Në një moment kur Mali i Zi po kalon sfida të rëndësishme politike dhe gjeopolitike, ndërsa rajoni përballet me ndikime të shumta të brendshme dhe të jashtme, deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, flet për gazetën “Bota sot” gjerësisht për gjendjen aktuale politike në vend, raportet brenda shumicës parlamentare, presionet nga forcat proserbe, si dhe për përparimet dhe sfidat që lidhen me të drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Në këtë intervistë, Camaj ndalet edhe te zhvillimi ekonomik i zonave me shumicë shqiptare, përdorimi i gjuhës shqipe, arsimi, si dhe iniciativat institucionale që synojnë ruajtjen dhe avancimin e identitetit kombëtar.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet zhvillimeve gjeopolitike në rajon, ndikimit të aktorëve të jashtëm në politikën e brendshme të Malit të Zi dhe orientimit të pakthyeshëm euroatlantik të shtetit.
Po ashtu, Camaj shpreh qëndrimet e tij për situatën politike në Kosovë, dialogun Kosovë–Serbi dhe ndikimin serbo-rus në Ballkan, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare dhe të bashkëpunimit rajonal për stabilitetin dhe integrimin evropian.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Mal të Zi?
Nikollë Camaj: Gjendja aktuale politike në Mal të Zi është komplekse. Pas ndryshimeve të pushtetit në vitin 2020, vendi ka kaluar nëpër një periudhë sfidash të shumta, por njëkohësisht janë shënuar përmirësime të dukshme. Në këtë shumicë parlamentare, pakicat kombëtare nuk janë më vetëm dekor, siç ka ndodhur në të kaluarën, por pjesëmarrëse aktive në vendimmarrje.
Megjithatë, duhet theksuar se Qeveria dhe shumica parlamentare përballen me presione nga disa nga forcat politike proserbe, të cilat kushtëzojnë mbështetjen e tyre me çështje që prekin identitetin shtetëror, si gjuha zyrtare, simbolet kombëtare, dyshtetësia dhe tema të tjera të ndjeshme, të cilat nuk ishin pjesë e marrëveshjes për të bërë shumicën. Por, kur bëhet fjalë për gjuhën dhe dyshtetësinë, natyrisht se edhe ne kemi pritjet tona legjitime, e jam më se i bindur se do të realizohen pas anëtarësimit në BE.
Gazeta “Bota sot”: Cili është pozicioni i shqiptarëve në Mal të Zi, në aspektin politik, ekonomik dhe të të drejtave kombëtare?
Nikollë Camaj: Siç e përmenda, pozita e shqiptarëve në Mal të Zi ka shënuar përmirësime të dukshme, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Sot shqiptarët janë më të përfaqësuar në institucionet shtetërore sesa më parë. Megjithatë, ende ka hapësirë për avancim të mëtejshëm. Është e rëndësishme që të punojmë vazhdimisht për rritjen e nivelit të përfaqësimit dhe për forcimin e ndikimit tonë në proceset vendimmarrëse.
Gazeta “Bota sot”: A ka përparim konkret në zbatimin e të drejtave të shqiptarëve, veçanërisht në arsim, përdorimin e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e zonave me shumicë shqiptare?
Nikollë Camaj: Po, ka përparime konkrete, sidomos në zhvillimin e zonave me shumicë shqiptare, si prsh. Ulqini, Malësia, Gucia... Vitet e fundit janë realizuar investime të rëndësishme në arsim, infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik lokal. Megjithatë, zbatimi i plotë i të drejtave kombëtare kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe konsolidim të arritjeve.
Është detyra jonë, si përfaqësues të shqiptarëve në Kuvend dhe në Qeveri, të sigurojmë vazhdimësinë e këtij procesi. Fakti që kjo shumicë parlamentare ka paralajmëruar mbështetjen për themelimin e Institutit Albanologjik, si dhe për iniciativa të tjera që vijnë nga përfaqësuesit shqiptarë, tregon një qasje dukshëm më ndryshe, prej atyre më parë, ndaj çështjeve tona.
Gazeta “Bota sot”: Si i shihni zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm në politikën e brendshme të Malit të Zi?
Nikollë Camaj: Zhvillimet gjeopolitike kanë ndikim të madh në Malin e Zi. Si vend anëtar i NATO-s, Mali i Zi, bashkë me komunitetin shqiptar, duhet të vazhdojë të mbështesë fuqishëm politikën euroatlantike dhe proceset që forcojnë stabilitetin rajonal.
Ekzistojnë tentativa për ndikim nga aktorë të jashtëm, veçanërisht nga Beogradi, por faktet flasin qartë: me këtë shumicë parlamentare është dërguar ambasadori i Malit të Zi në Kosovë dhe janë dërguar ushtarë në Ukrainë në kuadër të NATO-s. Këto veprime dëshmojnë se ndikimi i jashtëm destabilizues nuk është dominues.
Gazeta “Bota sot”: A është orientimi euroatlantik i Malit të Zi i pakthyeshëm?
Nikollë Camaj: Besoj se orientimi euroatlantik i Malit të Zi mund të konsiderohet i pakthyeshëm. Edhe pse disa struktura politike nuk janë plotësisht pro-NATO, vendi e ka bërë zgjedhjen e tij strategjike. Integrimet euroatlantike tashmë janë pjesë e identitetit politik dhe strategjik të shtetit, dhe mendoj se edhe aktorët skeptikë e kanë kuptuar këtë realitet.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën politike në Kosovë?
Nikollë Camaj: Situata politike në Kosovë është dinamike dhe me zhvillime interesante. Shpresoj që Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të fuqizojë më tej marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në dhe shtetet kyçe të Bashkimit Evropian, duke konsoliduar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë kontekst, dua të theksoj edhe kontributin e vazhdueshëm të Presidentes së Kosovës në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.Gjithashtu, shpresoj që edhe raportet e brendshme politike të zhvillohen në këtë frymë.
Personalisht, njoh shumë nga drejtuesit politikë dhe kam respekt për shumicën prej tyre, pavarësisht nëse janë në pushtet apo në opozitë. E kaluara e Kosovës dhe sakrificat e mëdha të atyre që kontribuan për lirinë e saj duhet të vlerësohen, pavarësisht gabimeve eventuale.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë mendoni për dialogun Kosovë–Serbi dhe për ndikimin serb/rus?
Nikollë Camaj: Jam optimist se dialogu Kosovë–Serbi mund të çojë drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Kosovën, veçanërisht falë mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë. Megjithatë, është e qartë se politika serbe dhe ndikimi rus mbeten faktorë sfidues, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi. Pavarësisht kësaj, jam i bindur se këto ndikime nuk do të mund ta ndalin vendosmërinë e institucioneve dhe qytetarëve të rajonit për të ndjekur rrugën euroatlantike.