Fehmije Kurejshi, themeluesja e shoqatës “Zgjatma Dorën”, tregon historinë e krijimit të organizatës dhe misionin që e udhëheq. Shoqata synon fuqizimin ekonomik dhe social të grave, veçanërisht atyre të papuna, përmes trajnimeve në zanate dhe punime artizanale.
Në intervistë, Fehmije ndan raste konkrete të grave që, falë aftësimeve të fituara, kanë arritur të krijojnë të ardhura për veten dhe familjet e tyre, duke transformuar jetën e tyre përmes punës dhe kreativitetit.
Megjithëse shoqata ka përballuar sfida financiare, vizioni i Fehmijes përfshin projekte të reja që zgjeron mundësitë e grave në zanate të ndryshme, si pirografia dhe ngjyrosja e tablove prej druri. Ajo beson se me më shumë mbështetje, mund të ndikojë pozitivisht në jetën e shumë grave në komunitet.
“Bota Sot”: Si lindi ideja për krijimin e shoqatës “Zgjatma Dorën”?
Fehmije Kurejshi: Ideja lindi nga vëzhgimi i përditshëm i realitetit social dhe nga bindja se solidariteti ndërmjet grave duhet të marrë formë konkrete. Ne donim të krijonim një mekanizëm të qëndrueshëm rreth rolit të gruas, aftësimit të grave nëpërmjet zanateve dhe punimeve të dorës.
“Bota Sot”: Çfarë ju motivoi personalisht të angazhoheni në këtë fushë humanitare?
Fehmije Kurejshi: Më motivoi ndjenja e përgjegjësisë ndaj komunitetit dhe ndaj grave, veçanërisht grave të papuna. Kur sheh se sa shumë njerëz përballen me sfida themelore, është e pamundur të rrish indiferent.
“Bota Sot”: A mund të ndani ndonjë histori frymëzuese nga njerëzit që keni ndihmuar?
Fehmije Kurejshi: Ka shumë raste frymëzuese, por një ndër më domethënëset është rasti i një gruaje vetëmbajtëse e cila, falë aftësimit në përgatitjen e punimeve nga sapuni, ka arritur të forcojë pozitën e saj ekonomike. Ajo sot prodhon punime artizanale dhe i shet ato, duke gjeneruar të ardhura për veten dhe familjen e saj.
“Bota Sot”: Cilat janë grupet kryesore që përfitojnë nga aktivitetet e shoqatës?
Fehmije Kurejshi: Përfitueset kryesore janë gratë, me theks të veçantë tek gratë e papuna.
“Bota Sot”: Çfarë lloj projektesh keni zhvilluar kohët e fundit?
Fehmije Kurejshi: Së fundi kemi realizuar trajnime, seminare dhe vizita grupore në qytete të ndryshme të Kosovës.
“Bota Sot”: Si financohet apo mbështetet shoqata në aktivitetet e saj?
Fehmije Kurejshi: Shoqata mbështetet nga mjetet vetanake dhe subvencionet. Për sa i përket hapësirës ku zhvillohen aktivitetet, kemi marrë ndihmë nga Komuna e Prizrenit.
“Bota Sot”: A bashkëpunoni me institucione lokale?
Fehmije Kurejshi: Po, bashkëpunimi ynë me qytetarët, komunën dhe Shoqatat e Grave është i vazhdueshëm.
“Bota Sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha që keni hasur?
Fehmije Kurejshi: Sfida kryesore mbetet mungesa e mbështetjes së mjaftueshme financiare nga autoritetet, qoftë lokale apo qendrore.
“Bota Sot”: Nëse do të kishit më shumë mbështetje, cilin projekt do të dëshironit ta realizonit menjëherë?
Fehmije Kurejshi: Me më shumë mbështetje financiare, do të nisnim projekte të reja për fuqizimin e grave në zanate të tjera, përveç punimeve nga sapuni, si Pirografia (punime me zjarr) dhe ngjyrosja e tablove prej druri.