Nga Irani te Kosova, eksperti i sigurisë tregon se si mund të përfshihet Trump në dialogun me Serbinë

Intervista

Nga Irani te Kosova, eksperti i sigurisë tregon se si mund të përfshihet Trump në dialogun me Serbinë

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 1 korrik 2025 Në ora: 10:01
Donald Trump

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur në lidhje me çështjet e sigurisë në Kosovë, por edhe për zhvillimet gjeopolitike në përgjithësi.

Së pari, ai vlerësoi se situata në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, është e tensionuar, por e qëndrueshme.

Duke folur për konfliktin e fundit mes Iranit dhe Izraelit, Kulla përmendi ndikimin e tij në shtetet e Ballkanit, ku ndër të tjera tha se konflikti mes këtyre dy shteteve nuk ka pushuar kurrë.

Tutje, Kulla foli edhe për rolin që Trump mund ta marrë në dialogun Kosovë–Serbi, duke vlerësuar se administrata amerikane e ka marrë seriozisht këtë çështje.

“Sigurisht, vetë fakti se fjala Kosovë bëhet pjesë e fjalorit politik të Presidentit të SHBA-së gjatë një krize të paprecedentë si ajo me Iranin, do të thotë se dikush nga stafi i Presidentit Trump ka ndërmend ta vendosë Kosovën ndër prioritetet e këtij Presidenti dhe administratës,” – u shpreh Ilir Kulla për “Bota sot”.

Image
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Z. Kulla, si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë?

Ilir Kulla: Situata është e qëndrueshme, por e tensionuar në përgjithësi.

Gazeta “Bota sot”: Së fundi, përveç luftës Ukrainë–Rusi, ka shpërthyer edhe një konflikt tjetër Izrael–Iran, në të cilin është përfshirë edhe SHBA-ja. Si e komentoni këtë dhe çfarë ndikimesh gjeopolitike mund të kenë këto zhvillime në Ballkan?

Ilir Kulla: Konflikti Izrael–Iran nuk ka pushuar kurrë, veçse është transformuar. Në rastin konkret pamë një transformim të kërcënimit bërthamor dhe përfshirjen e një superfuqie bërthamore në këtë konflikt – SHBA-në.

Gazeta “Bota sot”: Krahas kësaj, presidenti amerikan Donald Trump ka qenë mjaft i zëshëm me deklarata për Kosovën dhe Serbinë, madje në njërën prej tyre tha se e ka ndalur shpërthimin e një lufte të madhe. Si e komentoni këtë deklaratë të Trump, a është sinjal se rreziku për një konflikt është prezent?

Ilir Kulla: Ballkani është në vijën e nxehtë të të dy konflikteve, në mesin e zjarrit, por mbetet i qëndrueshëm dhe me tension në rritje.

Gazeta “Bota sot”: Duke parë angazhimet e fundit të Trump, a vlerësoni se është personi i duhur për ta përmbyllur dialogun Kosovë–Serbi?

Ilir Kulla: Ka dyshimet e mia nëse Presidenti Trump e di saktësisht ku ndodhet Kosova – një vend i vogël dhe modest në glob – mendoj se i referohet marrëveshjes së vitit 2020 me Kryeministrin Hoti.

Gazeta “Bota sot”: Kosova vazhdon të jetë ende nën sanksione, ndërsa Serbia jo, pavarësisht provokimeve dhe kërcënimeve të saj. A është koha që ndërkombëtarët të reagojnë dhe të ndryshojnë qasjen ndaj shtetit serb?

Ilir Kulla: Sigurisht, vetë fakti që fjala Kosovë bëhet pjesë e fjalorit politik të Presidentit të SHBA-së gjatë një krize të paprecedentë si ajo me Iranin, do të thotë se dikush nga stafi i Presidentit Trump ka ndërmend ta vendosë Kosovën ndër prioritetet e këtij Presidenti dhe administratës. Shpresoj që klasa politike të jetë mjaftueshëm e pjekur për ta tejkaluar krizën e brendshme ku ka hyrë prej muajsh dhe më tej të vijojë me proceset e tjera. Koha nuk pret dhe nuk kthehet më.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat