Irani po përballet me protestat më të mëdha kundër regjimit klerikal në vitet e fundit, me autoritetet që po shtypin me brutalitet pakënaqësitë në rritje.
Protestat mbarëkombëtare që u nisën nga tregtarët në pazare – që janë qendra kyç të tregtisë në Iran – të kujtojnë ngjarjet që i paraprinë Revolucionit Islamik më 1979.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Jack Goldstone, profesor i politikave publike në Universitetin George Mason, i cili njëherësh është një nga studiuesit kryesor të revolucioneve dhe ndryshimeve shoqërore, lidhur me atë nëse ngjarjet e fundit në Iran mund të çojnë në fundin e Republikës Islamike.
Radio Evropa e Lirë: A ju duhen protestave një udhëheqës në mënyrë të ketë një revolucion?
Jack Goldstone: Në këtë pikë, hapi i ardhshëm është që protestat të vazhdojnë të rriten dhe njerëzit të shohin nëse regjimi mund të mbledhë mjaft forca shtypëse për t’i zmbrapsur demonstratat. Askush nuk e di në këtë moment. Është shumë si në Egjipt në janar të vitit 2010, kur njerëzit u mblodhën në Sheshin Tahrir. Askush nuk e dinte me siguri nëse ushtria do të mbështeste popullin apo regjimin. Në të vërtetë, nuk e dinim deri sa gjërat veçse kishin filluar të ndodhnin.
Pra, mendoj se e njëjta gjë është e vërtetë tani [në Iran]. Ka një shpresë të madhe për ndryshim. Por, deri sa të dimë nëse Garda Revolucionare vazhdon të mbështesë regjimin me gjithë forcën e saj apo jo, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë: A të të luajnë rol politikat e SHBA-së apo ndonjë shteti tjetër në atë se çfarë ndodh në Iran?
Jack Goldstone: Nuk mendoj se mund të luajë ndonjë rol. Në këtë pikë, kjo është mes popullit të Iranit, udhëheqjes dhe ushtrisë. Amerika do të vëzhgojë, Evropa do të vëzhgojë. Ata do të thonë se mbështesin ndryshimin. Por, tani gjërat do të ndodhin gjatë 48 deri në 96 orëve të ardhshme që do të tregojnë nëse ushtria mbetet e bashkuar në mbrojtje të regjimit klerikal apo nëse ushtria fillon të ndahet në pjesë të ndryshme. Disa prej tyre do të tërhiqen, disa do të mbështesin ndryshimin. Do ta kuptojmë, mendoj, në dy ditët e ardhshme, ndoshta dy deri në tre ditë, nëse ushtria do të veprojë me të njëjtën forcë si më parë.
Në 2022 [gjatë protestave Grua, Jetë, Liri], ushtria vrau qindra njerëz, arrestoi shumë, mijëra. Ata do të duhej të bënin të njëjtën gjë tani, ndoshta edhe më shumë. Pra, do të duhet të shohim nëse janë gati për këtë gjë apo jo. Sa i përket Khameneit, ai po fajëson ndikimin e huaj. Ai po përpiqet të paraqesë protestuesit si armiqtë e kombit. Por, nuk mendoj se ka asgjë që mund të thotë ai që do të ndryshojë momentumin. Dhe, nëse nuk përballen me një reagim shumë të fortë, shtypës, mendoj se protestat do të vazhdojnë të rriten.