Flasin vajzat e Kolonel Tahir Zemaj: Asnjëherë nuk patëm mbështetje nga bashkëluftëtarët, miqtë apo njerëzit që i konsideronim të afërt

Intervista

Flasin vajzat e Kolonel Tahir Zemaj: Asnjëherë nuk patëm mbështetje nga bashkëluftëtarët, miqtë apo njerëzit që i konsideronim të afërt

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 4 janar 2026 Në ora: 08:02
Tahir Zemaj me dy vazjtat

Data 4 janar shënon përvjetorin e vrasjes së Kolonelit Tahir Zemaj. Më 4 janar 2003, koloneli Zemaj, djali i tij Enisi dhe kushëriri Hasan Zemaj u qëlluan për vdekje në një sulm me armë zjarri te hyrja e qytetit, një ngjarje që mbetet e pazbardhur dhe vrasësit nuk janë ndëshkuar deri më sot.

Në përvjetorin e 23-të të vrasjes së kolonelit, kanë folur në një intervistë për ‘Bota sot’, vajzat e tij, Fortuna dhe Florenta, të cilat ishin vetëm 3 vjeҫ kur mbetën pa babanë.

Ato kanë treguar për jetën pa babain e tyre, për Kosovën që babai tyre do e donte dhe nëse kanë pasur mbështetje nga njerëzit që koloneli Zemaj i konsideronte të afërt.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Si e keni përjetuar këtë ngjarje gjatë viteve?

4 janari është një datë që për familjen tonë nuk kalon kurrë pa dhimbje. Çdo vit rikthen kujtime të rënda dhe plagë që nuk mbyllen. Me kalimin e viteve, dhimbja nuk është zhdukur – ajo vetëm ka marrë një formë tjetër. Është një dhimbje e heshtur, por shumë e thellë, e shoqëruar me mall, mungesë dhe krenari për babain tim dhe sakrificën e tij.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni sot heshtjen e drejtësisë lidhur me këtë rast?

Sot, si e rritur, heshtja e drejtësisë më dhemb edhe më shumë. Fakti që vrasja e babait tim ende nuk është zbardhur është një padrejtësi e madhe. Kjo heshtje nuk është vetëm ndaj familjes sonë, por ndaj së vërtetës dhe historisë.

Gazeta “Bota sot”: A vazhdoni ende si familje të kërkoni drejtësi?

Po. Drejtësia nuk ka afat dhe as nuk harrohet. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, shpresa jonë nuk është shuar kurrë.

Gazeta “Bota sot”: Ju jeni rritur pa babain tuaj që nga mosha trevjeçare. A është ky Kosova që babai juaj kishte ëndërruar?

Babai im ëndërronte një Kosovë të lirë, të drejtë dhe të ndershme. Një vend ku sakrificat respektohen dhe krimet nuk mbulohen me heshtje. Fatkeqësisht, sot ende nuk e shohim plotësisht Kosovën që ai kishte ëndërruar.

Gazeta “Bota sot”: A keni ndjerë mbështetje nga bashkëluftëtarët, miqtë apo njerëzit e afërt?

Gjatë gjithë këtyre viteve nuk kemi ndjerë mbështetje nga bashkëluftëtarët, nga miqtë apo nga njerëzit që i konsideronim të afërt. Nuk pati asnjë thirrje, asnjë mesazh, asnjë pyetje të thjeshtë për të ditur si jemi apo si po e përballojmë barrën e kohës – vetëm heshtje e plotë. E vetmja mbështetje e vërtetë ka ardhur nga ana e familjes së nënës sime, dhe në veçanti nga daja im, Adem, i cili për ne ka qenë si një baba. Ai dhe nëna ime kanë qenë shtyllat tona, zëri i kurajos dhe krahu që nuk u lodh kurrë. Në mungesë të gjithçkaje tjetër, ata na dhanë forcë, dinjitet dhe arsye për të vazhduar përpara. Përveç kësaj mbështetjeje morale, ne nuk kemi marrë kurrë asnjë ndihmë nga askush tjetër, as në aspektin financiar – asnjëherë. Asnjë dorë e zgjatur, asnjë interesim i sinqertë. Askush nuk u përpoq të dinte se çfarë kishte kaluar familja jonë, çfarë humbjesh kishte pësuar. Ne u lame në harresë, sikur historia jonë të mos kishte ekzistuar kurrë. Asnjë pronë, asnjë pasuri, asnjë ndihmë financiare nuk na është dhënë kurrë dhe edhe sot pensionin e babait nuk e marrim, një e drejtë minimale që do të duhej të ishte e garantuar, por që për ne ka mbetur vetëm një mungesë tjetër. Kjo është një dhimbje e heshtur që e kemi mbajtur me vete ndër vite – jo vetëm varfëri materiale, por edhe një padrejtësi e thellë, që dhemb më shumë se çdo mungesë tjetër. Ndonjëherë mungesa e mbështetjes flet më fort se çdo fjalë, dhe kjo heshtje, për fat të keq, ka qenë shoqëruesja jonë ndër vite.

Gazeta “Bota sot”: A mendoni se do ta vazhdoni rrugën dhe idealet që babai juaj la pas?

Unë besoj se idealet e prindërve jetojnë te fëmijët e tyre. Sot, unë, Fortuna, jam tashmë e angazhuar në jetën profesionale, ndërsa motra ime Florenta është duke përfunduar studimet bachelor. Ne përpiqemi çdo ditë të jetojmë me ndershmëri, përgjegjësi dhe dinjitet – vlera që babai ynë i përfaqësonte.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë duhet të mësojë rinia e sotme nga jeta dhe sakrifica e babait tuaj?

Rinia duhet të kuptojë se liria nuk është e dhënë, por është fituar me sakrifica të mëdha. Duhet të mësojë të mos heshtë përballë padrejtësisë, të mbrojë të vërtetën dhe të ketë guxim. Historia dhe sakrifica e babait tim janë një thirrje që e vërteta të mos harrohet dhe që e ardhmja të ndërtohet mbi drejtësi dhe dinjitet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat