Muharrem Salihu, president i Confimprese Venezia dhe një nga figurat më të suksesshme të diasporës shqiptare në Itali, me origjinë nga Medvegja, prej tri dekadash ka ndërtuar jetën dhe karrierën e tij në Venezia. Tashmë ai garon në zgjedhjet rajonale të 23 nëntorit, në provincat Venezia dhe Treviso.
Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Salihu shpjegon se vendimi për të kandiduar lind nga nevoja që zëri i komuniteteve punëtore — përfshirë komunitetin shqiptar — të dëgjohet aty ku merren vendimet.
Ai përmend sfidat kryesore me të cilat përballet rajoni dhe shpalos prioritetet e tij: strehimin, punësimin, mbështetjen për familjet, shërbimet publike dhe mirëqenien sociale.
Salihu thekson se diaspora shqiptare ka kontribuar fuqishëm në ekonominë italiane, por ende nuk gëzon peshën politike që meriton.
“Tani është koha që diaspora të ngrejë zërin dhe të bëhet pjesë e vendimmarrjes,” deklaron ai, duke nënvizuar vizionin e tij për integrim të plotë, mundësi të barabarta dhe forcim të lidhjeve mes institucioneve italiane dhe komunitetit shqiptar.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Çfarë ju shtyu të kandidoni për zgjedhjet rajonale në Itali?
Muharrem Salihu: Prej 32 vitesh jetoj në Itali. Këtu kam ngritur jetën, familjen dhe biznesin tim. Jam mirënjohës për çdo mundësi që më ka dhënë ky vend, por kam bindjen se suksesi individual pa përfaqësim politik nuk mjafton më.
Shqiptarët dhe komunitetet e tjera kanë punuar fort, kanë krijuar vende pune dhe kanë fituar respektin e qytetarëve italianë, por zëri ynë ende nuk dëgjohet mjaftueshëm aty ku merren vendimet.
Pikërisht për këtë arsye vendosa të hyj në këtë garë: të përfaqësoj me ndershmëri, integritet dhe përgjegjësi, duke sjellë vlerat që na bashkojnë – dinjitetin, punën, familjen dhe solidaritetin.
“Bota sot”: Cilat janë prioritetet tuaja kryesore për rajonet Venezia dhe Treviso?
Muharrem Salihu: Programi ynë është i ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve, pa dallim origjine.
1.Strehimi – prioritet absolut.
Mbi 10,000 familje presin një shtëpi, ndërsa 7,800 banesa janë të braktisura. Propozojmë:
• Rikthimin e banesave të braktisura në qarkullim për qira të përballueshme;
• Rigjenerim urban dhe jo betonim të ri;
• Krijimin e Fondit Rajonal të Garancisë për të rinjtë, punëtorët dhe familjet që duan të blejnë ose të marrin me qira banesa dinjitoze.
2.Punësimi dhe zhvillimi ekonomik.
• Mbështetje për startup-et e të rinjve;
• Lehtësira për bizneset që punësojnë të rinj dhe gra;
• Përkrahje për bizneset e vogla, artizanatin dhe aktivitetet kulturore;
• Kushte të drejta dhe të sigurta pune në bujqësi dhe ndërtim.
3. Familjet dhe shërbimet publike.
• Lehtësira për nënat që punojnë;
• Bursa për fëmijët;
• Përmirësim të transportit publik;
• Shërbime dixhitale më të thjeshta dhe më të aksesueshme.
4.Mirëqenia sociale.
• Mbështetje psikologjike dhe sociale për këdo që kalon vështirësi;
• Administratë më afër qytetarëve, me sportele të qarta dhe eficente;
• Qytete të sigurta, të pastra dhe me më shumë hapësira të gjelbra.
“Bota sot”: Si planifikoni të përfaqësoni interesat e komunitetit shqiptar në Itali?
Muharrem Salihu: Shqiptarët kanë ndërtuar histori suksesi me punë dhe përkushtim.
Sot, është momenti që suksesi ekonomik të shndërrohet në përfaqësim politik real.
Unë do të angazhohem për:
• Mbështetje konkrete për familjet që kanë nevojë për strehim, punësim dhe arsimim;
• Kurse falas gjuhe dhe formim profesional për të lehtësuar integrimin në tregun e punës;
• Promovim të kulturës dhe traditës shqiptare e mesdhetare;
• Hapje të dyerve të institucioneve për pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve në vendimmarrje dhe projekte ndërkulturore.
“Bota sot”: Si e vlerësoni përfshirjen politike të diasporës shqiptare në Itali?
Muharrem Salihu: Diaspora shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonomi, kulturë dhe shoqëri.
Por kjo nuk reflektohet ende në fuqinë tonë politike.
Shumë bashkëatdhetarë kanë ngritur biznese, paguajnë taksa dhe kontribuojnë për komunitetin lokal, por pa përfaqësim politik nuk mund të ndikojmë në politikat publike që prekin jetën tonë.
Prandaj them me bindje: Tani është koha të ngremë zërin dhe të bëhemi pjesë e vendimmarrjes, në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.
“Bota sot”: A keni marrë mbështetje nga ndonjë parti italiane apo nga shoqatat shqiptare?
Muharrem Salihu: Po. Kandidimi im mbështetet nga UDC – Unione di Centro, një forcë politike që ka në qendër vlerat e familjes, punës dhe solidaritetit.
Gjithashtu kam marrë mbështetje morale e komunitare nga shumë shoqata shqiptare, nga përfaqësues të komuniteteve të tjera dhe nga aktorë politikë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Jam thellësisht mirënjohës për këtë besim.
“Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha që përballen emigrantët shqiptarë në Itali?
Muharrem Salihu: Sfida kryesore është integrimi i plotë në tregun e punës, sidomos për të rinjtë dhe gratë.
Po ashtu, shumë familje përballen me vështirësi në:
• strehim,
• burokraci të komplikuara,
• mungesë shërbimesh të aksesueshme.
Unë do të punoj që askush të mos mbetet i përjashtuar, duke garantuar:
• shërbime sociale të afërta me qytetarët;
• mbështetje për bizneset e vogla dhe artizanatin;
• kushte të sigurta pune në bujqësi dhe ndërtim;
• mundësi që fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën shqipe në shkollat publike.i n
“Bota sot”: Si mund të forcohen lidhjet mes institucioneve italiane dhe komunitetit shqiptar?
Muharrem Salihu: Shqiptarët kontribuojnë çdo vit me mbi 10 miliardë euro në ekonominë italiane.
Kanë hapur mbi 23 mijë ndërmarrje ndërtimi, duke mbushur boshllëqet e një ekonomie që po plaket.
Janë pagues taksash, sipërmarrës, profesionistë, studentë – janë pjesë e strukturës së këtij vendi.
Lidhjet forcohen përmes:
• dialogut të hapur institucional;
• projekteve të përbashkëta kulturore e edukative;
• përfshirjes së qytetarëve të çdo origjine në jetën publike;
• bashkëpunimit mes komunave, shkollave dhe shoqatave;
• promovimit të komunitetit arbëresh si aset i jashtëzakonshëm i kulturës sonë të përbashkët.
Ne jemi një urë midis dy kulturave, dhe kjo urë duhet forcuar, jo harruar.