Shehaj: Nuk bëjmë koalicion, dallojmë në qasjen ndaj sistemit të drejtësisë

Intervista

Shehaj: Nuk bëjmë koalicion, dallojmë në qasjen ndaj sistemit të drejtësisë

Më: 27 shkurt 2025 Në ora: 21:29
Agron Shehaj

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj kritikoi akuzat e bëra nga dy partitë kryesore në Shqipëri, ndaj sistemit të drejtësisë dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Ai tha se partia e tij mbështet drejtësinë dhe luftën ndaj korrupsionit. “Këto janë qëndrime absolutisht të gabuara.Është e pamohueshme puna që po bën drejtësia duke nxjerrë para drejtësisë të korruptuar, nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri në këto 30 vjet. Dhe nga ana tjetër, kemi politikanë të vjetër, të akuzuar për korrupsion, që i janë vërsulur drejtësisë”, tha ai.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kur garoi nën siglën e Partisë Demokratike, zoti Shehaj ishte ndër deputetët më të votuar. Por në zgjedhjet parlamentare te 11 majit, ai thotë se objekt i partisë së tij ‘Mundësia’ është të sigurohen votat e mjaftueshme për një grup parlamentar në Kuvendin e ri.

Në një kohë, që në kampin e djathtë kanë nisur diskutimet dhe ftesat e para për bashkimin në koalicione parazgjedhore, zoti Shehaj përjashtoi mundesinë për qenë pjesë e tyre, duke renditur si argument kryesor, qasjen e ndryshme sa i përket sistemit të drejtësisë. “Me të gjitha partitë e tjera na dallojnë shumë pika, sidomos ajo që ka të bëjë me qasjen ndaj drejtësisë si pika e parë ku ne jemi e vetmja forcë politike që arrin të mbushë sheshet me mijëra njerëz në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit”, u shpreh ai.

Zëri i Amerikës: Zoti Shehaj, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ju do të kërkoni votat për partinë që ju drejtoni, partia “Mundësia”. Sistemi elektoral nuk ndihmon partitë e vogla, favorizon të mëdhatë. Cili është objektivi juaj, çfarë do të përbënte sukses për ju, në këtë garë?

Agron Shehaj: Sigurisht, objektivi ynë është që të hyjmë në parlament me një numër deputetësh. Dëshira është e madhe dhe është e vështirë të parashikojmë numrin e deputetëve, por le të themi që të jemi në gjendje të bëjmë një grup parlamentar. Kjo do të na jepte mundësinë që të vazhdojmë atë punën që unë e kam bërë në këto vite duke denoncuar korrupsionin e qeverisë në parlament, të mos jem më vetëm, por të jem me një grup deputetësh. Kjo do të ishte historike në fakt për politikën shqiptare që për herë të parë një parti politike shqiptare, pa ndihmën e asnjë prej partive të mëdha të futet në parlament me votat e veta.

Zëri i Amerikës: A do të keni kandidate për deputetë në gjithë Shqipërinë?

Agron Shehaj: Absolutisht po!

Zëri i Amerikës: Në terrenin politik kanë nisur thirrjet e para për krijimin e koalicioneve- parazgjedhore. Ju do të bëheni pjesë e ndonjë koalicioni?

Agron Shehaj: Ne nuk do të jemi pjesë e asnjë koalicioni.

Zëri i Amerikës: Ka një arsye për këtë?

Agron Shehaj: Arsyeja është e thjeshtë sepse ne nuk kemi pika të përbashkëta me partitë e tjera politike të qendrës së djathtë, në rastin konkret ftesa ka ardhur nga Partia Demokratike…

Zëri i Amerikës: Ka dy ftesa momentalisht, një ftesë nga Partia Demokratike, nga zoti Sali Berisha për të gjitha partitë e djathta dhe ju keni marrë ftesë nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe partia tjetër Djathtas 1912 për t’u bërë pjesë e një koalicioni që këto dy forca duan të krijojnë. Nuk e gjeni veten në asnjë prej ktyre?

Agron Shehaj: Unë kam dal nga Partia Demokratike me një grup të rinjsh që kanë mendim të njëjtë me mua, që mendojnë se Partia Demokratike duhet të ndryshonte, gjë që nuk ndodhi dhe ne vendosëm të dalim jashtë PD-së dhe të krijojmë një lëvizje politike me një qëllim afatgjatë. Zgjedhjet e ardhshme janë vetëm hapi i parë që duam të realizojmë, të qënit në Parlament me votat e Partisë Mundësia. Me të gjitha partitë e tjera na dallojnë shumë pika, sidomos ajo që ka të bëjë me qasjen ndaj drejtësisë si pika e parë ku ne jemi e vetmja forcë politike që arrin të mbushë sheshet me mijëra njerëz në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Kjo na dallon nga pjesa më e madhe e forcave politike që kanë mbështetje domethënëse. Pastaj, ne dallohemi edhe nga të tjerët sepse jemi e vetmja forcë politike që flasim për të ardhmen. Po t’iu lexosh programin forcave të tjera politike, ato e quajnë shtetin si zgjidhje të problemeve të shqiptarëve. Pra, po t’iu lexosh programin e kupton se duan një shtet më të madh, duan më shumë burokraci; është programi i tyre që e pasyron pikërisht këtë vizion. Ne jemi të vetmit që duam një shtet më të vogël, ne jemi të vetmit që mendojmë se shteti nuk do të zgjidhë problemet e shqiptarëve. Shqiptarët kanë nevojë që të kenë më pak shtet mbi kurriz dhe janë ata që do të pasurojnë familjet e tyre, do t’iu garantojnë fëmijëve një jetë më të mirë.

Zëri i Amerikës: Ne tre zgjedhjet e fundit, Partia Demokratike dhe forcat e tjera opozitare kanë qenë bashkë në një koalicion dhe nuk kanë arritur të fitojnë. Këtë herë duket se forcat opozitare, pritet të dalin jo të bashkuara, por të fragmentarizuara në zgjedhje. Sa i dëmtojnë këto mundësitë e opozitës për fitore?

Agron Shehaj: Varet se çka quajmë ne fitore. Synimi ynë është t’i japim Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar, një qeverisje ndryshe nga çka ka ndodhur më përpara. Pra, jo thjesht të zëvendësojmë një klasë politike apo disa politikanë, që duhet të largohen dhe të zëvendësohen me të tjerë. Për ne është shumë e rëndësishme se kush shkon në pushtet. Nuk duhet të ketë vetëm rotacion. Sigurisht, rotacioni në vetëvete është shumë i rëndësishëm dhe votat tona do të shkojnë kundër qeverisë Rama. Por, për ne është shumë e rëndësishme dhe çfarë do t’i japim shqiptarëve. Në këto 30 vite është diskutuar shumë për bashkim, nuk është folur kurrë për besueshmërinë, për një alternativë të besueshme, që realisht mund të luftojë për interesat e qytetarëve, jo për interesin e atyre që fitojnë zgjedhjet.

Zëri i Amerikës: Ju ndodheni këtu në Uashington për takime me diasporën. Për herë të parë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit do të jenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre. Keni bërë publike edhe takimet e tjera që keni zhvilluar me shqiptarë që ndodhen në shtetet të tjera. Cili është niveli i interesit të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhje dhe çfarë ndikimi mund të ketë vota e tyre në rezultatin e zgjedhjeve ?

Agron Shehaj: Ka shumë interes. Kjo duket edhe nga sa qytetarë shqiptarë janë regjistruar për të votuar nga diaspora. Se si do të votojnë do të shohim në datën 11 maj. Do të doja shumë që shqiptarët, sidomos ata që jetojnë jashtë të kuptojnë që nëse jetojnë jashtë Shqipërisë, nëse janë ndarë me të afërmit e tyre, kanë ikur nga vendi ku kanë lindur, kanë ikur sepse politika i ka larguar. Mjafton të pyesin veten se në çfarë viti kanë ikur dhe të kuptojnë se kush i ka larguar nga Shqipëria. Do të doja shumë që të përfitonin nga këto zgjedhje për të kuptuar që duhet një ndryshim i madh. Duhet të largohen nga politikanë të vjetër me premtimet e tyre 30 vjeçare me gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre dhe të kërkojnë diçka ndryshe dhe të mbështesin një ndryshim. Ndryshimi më i madh që do të vijë më 11 maj është qasja ndaj drejtësisë. Është e pamohueshme që drejtësia, punën që po bënë drejtësia duke nxjerrë para drejtësisë të korruptuarit nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri në këto 30 vjet. Dhe nga ana tjetër, kemi politikanë të vjetër, të akuzuar për korrupsion, që i janë vërsulur drejtësisë. Rama bashkë me pushtetin e tij politik, mediatik, po sulmon vazhdimisht drejtësinë, po e quan drejtësinë të kapur, të motivuar politikisht, po shkel ligjin dhe po sillet si hetuesit e kohës së regjimit (komunist). Ndërkohë, ai vetë ka premtuar që më datën 12 maj pasi të fitojë zgjedhjet do ta rikthejë drejtësinë nën kontrollin e Partisë Socialiste ose fjalë për fjalë siç thotë ai, në shinat e kushtetutshmërisë, që praktikisht është një kërcënim i hapur ndaj drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Ju e mbështesni drejtësinë, por kritika ka patur, siç e përmendet edhe ju nga Partia Socialiste, nga kryeministri Rama dhe nga Partia Demokratike, e cila e ka konsideruar atë një organizatë kriminale. Si e komentoni ju këtë?

Agron Shehaj: Në këndvështrimin tone, këto janë qëndrime absolutisht të gabuara. Votat e partisë mundësia, votat e deputetëve të partisë Mundësia, nuk do të shkojnë kurrë kundër drejtësisë, do të shkojnë në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Ky është interesi i qytetarëve. Është ngritur, sidomos në mediat shqiptare, që janë në pjesën më të madhe të ndikuara nga politika, si majtas dhe djathtas, sidomos nga pushteti, është nisur një luftë kundër drejtësisë dhe SPAK-un, duke e quajtur atë të përkohshëm, duke e quajtur atë si gjykatë speciale apo polici speciale, por në fakt, nuk është gjykatë speciale, por një prokurori e veçantë, e cila në kushtetutë është e parashikuar të jetë e përhershme dhe jo e përkohshme. Ata thjesht po përgatisin terrenin për ta shkatërruar SPAK-un. Ne mendojmë se nuk duhet ta harrojmë që shumica e shqiptarëve janë me drejtësinë, 75% e shqiptarëve janë me drejtësinë dhe janë për të vazhduar luftën kundër korrupsionit. Politikanët e vjetër do të bëjnë çmos që t’u kërkojnë votën e shqiptarëve që më datën 11 maj për të fituar zgjedhjet që të shpëtojnë veten e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat