Skena politike në Kosovë, është në një moment vendimtar.
Pasi disa muajsh bllokadë institucionale, vendi tani është drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.
E në lidhje me gjithë zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit, në një intervistë për “Bota sot” foli veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ramazan Bekteshi.
Në këtë intervistë, Bekteshi flet pa dorashka për përgjegjësinë e partive politike në krizën qeverisëse, rrezikun e përsëritjes së paralizës parlamentare, rolin e diasporës në zgjedhje, si dhe për ndikimin e faktorëve ndërkombëtarë në të ardhmen politike dhe institucionale të Kosovës.
Po ashtu, ai thekson nevojën urgjente për vetëdijësim politik, unitet kombëtar dhe vendosje të interesit shtetëror mbi inatet partiake, duke paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë vazhdimi i përçarjes politike, përcjell “Bota sot”.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni zgjedhjen e datës 28 dhjetor për zgjedhjet e jashtëzakonshme — a e shihni si vendim të duhur në kushtet aktuale politike?
Ramazan Bekteshi: Zgjedhjet e kësaj të diele janë të imponuara. Janë zgjedhje zori, të lindura nga inatet dhe papërgjegjësia e partive politike që, pa asnjë ndjenjë turpi, e lanë Republikën pa qeveri për dhjetë muaj. Ndërkohë, të zgjedhurit e popullit vazhdonin të merrnin rrogat, por për vendime nuk dëgjonin elektoratin që i zgjodhi, por bosët e partive. Kështu, shteti u mbajt peng nga politikanë kryeneç, interesxhinj dhe me horizont të shkurtër politik.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë do të thotë për stabilitetin institucional largimi i legjislaturës së tanishme dhe rikthimi në zgjedhje kaq shpejt pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025?
Ramazan Bekteshi: Largimi i kësaj legjislature është shpëtim për vendin. E keqja është pse nuk ndodhi më herët. Parlamenti u abuzua në mënyrë të paprecedentë dhe sot jemi shembull negativ për gjatësinë e mosfunksionimit të tij. Po ashtu, u pa një refuzim i madh ndaj partisë fituese — jo për hir të shtetit, por për interesa të ngushta partiake, gjë që e dëmtoi rëndë stabilitetin institucional.
Gazeta “Bota sot”: Nga analiza juaj: cilët janë skenarët më të mundshëm nëse asnjë parti nuk arrin shumicën — dhe çfarë do të nënkuptonte kjo për klimën politike në Kosovë?
Ramazan Bekteshi: Nëse rezultatet mbeten përafërsisht të njëjta si më 9 shkurt dhe nëse partitë humbëse mbajnë të njëjtin qëndrim bllokues, rrezikojmë përsëri një situatë paralize parlamentare. Shpresoj që partitë të kenë nxjerrë mësime nga gabimet dhe pasojat e tyre, që kjo të mos përsëritet sërish në emër të një inati absurd politik.
Gazeta “Bota sot”: Si i vlerësoni reagimet e partive opozitare dhe tensionet politike — a mendoni se zgjedhjet do ta zgjidhin bllokadën apo vetëm do ta thellojnë atë?
Ramazan Bekteshi: Partitë opozitare kanë qenë të vendosura të bashkëpunojnë mes vete, por ta refuzojnë fituesin me çdo kusht. Kjo është për keqardhje dhe rrezikon t’u kthehet në një disfatë edhe më të thellë. Nëse partitë vetëdijësohen dhe lënë anash interesat partiake për hir të shtetit, kriza nuk duhet të përsëritet. Por nëse zgjedhin sërish bllokadën, pasojat do të jenë të rënda dhe mund të pasojnë zhvillime të paparashikueshme për vendin.
Gazeta “Bota sot”: Si pritet të ndikojë vota e diasporës në këto zgjedhje, duke parë edhe numrin e madh të mërgimtarëve që kanë ardhur në Kosovë?
Ramazan Bekteshi: Vota e diasporës është jashtëzakonisht e rëndësishme për shtetin tonë. Ajo dëshmon lidhjen e fortë emocionale dhe qytetare të mërgatës me Kosovën, gatishmërinë për sakrificë dhe përfshirje aktive. Për disa, kjo përkthehet edhe në interes për investim apo kthim në atdhe. Ata që i frikësohen votës së diasporës kanë halle personale, jo shqetësim shtetëror.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e ndërkombëtarëve në proceset zgjedhore dhe politike në Kosovë? Çfarë prisni prej tyre?
Ramazan Bekteshi: Roli i ndërkombëtarëve në zgjedhjet e kaluara ka qenë kryesisht neutral dhe shpresojmë të mbetet i tillë. Por nëse pas zgjedhjeve ndodh sërish një bllokadë, ndërhyrja e tyre është e pashmangshme, dhe historikisht, këto ndërhyrje nuk kanë qenë gjithmonë në interesin maksimal të Kosovës. Prandaj, përgjegjësia bie mbi politikanët tanë që të mos e lejojnë vendin të futet në një situatë të tillë të padëshirueshme.
Gazeta “Bota sot”: A ka hapësirë që Kosova të ndërtojë një politikë të jashtme më proaktive dhe më të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë?
Ramazan Bekteshi: Hapësira ekziston gjithmonë, por sjellja e partive politike mes vete e bën këtë pothuajse të pamundur. Po të kishte unitet për çështje jetike, për veriun, asociacionin, veprimin e policisë së Kosovës në veri, masat e sigurisë, Kosova do të ishte shumë më e fortë përballë bashkësisë ndërkombëtare. Por kur ke një opozitë që kritikon veprimet policore si shtypëse, që i quan institucionet shtetërore imponuese, që relativizon sulmin terrorist në Banjskë, apo që barazon kryeministrin e Kosovës me Millosheviqin, kur ke një opozitë që kurrë s’e ka ngrite zërin kundër ndarjes, kur një opozitë mendon se bankat dhe posta e Kosovës në veri janë imponuese e me forcë, atëhere mesazhi ynë si shtet del i perçarë. Në mungesë të unitetit, ndërkombëtarët favorizojnë kompromiset e dëmshme. Po të kishte konsensus kombëtar për çështje jetike, asociacioni nuk do të ndodhte kurrë.