Anëtari i Listës “Guxo”, Kujtim Hajdaj në një intervsitë për “Bota sot”, ka nxjerr në pah sfidën kryesore të Kosovës pas zgjedhjeve – bllokimin institucional për shkak të Listës Serbe dhe ndikimit të saj destruktiv.
Ai thekson vështirësinë e dialogut me Serbinë pa kërkim faljeje dhe pranimin e pavarësisë së Kosovës, duke kritikuar gjithashtu rolin e Gjykatës Kushtetuese në imponimin e zgjidhjeve politike.
Sipas tij, opsionet mbeten: ose kompromisi me Listën Serbe, ose zgjedhje të reja.
Në anën tjetër, ka folur mbi marrëdhëniet Kosovë-SHBA për të cilat ka thënë se mbeten të forta, me vizitat e fundit që shërbyen për të konsoliduar mbështetjen ndërkombëtare.
Intervsita e plotë:
“Bota sot”: Z.Hajdaj, cila është sfida më e madhe aktuale për shtetin e Kosovës pas zgjedhjeve të fundit?
Kujtim Hajdaj: Sigurisht, sfidë e madhe për shtetin tonë do të mbetet konstituimi përfundimtar i Kuvendit të Republikës së Kosovës e pastaj edhe me krijimin e Qeverisë së Re. Ballafaqimi kryesor do të jetë ai me Listën 'Srpska' për shkak se asnjë prej kandidatëve të saj nuk u votua për nënkryetar të kuvendit. Kjo duke e patur parasysh politikën destruktive që po e udhëheq kjo organizatë politike në Veri të Mitrovicës, duke qenë e mbetur si dorë e zgjatur e kriminelit Vuçiq të Serbisë.
“Bota sot”: Si e shihni lidhjen e zhvillimeve të fundit në Kosovë me vizitën e Presidentes dhe Kryeministrit në SHBA?
Kujtim Hajdaj: Unë mendoj se kjo ka qenë një arsye tjetër e vizitës së Presidentes dhe Kryeministrit në SHBA, për t'i njoftuar aleatët tanë se cili është realiteti politik rreth këtyre ngjarjeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Jo vetëm për Qeverinë Kurti, por edhe për çdo qeveri tjetër do të ishte vështirë të arrijnë çfarëdo marrëveshje me këtë listë serbe si parti më e madhe e minoritetit serb deri ajo nuk heq dorë nga prononcimet e vazhdueshme kundër pavarësisë së Kosovës, duke e quajtur shtetin si "Kosovo i Metohija" që nënkupton se Serbia s'ka hequr dorë nga qëllimet e saja ekspansioniste kundër territorit të Kosovës në Veri të Mitrovicës, apo edhe duke refuzuar të quajnë shtetin tonë, si Republika e Kosovës.
“Bota sot”: Përveç kësaj, cilat janë pengesat më të mëdha në procesin e dialogut me Serbinë?
Kujtim Hajdaj: Por jo vetëm kjo.., por duke e ditur se Serbia ende s'është angazhuar për gjetjen e mijëra të zhdukurve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, për dëmet e mëdha të luftës e edhe fakti se refuzojnë të kërkojnë falje për krimet dhe gjenocidin gjatë lufte në Kosovë, do t' ishte shumë vështirë të gjendet një marrëveshje politike me Serbinë, qe si rezultat përfundimtar do të kishte njohjen reciproke si shtete të pavarura në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Bota sot”: Në opinion shpesh flitet për izolim politik të Kosovës. A pajtoheni me këtë vlerësim?
Kujtim Hajdaj: Sipas mendimit tim, krijimi i situatave të djeshme dhe të sotshme politike në Kosovë, nuk kanë të bëjnë me "izolim" politik të Kosovës, por ka të bëjë para së gjithash me një presion të Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë për t'i çuar përpara bisedimet në mes të dy qeverive, me qëllim të arritjes së një paqeje të përhershme Kosovë-Serbi.
“Bota sot”: Çfarë roli ka Presidentja në raport me situatën e krijuar në dhe përreth Kuvendit të Kosovës?
Kujtim Hajdaj: Roli i Presidentes në raport me këtë situatë bllokuese politike që është krijuar në dhe përreth Kuvendit të Republikës së Kosovës. Por duke e ditur se po vije fundi i mandatit të Presidentes, është vështirë të thuhet se sa do të jetë ndikimi i saj real për zhbllokimin e kësaj situate absurde që po e dikton opozita e cila nuk po mund të pajtohet se radhazi për të dytën herë i humbi zgjedhjet në Kosovë.
“Bota sot”: A kanë qenë të mjaftueshme përpjekjet e Presidentes për ta zgjidhur këtë situatë?
Kujtim Hajdaj: Por fatkeqësisht, me gjithë intervenimet e Presidentes, sot po na del se është Gjykata Kushtetuese ajo që është mbi të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës, duke e shtyrë përpara një agjendë mjaft të çuditshme politike e cila nuk përkon me realitetin e shtetit tonë si i pavarur dhe sovran. Gjykata Kushtetuese nuk mund të përcaktojë drejtimin politik të Kosovës, përveç disa interpretimeve për të ndihmuar në këso rrethanash të ngjashme politike, që sipas mendimit tim, absolutisht shkojnë kundër vullnetit demokratik të popullit dhe shtetit tonë sovran. Në fund unë mendoj se deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u kanë mbetur dy zgjidhje të vetme: ose të votojnë për nënkryetarin e Listës 'Srpska' që në atë rast do të ishte kapitullim i shtetit pranë kësaj organizate politike që është e ngarkuar me shumë vepra kriminale dhe terroriste.., ose të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sipas disponimit politik që po shihet tek partitë politike dhe vet deputetët, Kosova me gjasë do të shkoj në zgjedhjet e jashtëzakonshme
“Bota sot”: Si i komentoni marrëdhëniet Kosovë-SHBA?
Kujtim Hajdaj: Marrëdhëniet diplomatike dhe shtetërore Kosovë-SHBA mbesin të pa lëkundura pavarësisht disa çështjeve politike të cilat ne shikim të parë mund të na duken se po "shkaktojne" ndonjë mosmarrëveshje në mes dy partnerëve të besueshëm, Kosovë-SHBA. Vet fakti se ne si popull dhe shtet kemi të bëjmë me një shtet fqinj - dje pushtues i tokave tona - me Serbinë, e cila edhe sot në një mënyrë apo tjetër, nuk ka hequr dorë nga realizimi i projektit të Serbisë së Madhe, do të na krijojë edhe me tutje situata tensionuese. Kjo çfarë sot po bënë regjimi kriminal i Vuçiqit të Serbisë, është një formë tjetër e luftës.., por tani përmes propagandës anti shqiptare, apo më mirë më thënë anti sovranitetit të Republikës së Kosovës.
“Bota sot”: Në çfarë mënyre mendoni se këto vizita dhe takime të larta e ndihmojnë Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë? A po arrijmë të fitojmë më shumë mbështetje nga aleatët tanë?
Kujtim Hajdaj: Vizitat e Presidentes dhe kryeministit në SHBA me rastin e mbajtjes së sesionit të OKB-ës në New York, kanë qenë të suksesshme qoftë në takim me Presidentin e SHBA Donald Trump, me burrë shtetas të vende që e kanë njohur apo ende se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe me senatorë të shumtë, dhe të gjitha këto takime miqësore dhe politike e kanë patë një qëllim: për t'i njoftuar miqtë dhe aleatët tanë se shteti i jonë qëndron fortë përkrahë tyre në të gjitha konfliktet ndërkombëtare, në veçanti me Ukrainën, por edhe për t'i siguruar ata se Kosova do të vazhdojë fuqishëm të ndërtoj demokracinë, duke përfshirë këtu angazhimin institucional në ruajtje të rendit, ligjit dhe luftimin e rrjeteve kriminale në Kosovë.