrtar mes dy qeverive. Nuk ekziston një rrugë formale për të trajtuar çështjen dhe për të avancuar një marrëdhënie diplomatike.
P. Si mendoni të bindni shtetet më të pasigurt se Kosova meriton të ecë përpara drejt anëtarësimit në Evropë?
Kurti: Ne dëshirojmë një integrim të plotë në Bashkimin Europian dhe rruga drejt këtij qëllimi nuk duhet të kushtëzohet nga pajtimi me Serbinë. Vullneti ynë për integrim evropian është i padiskutueshëm dhe nuk duhet të jemi peng i qëndrimit të Serbisë.
Natyrisht, ne dëshirojmë marrëdhënie normale dhe të lira me Serbinë.
Pavarësisht se nuk jemi njohur nga të gjitha shtetet, jemi plotësisht të integruar në procesin e Berlinit, ashtu si dhe në planin e zgjerimit të udhëhequr nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në këtë aspekt, jemi të sigurt se Komisioni i ri Evropian do t'i kushtojë më shumë kohë zgjerimit sesa ai që sapo ka përfunduar mandatin. Ata po e kuptojnë se, me Ballkanin, Bashkimi Europian bëhet Evropa.
P. Si do të ishte marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës si anëtarë të BE-së, duke marrë parasysh se mes Beogradit dhe Prishtinës ndodhet Mitrovica?
Kurti: Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të kontribuonte në përmirësimin e marrëdhënieve fqinje, në normalizimin e lidhjeve dhe në nxitjen e demokracisë brenda Serbisë. Ky proces do të forconte institucionet demokratike në të dy shtetet.
Problemi është se integrimi evropian po pengohet nga Rusia, e cila dëshiron të mbajë Serbinë sa më larg NATO-s dhe Bashkimit Europian. Prandaj, integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian është një përgjigje dhe një qëndresë më e mirë ndaj ndikimit të Rusisë, pasi nga Kremlini përpiqen të ndajnë shtetet evropiane dhe interesi ynë i përbashkët është të jemi të bashkuar.
P. A mendoni se presidenti Vuçiç do të jetë ai që do ta njohë Kosovën apo është e pamundur?
Kurti: Përshtypja ime është se si frika ashtu edhe dashuria e tij janë më shumë në drejtim të veriut dhe lindjes. Interesat dhe simpatitë të tij janë më të lidhura me Moskën, ndaj duket se Vuçiç ka më shumë prirje dhe është më i afërt me Moskën sesa me Brukselin.
P. Keni qenë kritik ndaj Josep Borrell si ndërmjetës në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë kur ishte përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së, çfarë mendimi keni për këtë rol si ndërmjetës?
Kurti: Zoti Borrell mori postin e tij në një kohë krizash globale, duke u përballur me shumë konflikte në botë. Nga pandemia dhe agresioni rus në Ukrainë deri te problemet me Iranin, të gjitha këto kriza kishin përparësi dhe lanë më pak hapësirë për Ballkanin, sidomos për të trajtuar çështjen e Kosovës. U dhanë shumë kompetenca përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për Ballkanin, zoti Miroslav Lajçak.
P. A mendoni se mund të kishte pasur një qëndrim më të qartë?
Kurti: Unë e konsideroj zotin Josep Borrell si një diplomat dhe politikan shumë me përvojë. Është një person që nuk vepron vetëm, por reflekton edhe politikisht. Ne jemi shumë dakord në lidhje me vlerat sociale dhe demokratike. Jemi gjithashtu shumë dakord në qëndrimet politike. Arsyeja pse kemi dallime është se ai ka më pak optimizëm se unë, ajo që më ka shqetësuar më shumë është se, përgjithësisht, kam vërejtur një skepticizëm dhe pesimizëm ndaj botës dhe paqes botërore.
Me Serbinë, kam përshtypjen se ai nuk bëri mjaftueshëm për të ushtruar presion ndaj Beogradit. Dhe më e rëndësishmja, kur Beogradi shkelte marrëveshjet që kishim arritur, as Borrell as Lajçak, që ishin referencat, nuk morën masat e duhura. Beogradi e shkelte marrëveshjen dhe ata, si ndërmjetës, nuk vepruan si arbitra.
P. Si jeni përballur me zgjedhjet e 9 shkurtit?
Kurti: Si kryeministër në detyrë, prioriteti im është të mbaj një udhëheqje të fortë dhe të konsolidoj stabilitetin institucional të arritur gjatë këtyre katër viteve të transformimeve të rëndësishme. Ne kemi ulur papunësinë me 60%, kemi arritur një rritje ekonomike mesatare prej 6% në vit, dhe kemi përmirësuar fusha kyçe si arsimi, tani falas në nivelin e lartë, dhe shëndetësinë, me akces më të gjerë në medikamente thelbësore.
Kosova përballet me sfida globale si barazia gjinore, ndryshimet klimatike, pabarazia dhe revolucioni teknologjik i nxitur nga inteligjenca artificiale, ndërkohë që vazhdojmë përpara drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Europian.
