Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes në Davos përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në angazhimin e saj ndërkombëtar dhe ka tërhequr vëmendje të gjerë në opinionin publik.
Kjo përfshirje është interpretuar në kontekste të ndryshme politike dhe diplomatike, duke nxitur nevojën për një sqarim më të thelluar mbi domethënien e saj në raport me politikën e jashtme të Kosovës dhe rolin e aleatëve strategjikë.
Në këtë kuadër, Gazeta “Bota sot” ka zhvilluar një intervistë me Prof. Dr. Sylë Ukshini, i cili thekson se përfshirja e Kosovës në këtë nismë duhet kuptuar si pjesë e një qasjeje strategjike dhe afatgjatë të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, e jo si sukses i një akti apo figure të veçantë politike.
Ai sqaron gjithashtu se kjo pjesëmarrje nuk përbën certifikim moral apo demokratik, por një mundësi politike dhe diplomatike për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke vënë theks të veçantë edhe në aspektet kushtetuese dhe juridike të përfaqësimit të shtetit në forume ndërkombëtare.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si duhet kuptuar mënyra e ftesës së Kosovës për pjesëmarrje në Bordin e Paqes në Davos dhe a përbën kjo një certifikim moral apo demokratik për shtetin?
Prof. Dr. Sylë Ukshini: Mënyra konkrete përmes së cilës Kosova është ftuar të marrë pjesë në Bordin e Paqes në Davos nuk është bërë publike. Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ftesa të tilla zakonisht realizohen përmes kanaleve diplomatike joformale, lobimit politik dhe komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet zyrave presidenciale dhe aktorëve kyç ndërkombëtarë. Ato janë, në rregull, të personalizuara dhe nuk përbëjnë domosdoshmërish reflektim të meritave të brendshme apo të jashtme të një shteti. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se në të njëjtin forum janë përfshirë figura autoritare dhe jodemokratike, si Vladimir Putin apo Alyaksandr Lukashenko. Për rrjedhojë, përfshirja e Kosovës në këtë mekanizëm duhet kuptuar si një mundësi politike dhe diplomatike, e jo si një certifikim moral apo demokratik.
Gazeta “Bota sot”: Si duhet interpretuar përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes në raport me vazhdimësinë e politikës amerikane ndaj Kosovës dhe shmangien e interpretimeve të ngushta politike apo personale?
Prof. Dr. Sylë Ukshini: Përfshirja e Kosovës në Bordin e Paqes, të iniciuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, nuk duhet dhe nuk mund të interpretohet si sukses i një figure apo subjekti të caktuar politik. Ajo përfaqëson, para së gjithash, vazhdimësinë e një qëndrimi konsistent dhe afatgjatë të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës. Ky qëndrim shtrihet nga rezolutat e Senatit dhe Kongresit Amerikan në vitet ’80, përmes të ashtuquajturave Christmas Ëarnings (1992), hapjes së Zyrës Amerikane në Prishtinë (1996), ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në vitin 1999, trajtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si forcë çlirimtare, vendimit të presidentit George Ë. Bush për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur vendet kryesore të BE-së filluan të lëkunden, e deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Ëashingtonit në vitin 2020, e qëndrimi parimor i Uashingtonit ndaj agresionit ushtarak të Serbisë kundër Kosovës në fshatin Banjskë.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë tregon përfshirja e Kosovës në këtë nismë për vazhdimësinë e politikës amerikane ndaj Kosovës dhe si duhen parë interpretimet që e personalizojnë këtë proces?
Prof. Dr. Sylë Ukshini: Në këtë kuptim, vendimi amerikan për përfshirjen e Kosovës në iniciativa të tilla është strategjik dhe afatgjatë dhe nuk lidhet me asnjë emër të përveçëm apo cikël të brendshëm politik. Çdo interpretim që e redukton këtë proces në merita individuale ose kalkulime ditore politike reflekton një qasje provincialiste dhe mungesë të kulturës shtetërore. Për më tepër, paradoksalisht, një pjesë e atyre që sot tentojnë ta personalizojnë këtë proces, në të kaluarën kanë qenë ndër kritikët më të zëshëm të Marrëveshjes së Uashingtonit. Kujtesa historike e këtij vendi mbetet një faktor që nuk mund të injorohet.
