Nehat Hyseni sfidon narrativen serbe, zbulon manipulimet për Preshevën

Intervista

Nehat Hyseni sfidon narrativen serbe, zbulon manipulimet për Preshevën

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 1 shkurt 2026 Në ora: 20:23
Nehat Hyseni

Libri “Polemikë shqiptaro-serbe (me ish-fqinjët)” i autorit Nehat Hyseni është një ndërhyrje e guximshme intelektuale në një debat që për dekada është deformuar nga narrativa zyrtare serbe mbi Luginën e Preshevës. I ndërtuar mbi dokumente arkivore autentike dhe polemika të drejtpërdrejta me autorë serbë, ky libër nuk synon vetëm rikthimin e kujtesës historike, por ballafaqimin e saj me të tashmen.

Në intervistën për “Bota sot”, Hyseni shpjegon arsyet e botimit të librit pikërisht tani dhe trajton format moderne të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë politikat e turqizimit administrativ, manipulimin historiografik dhe kolonizimin. Ai veçon rëndësinë e Rezolutës Amerikane H.R. 6411, e cila për herë të parë trajton Luginën si çështje të të drejtave të njeriut dhe kërkon raportim zyrtar nga Departamenti i Shtetit.

Sipas Hysenit, kjo rezolutë përbën një mekanizëm kyç presioni ndaj Serbisë për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në administratë, arsimin dhe shërbimet shtetërore. Libri dhe angazhimi ndërkombëtar nuk janë thjesht akte simbolike, por instrumente reale për mbrojtjen e komunitetit dhe sigurimin e drejtësisë. 

Image
Libri “Polemikë shqiptaro-serbe (me ish-fqinjët)” i autorit Nehat Hyseni

Intervista e plotë:

"Bota sot": Z. Hyseni, ju keni promovuar librin tuaj të fundit “Polemikë shqiptaro-serbe (me ish-fqinjët)”. Çfarë ju shtyu ta shkruani këtë libër dhe pe pikërisht tani?

Nehat Hyseni: Ky libër është produkt i një polemike të gjatë dhe intensive të zhvilluar gjatë viteve 2009–2010 në portalet presheva.com dhe forumb92.com, me ish-fqinjët e mi serbë, Tomislav (Toma) dhe Svetislav Petroviq (Tisa), autorë të katër librave në gjuhën serbe për Preshevën. Asokohe, kjo polemikë pati jehonë të jashtëzakonshme publike dhe u zhvillua në gjuhën serbe. Pas 16 vitesh vendosa ta përkthej dhe ta botoj në formë libri, sepse brezi i ri shqiptar në Luginë gjithnjë e më pak e zotëron gjuhën serbe, ndërkohë që përballja me narrativat historike të shtrembëruara është domosdoshmëri kulturore dhe politike Botimi i këtij libri tani është akt përgjegjësie historike. Në një kohë kur diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve po thellohet dhe kur po tentohet relativizimi i së kaluarës, heshtja do të ishte bashkëfajësi. Prandaj libri botohet në shqip dhe serbisht, ndërsa Konkluzioni është përkthyer edhe në anglisht – si mesazh i drejtpërdrejtë për opinionin ndërkombëtar. Ky nuk është thjesht një libër polemik. Është dokumentim i një përballjeje intelektuale me narrativën zyrtare serbe për Preshevën.

"Bota sot": Çfarë kuptimi ka për ju titulli “Polemikë shqiptaro-serbe (me ish-fqinjët)”?

Nehat Hyseni: Titulli reflekton natyrën reale të përballjes: Një debat i drejtpërdrejtë me autorë konkretë, por në thelb një përballje me një paradigmë historiografike.

Autorët serbë e paraqesin Preshevën si hapësirë primarisht serbe, ku shqiptarët paraqiten si element dytësor, ndërsa shpesh edhe si “turq”. Kjo nuk është thjesht çështje terminologjie; është strategji politike e njohur historikisht, e përdorur për të delegjitimuar autoktoninë shqiptare dhe për ta përgatitur terrenin për shpërngulje.

Prandaj “polemika” nuk është personale – është përballje konceptuale mbi të drejtën historike dhe identitare.

"Bota sot": Çfarë ju nxiti konkretisht të reagoni?

Nehat Hyseni: Shkaku i drejtpërdrejtë ishte pretendimi se familja ime, Gollomehët, dhe familje të tjera qytetare të Preshevës qenkan “familje turke”.

 Kjo tezë është e pavërtetë dhe përfaqëson një vijimësi të politikës shtetërore serbe për turqizimin administrativ të shqiptarëve, me qëllim krijimin e bazës për shpërnguljen e tyre drejt Turqisë.

 Në janar 1953, në Split, u arrit e ashtuquajtura “Marrëveshje xhentëllmenësh” midis Adnan Menderes dhe Josip Broz Titos për shpërnguljen e rreth 250.000 shqiptarëve dhe turqve. Edhe pse nuk u nënshkrua formalisht, ajo u zbatua praktikisht përmes presionit administrativ dhe policor.

Regjistrimi i vitit 1953 është dëshmi tronditëse: numri i “turqve” në nivel jugosllav u rrit 16 herë (1600%), ndërsa në Kosovë 26 herë (2600%). Ky ishte rezultat i presionit të organizuar nga aparati shtetëror dhe UDB-ja.

Libri im e dokumenton këtë me burime autentike arkivore serbe.

Image
Nehat Hyseni

 "Bota sot": Cilat janë temat kryesore të librit?

Nehat Hyseni: Temat bosht janë:

 • Autoktonia mijëravjeçare e shqiptarëve në Luginën e Preshevës;

 • Politikat shtetërore të turqizimit administrativ;

 • Kolonizimi serb dhe bashkëpunimi i elementeve të caktuara në uzurpimin e pronave shqiptare;

 • Manipulimi historiografik për të ndryshuar identitetin e Preshevës.

Libri demonstron se narrativa që shqiptarët janë “ardhacakë” është konstrukt politik, jo fakt historik. 

"Bota sot": A është libri më shumë historik, politik apo shoqëror?

Nehat Hyseni: Është ndërthurje e të trejave, por me bazë të fortë historike dhe dokumentare.

Historia për shqiptarët e Luginës nuk është kapitull i mbyllur; ajo po përsëritet përmes formave të reja të diskriminimit:

• fshirja masive e adresave nga regjistrat civilë,

• mosnjohja e diplomave nga Kosova,

• përjashtimi sistematik nga institucionet shtetërore,

• presioni ekonomik dhe administrativ.

Këto janë forma moderne të spastrimit administrativ.

"Bota sot": Pse theksoni periudhën socialiste?

Nehat Hyseni: Sepse ajo periudhë demaskon hipokrizinë e sloganit “vëllazërim-bashkim”. Ndërkohë që proklamohej barazia, shqiptarët përjetonin represion, akuza kolektive dhe presion për shpërngulje – ngjashëm me çamët në Greqi.

Ky kontrast midis diskursit dhe praktikës është thelbësor për ta kuptuar vazhdimësinë e politikës diskriminuese.

"Bota sot": Çfarë burimesh përdorni?

Nehat Hyseni: Libri mbështetet në dokumente autentike të Entit Federativ dhe Republikan të Statistikës në Beograd, të konsultuara gjatë angazhimit tim studimor në vitin 2005, kur isha koordinator i projekteve të USAID për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (2001–2009).

Pra, argumentimi nuk është emocional, por i mbështetur në fakte zyrtare serbe.

"Bota sot": Çfarë roli ka Kongresi Amerikan?

Nehat Hyseni: Roli i Kongresit Amerikan është jetik. Rezoluta H.R. 6411 përfaqëson ndërhyrjen më serioze institucionale ndërkombëtare në mbrojtje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ajo e emërton qartë diskriminimin dhe kërkon raportim zyrtar nga Departamenti i Shtetit.

Për herë të parë, çështja e Luginës trajtohet si çështje e të drejtave të njeriut në një forum të lartë amerikan. Kjo është historike.

"Bota sot": Si do të ndikojë miratimi i saj?

Nehat Hyseni: Miratimi i plotë do të ishte paralajmërim serioz për Serbinë se diskriminimi sistematik nuk është çështje e brendshme, por çështje e marrëdhënieve me SHBA-të.

Ai do të vendoste kosto politike për:

• fshirjen e adresave,

• mosnjohjen e diplomave,

• diskriminimin në punësim,

• presionin e rekrutimit ushtarak ndaj një komuniteti të margjinalizuar.

 "Bota sot": Pse është i domosdoshëm instrumenti amerikan?

Nehat Hyseni: Sepse historia ka treguar se Evropa shpesh ka toleruar ose relativizuar politikat diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke u justifikuar me formalizmin juridik serb.

Por ligji që diskriminon nuk është drejtësi. Ndërhyrja amerikane krijon balancë reale dhe mekanizëm presioni efektiv.

"Bota sot": Çfarë prisni konkretisht?

Nehat Hyseni: Presim:

• shfuqizimin e ligjit për pasivizimin e adresave;

• njohjen e diplomave nga Kosova;

• përjashtimin e shqiptarëve nga detyrimi ushtarak në kushte diskriminimi;

• përfaqësim proporcional në institucione.

"Bota sot": Çfarë veprimesh prisni që Serbia të ndërmarrë si reagim ndaj presionit ndërkombëtar?

Nehat Hyseni: Serbia është shpeshherë e paparashikueshme: kur është e bindur se bashkësia ndërkombëtare dhe Amerika nuk do të veprojnë, sillet me mospërfillje, si dikur Millosheviqi ndaj Holbrukut. Por besoj se Vuçiqi duhet ta marrë mesazhin dhe të veprojë ndryshe, duke qenë më i dëgjueshëm dhe më bashkëpunues. Përndryshe…

"Bota sot": A ekziston rrezik presioni apo hakmarrjeje?

Nehat Hyseni: Presioni institucional ndaj shqiptarëve ekziston çdo ditë. Por mbështetja amerikane ndryshon ekuilibrin. Serbia respekton gjuhën e përgjegjësisë ndërkombëtare. Kur ekziston kosto politike, sjellja ndryshon. Prandaj ky libër dhe angazhimi ndërkombëtar nuk janë akte simbolike – janë instrumente mbrojtjeje.

 "Bota sot":  Mesazhi i juaj për fund?

Nehat Hyseni:  Botimi i librit “Polemikë shqiptaro-serbe (me ish-fqinjët)” nuk është akt nostalgjik. Është ndërhyrje intelektuale në një betejë që vazhdon.

Libri dokumenton të kaluarën për të mbrojtur të tashmen.

Dhe në këtë proces, roli i Kongresit Amerikan është faktor kyç për garantimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

 Sepse drejtësia pa mekanizëm mbrojtës mbetet vetëm fjalë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat