Arkitekti i njohur Ilir Poroshtica, një emër me përvojë mbi dy dekada në ndërtim dhe urbanizëm, tashmë ka hyrë në garën për kryetar të Gjilanit, si kandidat i Partisë GUXO.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ndan arsyet personale dhe profesionale që e shtynë drejt kandidimit, vizionin për zhvillimin e qytetit, dhe përkushtimin ndaj një qeverisjeje transparente, pa ndikime politike.
“Karrierën time e kam ndërtuar me punë të ndershme, jo me favore. Nuk po hyj në politikë për interes personal, por për t’i kthyer Gjilanit dinjitetin. Kam integritet, përvojë dhe guxim për të marrë vendime të mëdha – sepse Gjilani nuk ka më kohë për eksperimente. Ka nevojë për punë të vërtetë. Thjesht, unë nuk kërkoj pushtet – kërkoj përgjegjësi,” ka deklaruar ai.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Çfarë ju shtyu të kandidoni për kryetar të Gjilanit?
Ilir Poroshtica: Si dikush që është rritur, formuar dhe zhvilluar në rrugët e Gjilanit, gjithmonë me qëllimin e vetëm për ta ndihmuar familjen, kam kaluar sfida të jetës që shumë nuk i përjetojnë as si të rritur — dhe kjo që nga mosha 8-vjeçare. Kam punuar në rrugë, ballë për ballë me realitetin e vështirë të jetës. Nuk ka qenë e lehtë, por më ka formuar si njeri. E ndjej si obligim dhe përgjegjësi ta kthej atë që më ka dhënë Gjilani.
Suksesi im është falë këtij qyteti — falë çdo qytetari, prej atij që ka blerë një pako cigare prej meje si fëmijë, e deri te ata që më kanë besuar me projekte me vlerë miliona euro. Këto 20 vite përvojë si arkitekt, kjo karrierë që kam ndërtuar, nuk do të ishin të mundura pa Gjilanin dhe njerëzit e tij. Prandaj, nëse duhet ta them shkurt pse po kandidoj: po kandidoj sepse e ndjej si borxh moral dhe si përgjegjësi të sinqertë t’i shërbej qytetit tim.
“Bota sot”: Cila është përvoja juaj profesionale dhe politike që ju përgatit për këtë rol?
Ilir Poroshtica: Roli i kryetarit është të udhëheqë — dhe unë këtë e kam dëshmuar për 20 vite si profesionist që ndërton, jo vetëm si arkitekt, por si dikush që ka bërë realitet shumë ëndrra. Sot, qëllimi im është të punoj për ndërtimin e Gjilanit. Jo një Gjilan të ëndrrave, sepse nuk jap premtime boshe, por një Gjilan real, të jetueshëm, të drejtë. Vij jashtë politikës tradicionale, pa lidhje apo borxhe ndaj askujt, vetëm me vullnet të pastër për të punuar për qytetin tim. Përvoja, profesionalizmi dhe pavarësia janë arsyet pse ndihem i gatshëm ta marr këtë përgjegjësi
“Bota sot”: Pse qytetarët e Gjilanit duhet t’ju besojnë juve për ta udhëhequr komunën?
Ilir Poroshtica: Sepse jam një prej tyre. Kam jetuar me sfidat, hallet dhe pritjet e njerëzve të këtij qyteti. E di si ndihet kur shteti nuk të sheh, kur premtimet nuk mbahen. Karrierën time e kam ndërtuar me punë të ndershme, jo me favore. Nuk po hyj në politikë për interes personal, por për t’i kthyer Gjilanit dinjitetin. Kam integritet, përvojë dhe guxim për të marrë vendime të mëdha – sepse Gjilani nuk ka më kohë për eksperimente. Ka nevojë për punë të vërtetë. Thjesht Unë nuk kërkoj pushtet – kërkoj përgjegjësi.
“Bota sot”: Cilat janë tri prioritetet tuaja të para nëse zgjidheni kryetar?
Ilir Poroshtica: - T’i japim fund kaosit urban – Riorganizimi urban dhe zhvillimi i infrastrukturës publike, me plane të qëndrueshme dhe të përfshira me qytetarët.
- Të hapim komunën për qytetarët – me transparencë dhe qasje të lehtë në çdo dokument.
- Partneriteti me diasporën dhe sektorin privat për tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik
“Bota sot”: Ju jeni arkitekt me profesion, si e shihni zhvillimin e infrastrukturës ndërtimore në Gjilan?
Ilir Poroshtica: Pa plan, pa vizion, pa standard. Gjilani është ndërtuar për t’i shërbyer interesave të vogla, jo nevojave të qytetarëve. Si arkitekt, e di si ndërtohet një qytet që respekton hapësirat publike, lëvizjen e lirë dhe jetën e shëndetshme. Do të mundohem te sjell standarde të reja në urbanizëm, do të prioritizoj transportin, gjelbërimin dhe banimin me dinjitet.
“Bota sot”: Si do të siguroheni që qeverisja juaj të jetë transparente dhe pa ndikime politike?
Ilir Poroshtica: Qeverisja ime do të jetë e hapur, transparente dhe pa ndikime politike. Çdo kontratë, tender dhe vendim do të publikohet online, në kohë reale. Do të përfshij qytetarët në vendimmarrje përmes bordeve këshilluese dhe do të raportoj rregullisht para tyre. Nuk kam klane pas vetes dhe as prapavijë politike që më kontrollon – dhe këtë e konsideroj forcën time më të madhe. Llogaridhënia do të jetë themel i punës sime.
“Bota sot”: Çfarë roli do t’i jepni mërgatës së Gjilanit në zhvillimin e qytetit?
Ilir Poroshtica: Me potencialin e jashtzakonshem qe e ka, mërgata është një nga pasuritë më të mëdha të Gjilanit – jo vetëm për kontributin financiar, por edhe për dijen dhe përvojën që sjellin. Do të krijoj një zyrë të posaçme për lidhje me mërgatën dhe mekanizma të qartë për përfshirjen e tyre në vendimmarrje, projekte publike dhe zhvillim ekonomik. Gjilani ka nevojë për ta – jo vetëm si mbështetës, por si partnerë në ndërtimin e së ardhmes.
“Bota sot”: A planifikoni ndonjë program konkret për tërheqjen e investimeve nga diaspora?
Ilir Poroshtica: Patjetër qe po, do të krijojmë një platformë të veçantë për investimet e diasporës, që përfshin: asistencë ligjore, lehtësime fiskale dhe mbështetje logjistike për projektet e tyre. Do të organizojmë forume të rregullta me mërgatën dhe do të kemi hartë investimesh konkrete, që mund të përkrahen me bashkëfinancim nga komuna.
“Bota sot”: Si do ta përkrahni barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje?
Ilir Poroshtica: Barazia gjinore nuk është vetëm drejtësi – është edhe zhvillim i qëndrueshëm. Që nga dita e parë, do të angazhohem për përfaqësim të balancuar gjinor në çdo nivel të qeverisjes komunale. Do të mbështes gratë me programe konkrete për fuqizim ekonomik, sidomos në sipërmarrje dhe bujqësi. Nuk ka zhvillim pa gra. Barazia gjinore do të jetë shtyllë e qeverisjes sime – në vendimmarrje, në ekonomi dhe në çdo program që ndërtojmë.
“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për situatën politike me të cilën po përballet aktualisht vendi?
Ilir Poroshtica: Vendi po kalon një krizë të thellë politike, me polarizim, mungesë dialogu dhe institucione që nuk funksionojnë si duhet. Kjo nuk është thjesht krizë politike – është bllokadë që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ne kemi nevojë për një kulturë të re politike, ku politika i shërben qytetarit dhe ku llogaridhënia vjen para interesave partiake. Konfliktet politike nuk duhet të jenë më arsye për të bllokuar zhvillimin dhe të ardhmen.
“Bota sot”: A mendoni se ekziston mundësia për zgjidhjen e bllokadës politike?
Ilir Poroshtica: Po, por vetëm nëse ndryshojmë qasjen. Nuk mund të presim zgjidhje nga ata që e krijuan krizën. Ne kemi nevojë për një gjeneratë me integritet, guxim dhe vullnet të vërtetë për dialog. Unë besoj se me presion qytetar, transparencë dhe bashkëpunim mbi ndasitë, mund të rikthejmë funksionalitetin dhe besimin në institucione.
Për ta përmbyllur këtu pa e përsëritur shume veten me ato që thashë më parë
Me të vërtetë e njoh këtë qytet në palcë — me të mirat dhe sfidat e tij. Karriera ime si arkitekt më ka mësuar si të ndërtoj gjëra që zgjasin, por jeta më ka mësuar si të ndërtoj besim. Sot nuk po kërkoj pushtet, po kërkoj përgjegjësi — që përvojën, ndershmërinë dhe energjinë time ta vë në shërbim të qytetit tim. E di që nuk ka formula magjike, por ka punë, përkushtim dhe transparencë dhe prandaj jam i gatshëm ta marr këtë përgjegjësi me seriozitetin që kërkon. Andaj ju faleminderit për mundësinë e dhënë për me i shprehe te gjitha këto, e shpresoj me mbërri këto fjalë në vesh të çdo qytetari që është i hapur t’i dëgjojë.