Gazeta “Bota sot”: Pse pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm politik dhe strategjik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Prof. Dr. Sylë Ukshini: Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes konsiderohet një vlerësim i rëndësishëm politik dhe diplomatik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo për shkak të simbolikës së momentit, por për shkak të mesazhit strategjik që ajo përcjell për rolin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Kjo përfshirje kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës dhe në konsolidimin e saj si aktore që nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si kontribuuese aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e saj në nivel global.
Së pari, Kosova ka interes të qartë strategjik të jetë e pranishme në çdo nismë multilaterale. Që nga fillimi i procesit të shtetndërtimit, njohjet ndërkombëtare dhe forcimi i subjektivitetit shtetëror të Kosovës kanë ndjekur pikërisht këtë rrugë: përfshirjen në mekanizma dhe forume ndërkombëtare, qoftë edhe në forma të ndërmjetme apo joformale. Në këtë kuptim, pjesëmarrja në Bordin e Paqes përfaqëson vazhdimësi të një strategjie të provuar të integrimit ndërkombëtar.
Së dyti, kjo përfshirje merr rëndësi të veçantë në një kontekst ku, gjatë viteve të fundit, procesi i njohjeve të reja të Kosovës ka shënuar stagnim dhe rënie. Nisma të tilla multilaterale mund të hapin hapësira të reja diplomatike, të krijojnë kontakte politike dhe të kontribuojnë në rikthimin e Kosovës në agjendën ndërkombëtare, duke ndikuar indirekt edhe në procesin e njohjeve.
Mbi të gjitha, përfshirja e Kosovës në këtë nismë konfirmon se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten faktori vendimtar për përfshirjen e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe për fuqizimin e identitetit të saj shtetëror. Kjo dëshmon një vijimësi strategjike të politikës amerikane ndaj Kosovës, përtej cikleve të brendshme politike dhe ndryshimeve administrative në Uashington.
Gazeta “Bota sot”: Pse Kosova u përfaqësua në këtë proces nga Presidentja Vjosa Osmani dhe jo nga Kryeministri, dhe çfarë vlere juridike ka nënshkrimi i saj?
Prof. Dr. Sylë Ukshini: Presidentja e Republikës së Kosovës, në bazë të kompetencave kushtetuese, ka të drejtë të përfaqësojë shtetin në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të nënshkruajë akte në nivel ndërkombëtar. Megjithatë, nënshkrimi presidencial nuk është i barasvlershëm me vlefshmëri juridike dhe nuk krijon, në vetvete, obligime ndërkombëtare për shtetin.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, marrëveshjet që kanë të bëjnë me paqen, sigurinë, çështjet politike ose anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare bëhen juridikisht të detyrueshme vetëm pas ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës me shumicë të cilësuar prej dy të tretash (2/3). Në të njëjtën linjë, Ligji për Marrëveshjet Ndërkombëtare përcakton qartë se nisma për lidhjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare duhet të miratohet paraprakisht nga Qeveria, përpara se Presidentja të autorizojë ose të ndërmarrë aktin e nënshkrimit.
Rrjedhimisht, Presidentja mund të nënshkruajë një akt përfaqësimi politik ose deklarativ, por pa vendim të Qeverisë dhe pa ratifikim nga Kuvendi, ky nënshkrim nuk prodhon obligime juridike për shtetin e Kosovës. Kjo nuk është çështje e interpretimit politik, por pasojë e drejtpërdrejtë e ndarjes kushtetuese të pushteteve:
• Presidentja përfaqëson shtetin,
• Qeveria nismon dhe negocion marrëveshjet,
• Kuvendi vendos dhe e obligon shtetin juridikisht.
Shteti nuk ndërtohet mbi simbolikë të njëanshme apo akte individuale, por mbi procedurë kushtetuese, legjitimitet demokratik dhe përgjegjësi institucionale.