Kosova gjendet në një situatë kaotike, me një Kuvend të bllokuar dhe në pamundësi për të formuar qeverinë e re.
Të gjitha zhvillimet e muajve të fundit, janë ndërlidhur kryesisht me ngërrcin politik, e në një intervistë për “Bota sot” për të gjitha këto foli Artan Nimani nga NISMA Socialdemokrate.
Si fillim, ai ngërrcin aktual e cilësoi si të përkohshëm, e i cili vjen si pasjë e mungesës së arritjes së një konsensusi mes partive politik.
Krahas kësaj, Nimani foli edhe për pasojat që ia sjell vendit kjo bllokadë, derisa tha se kjo situatë prodhon ngecje në shërbime dhe rritje të zhgënjimit qytetar ndaj sistemit demokratik.
Ndër të tjera, ai foli edhe për takimet e zhvilluara mes Kurtit e Limajt, ku në këtë pikë fajësoi liderin e LVV-së.
“Qëndrimi i Nismës ka qenë i qartë dhe parimor: tejkalimi i krizës përmes marrëveshjes politike, jo përmes imponimeve. Z. Limaj ka zhvilluar disa takime me Kryeministrin Kurti, por për fat të keq, nuk ka pasur vullnet real nga ana tjetër për të pranuar as kompromis institucional, as zgjidhje afatshkurtër”.
Në fund, Nimani foli edhe mbi mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe ndikimin që do mund ta kishin ato.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë? A mendoni se vendi po kalon një krizë institucionale apo është thjesht një ngërç i përkohshëm?
Artan Nimani: Kosova po kalon një krizë të thellë institucionale, që nuk mund të relativizohet si një ngërç i përkohshëm. Bllokimi i konstituimit të Kuvendit, mungesa e funksionimit të plotë të institucioneve kushtetuese dhe paaftësia për të krijuar një konsensus bazik ndërmjet forcave politike dëshmojnë për një krizë që është politike, institucionale dhe sistemike njëkohësisht. Në këtë klimë, mosveprimi është bashkëfajësi.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë, sipas jush, pasojat më të mëdha për qytetarët nga mosfunksionimi i duhur i institucioneve shtetërore, përfshirë Kuvendin?
Artan Nimani: Qytetarët janë ata që e bartin barrën më të madhe të kësaj krize. Pa Kuvend funksional nuk ka ligje të reja, nuk ka kontroll parlamentar ndaj qeverisë, nuk ka llogaridhënie, nuk ka politika të reja sociale, e aq më pak reforma strukturore. Pasojat ndihen në secilën fushë – në shëndetësi, arsim, ekonomi dhe drejtësi. Bllokada politike prodhon ngecje në shërbime dhe rritje të zhgënjimit qytetar ndaj sistemit demokratik.
Gazeta “Bota sot”: Procesi i konstituimit të Kuvendit është bllokuar tash e sa muaj. Sipas jush, kush mban përgjegjësi për këtë situatë?
Artan Nimani: Përgjegjësia bie mbi shumicën parlamentare dhe në mënyrë të veçantë mbi partinë në pushtet, e cila ka shmangur çdo përpjekje për një marrëveshje politike funksionale. Qasja përjashtuese, mospërfillja ndaj partnerëve potencialë institucionalë dhe instrumentalizimi i institucioneve për interesa të ngushta politike, e kanë sjellë vendin në këtë pikë. Nisma Socialdemokrate ka qenë e vetmja që ka ofruar një zgjidhje konkrete dhe konstruktive për tejkalimin e krizës.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni se ka pasur tendenca për ta bllokuar qëllimisht procesin e konstituimit të Kuvendit për arsye politike? Nëse po, kujt i shkon përfitimi?
Artan Nimani: Po, është e qartë që bllokada nuk është rastësi por pjesë e një kalkulimi politik për të zgjatur jetën e një pushteti që nuk ka më bazë demokratike të qëndrueshme. Moskonstituimi i Kuvendit i shkon për shtat vetëm atyre që nuk duan kontroll institucional dhe që e shohin Kuvendin si pengesë, jo si bashkëpjesëmarrës në qeverisje. Kjo është politikë e qëllimshme e polarizimit dhe paralizës.
Gazeta “Bota sot”: Si duhet të veprojnë forcat politike që të tejkalohet ky ngërç dhe të mundësohet funksionimi i plotë i Kuvendit?
Artan Nimani: Duhet të mbizotërojë përgjegjësia shtetërore, jo kalkulimi elektoral. Partitë duhet të dalin nga logjika e përjashtimit dhe të hyjnë në një marrëveshje për funksionalizimin e Kuvendit dhe kthimin e jetës institucionale në normalitet. Nisma Socialdemokrate ka qenë e qartë që nga fillimi – ne nuk jemi për zgjedhje të jashtëzakonshme në kohë krizash, sepse ato thellojnë destabilitetin. Për këtë arsye kemi ofruar një zgjidhje konkrete: jemi të gatshëm të udhëheqim Kuvendin e Kosovës për të garantuar stabilitet institucional dhe rifunksionalizim të jetës parlamentare.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë qëndrimi ka mbajtur Nisma Socialdemokrate gjatë këtij procesi? Pse nuk dhanë rezultate takimet e Limajt me Kurtin, ku nuk u pajtuan?
Artan Nimani: Qëndrimi i Nismës ka qenë i qartë dhe parimor: tejkalimi i krizës përmes marrëveshjes politike, jo përmes imponimeve. Z. Limaj ka zhvilluar disa takime me Kryeministrin Kurti, por për fat të keq, nuk ka pasur vullnet real nga ana tjetër për të pranuar as kompromis institucional, as zgjidhje afatshkurtër. Oferta jonë për të marrë drejtimin e Kuvendit dhe për të kontribuar në rifunksionalizimin e institucioneve është refuzuar pa arsye të qarta, duke dëshmuar se për Qeverinë më me rëndësi është mbajtja e kontrollit sesa zhbllokimi i krizës.
Gazeta “Bota sot”: Në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet dhe shkohet drejt zgjedhjeve të reja, a do të ishte ky një dështim për të gjitha partitë politike apo një mundësi për rikonfigurim të skenës politike?
Artan Nimani: Nëse dështojmë si klasë politike të konstituojmë Kuvendin, atëherë është dështim kolektiv. Por çdo krizë sjell edhe mundësi. Zgjedhjet eventuale do të ishin një rikonfirmim i vlerësimeve qytetare dhe një mundësi që qytetarët të ndëshkojnë papërgjegjësinë dhe të mbështesin zërin e arsyes dhe të zgjidhjes. Nisma Socialdemokrate është e gatshme të hyjë në çdo garë politike me ofertë të qartë, me përgjegjësi shtetërore dhe me prioritet stabilitetin institucional të vendit.