P. Çfarë i përgjigjeni atyre që ju akuzojnë se po e përdorni tensionin etnik në veri për qëllime zgjedhore?
Kurti: Në Kosovë nuk ka asnjë politikan që ka qëndruar më shumë në opozitë se unë. Asnjëherë nuk kam pasur interes në pushtet me çdo çmim. Mendoj se ajo që i shqetëson më shumë është fakti që unë nuk e bëj këtë për të fituar vota. Qeveritë e mëparshme kanë kërkuar të fitojnë përfitime politike duke bërë kompromise me Serbinë nën presion ndërkombëtar. Unë kurrë nuk kam përdorur asnjë çështje për qëllime zgjedhore; ata nuk dinë si të më sulmojnë. Me demokratët, jam demokrat. Por me autokratët, do të duhet të jem një sovranist. Kur ndeshesh me një autokrat, nuk mund të komprometosh integritetin tënd territorial. Siç ka thënë Immanuel Kant dy shekuj më parë, “demokracitë kurrë nuk luftojnë mes tyre, janë autokracitë ato që kërkojnë të sundojnë ose të shtrihen”.
P. A do të pranoni kërkesën e minoritetit serb në veri për krijimin e Asociacionit të Komunave?
Kurti: Pozita jonë ka qenë se ne kemi nevojë për përfshirje brenda vendit dhe ofrimin e të drejtave dhe mbrojtjeve të gjera për minoritetin serb, në vend që të inkurajojmë enklava të mbyllura. Kosova ka mbrojtje të forta për minoritetet, përfshirë vendet të garantuara parlamentare për të gjitha grupet minoritare. Komunitetet jo shumicë kanë të drejtë vetos për ligje jetike dhe ndryshime kushtetuese, dhe përfitojnë kuota për të gjitha emërimet e rëndësishme shtetërore dhe poste të tjera në sektorin publik, përfshirë Policinë. Sot, minoriteti serb, që përfaqëson rreth 4% të popullsisë, qeveris më shumë se një të katërtën e komunave dhe mban rreth 9% të vendeve në Parlament, të cilat janë të garantuara për ta.
P. Të dyja palët e hodhën poshtë propozimin e Brukselit. A ka rrezik të ketë një eskalim të ri nëse nuk zgjidhet ky konflikt i fjetur?
Kurti: Në fakt, është implementimi i Marrëveshjes së Bazës që është aktualisht i bllokuar, sepse Serbia refuzon ta nënshkruajë atë. Ne mendojmë se rruga përpara është të nderohet marrëveshja që mori kohë për t'u arritur. Nënshkrimi i asaj që u ra dakord në Bruksel në shkurt 2023 dhe më pas në Ohër në mars 2023 është thelbësor për të garantuar një zbatim të shpejtë, të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Bazës dhe për të siguruar llogaridhënie për përmbushjen e saj.
P. A mendoni se pasiguria e shkaktuar nga Putini mund të përhapet në Ballkan, duke e bërë atë objektivin e radhës?
Kurti: Po, rreziku është i dukshëm. Putin, duke e komplikuar situatën në Ukrainë, mund ta drejtojë strategjinë e tij drejt Ballkanit. Objektivi i tij është i qartë: të përdorë Serbinë si një proxy për të destabilizuar rajonin dhe, veçanërisht, për ta kthyer Ukrainën në një Bosnje të dytë. Kjo përfshin krijimin e një shteti jo funksional, të ndarë dhe të varur, siç ndodhi me Bosnjën pas konflikteve të viteve '90.
Putin po imiton Milosheviç-in, duke u përpjekur ta shndërrojë Ukrainën në atë që Bosnja ishte për Europën dhe komunitetin ndërkombëtar dikur, dhe ta kthejë atë në një para-shtet, një satelit nën kontrollin e tij, gjë që do ta bënte Ukrainën tërësisht të paaftë për funksionim. Prandaj, sa herë që agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë vazhdon, paqja do të jetë e kërcënuar. Duhet t'i mbyllim rrugën tentativave të Rusisë për të eksportuar pasiguri në rajon.**
P. A mund të alineohen disa territore të Ballkanit me Rusinë nëse nuk integrohen në BE?
Kurti: Është e mundur. Serbia dhe Republika Srpska tregojnë një aleancë të theksuar me Moskën, duke përdorur koncepte si "Bota Serbe" për të justifikuar zgjerimin e tyre ideologjik dhe politik. Në mungesë të integrimit evropian, këto territore mund ta konsolidojnë edhe më shumë lidhjen e tyre me Rusinë, duke destabilizuar rajonin.
Mal i Zi, megjithatë, edhe pse ka elementë që i janë afër kësaj narrative, është më i mbrojtur nga anëtarësimi i tij në NATO. Sidoqoftë, Bosnja dhe Hercegovina përballet me sfida të brendshme për shkak të bllokadës së vazhdueshme nga Republika Srpska, e cila pengon rrugën e saj drejt stabilitetit dhe orientimit europian.
P. A do të jetë e nevojshme prania e KFOR-it në afat të gjatë duke marrë parasysh këto kërcënime?
Kurti: Po, prania e KFOR-it vazhdon të jetë thelbësore derisa Serbia të mbajë armiqësinë ndaj Kosovës dhe Rusia të vazhdojë të nxisë tensionet në rajon. Përpjekjet e Moskës për të ndikuar në Ballkan, së bashku me mungesën e njohjes nga Serbia, e bëjnë misionin e KFOR-it kyç për sigurinë dhe stabilitetin.
P. Si e percepton Kosova presidencën e Donald Trump? A mendoni se mund të ndikojë në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara?
Kurti: Kosova ka një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, të bazuar në angazhimin e vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE dhe NATO. Gjatë mandatit të Trump, iu dha përparësi marrëveshjeve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë për të promovuar stabilitetin, ndërkohë që administrata Biden e forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto ndryshime pasqyrojnë ndryshime në qasje, nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin.