Taulant Kelmendi flet për sfidat dhe mundësitë e qeverisjes së re: Kandidatura për President vendoset pas konsultimeve brenda LVV-së

Intervista

Taulant Kelmendi flet për sfidat dhe mundësitë e qeverisjes së re: Kandidatura për President vendoset pas konsultimeve brenda LVV-së

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 18 shkurt 2026 Në ora: 07:57
Taulant Kelmendi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota Sot”, deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Taulant Kelmendi, ka shpalosur prioritetet e tij pas marrjes së mandatit në Kuvend. Ai theksoi se fokusi kryesor do të jetë në arsim, inovacion, ndërmarrësi dhe digjitalizim, duke premtuar angazhim të matshëm dhe rezultate konkrete për qytetarët, si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit.

Duke folur për kalimin nga ekzekutivi në legjislativ, Kelmendi u shpreh se do të kontribuojë në hartimin dhe mbikëqyrjen e politikave, në bashkëpunim me Qeverinë, por edhe me qasje kritike kur të jetë e nevojshme. Ai vlerësoi arritjet e deritanishme në ruajtjen e stabilitetit, luftën kundër korrupsionit dhe mbështetjen sociale, ndërsa nënvizoi se prioritet mbetet zhvillimi ekonomik dhe përkrahja e bizneseve.

Sa i përket rinumërimit të votave, deputeti kërkoi përgjegjësi institucionale dhe përmirësim të sistemit zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së vullnetit të qytetarëve. Në aspektin ekonomik, ai hodhi poshtë pretendimet për stagnim, duke përmendur rritjen e buxhetit dhe uljen e papunësisë si tregues pozitivë.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kelmendi theksoi se nuk do të pranohen kompromise që cenojnë sovranitetin e vendit, ndërsa për raportet me partnerët ndërkombëtarë kërkoi ruajtjen e partneritetit strategjik. Ai foli gjithashtu për procesin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar drejtësi të paanshme, si dhe shtoi se çështja e Presidentit do të trajtohet pas konsultimeve brenda subjektit politik.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Sapo keni marrë mandatin si deputet – cili është prioriteti juaj konkret në 6 muajt e parë dhe si do ta matni suksesin tuaj?

Taulant Kelmendi: Si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE, angazhimi im do të jetë i vazhdueshëm dhe i matshëm në intervale më të shpeshta se gjashtë muaj, minimalisht përmes vetëvlerësimit. Do të jem aktiv si në Kuvend, ashtu edhe jashtë tij, duke vënë në dispozicion të gjitha njohuritë e mia profesionale dhe përvojën institucionale në funksion të zhvillimit të arsimit, nxitjes së inovacionit, mbështetjes së ndërmarrësisë së re dhe përshpejtimit të digjitalizimit. Synimi im është që politikat publike të përkthehen në rezultate konkrete për mirëqenien e të gjitha kategorive shoqërore. Në bashkëpunim me Qeverinë, rezultatet do të jenë të dukshme dhe lehtësisht të matshme.

Gazeta “Bota sot”: Keni qenë pjesë e ekzekutivit si zëvendësministër. Çfarë ndryshon tani që kaloni në legjislativ? A do të jeni zë kritik edhe ndaj Qeverisë suaj kur të jetë e nevojshme?

Taulant Kelmendi: Për mua, kalimi nga ekzekutivi në legjislativ është ndërrim i roleve por edhe më shumë përgjegjësi sepse dal nga nderthurja e besimit të kryeministrit, Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe mbështetjes së madhe të qytetarëve. Si zëvendësministër kam qenë pjesë e zbatimit të politikave; tani roli im është krijimi i politikave, mbikëqyrja, përmirësimi dhe përfaqësimi i qytetarëve në Kuvend. Do të jem bashkëpunëtor i ekzekutivit për të përmirësuar jetën e qytetarëve, për progres dhe zhvillim të vendit tonë, dhe po ashtu kritik e autokritik për të përmirësuar njëri-tjetrin dhe vetën, çdo ditë.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni performancën e deritanishme të Qeverisë dhe cilat janë prioritetet që duhet të shtyhen më fuqishëm në vazhdim?

Taulant Kelmendi: Performanca e Qeverisë ka qenë e fokusuar në stabilitet institucional, shtrirje të sovranitetit, siguri, luftë kundër korrupsionit, rritje të të hyrave buxhetore dhe masa të drejtpërdrejta për kategoritë shoqërore që kishin më së shumti nevojë. Për këtë punë, qytetarët na vlerësuan dhe votuan më shumë se kurrë më parë. Ndërsa, zhvillimi ekonomik, mbështetja e ndërmarrjeve të reja dhe inovative, lidhja e arsimit me tregun e punës, pra jetësimi i programit tonë, do të jetë angazhimi ynë i përditshëm.

Gazeta “Bota sot”: Çështja e votave dhe rinumërimit në Pejë u diskutua shumë. A mendoni se sistemi zgjedhor në Kosovë ka nevojë për reformë serioze? Çfarë konkretisht duhet ndryshuar?

Taulant Kelmendi: E kam përcjellë procesin e rinumërimit të votave në gjithë Kosovën, përfshirë edhe Pejën. Jam i lumtur që rinumërimi ka pastruar rezultatin, dhe njëherë i jam shumë falënderues të gjithë qytetarëve për mbështetjen e madhe për Lëvizjen VETËVENDOSJE! edhe për mua. Edhe pse devijimi tek ne ishte i vogël, nuk duam të krahasohemi me të tjerët. Devijimi i vullnetit të qytetarëve është kundër parimeve tona, dhe uroj që të adresohen përgjegjësitë dhe që KQZ ta përmirësojë këtë segment të sistemit për zgjedhjet e ardhshme.

Gazeta “Bota sot”: Kosova po përballet me stagnim ekonomik dhe rritje të pakënaqësisë sociale. Cili është vizioni juaj për zhvillim ekonomik real, jo vetëm retorikë?

Taulant Kelmendi: Nuk pajtohem, Kosova nuk është në stagnim ekonomik e as në pakënaqësi sociale. Qeveria jonë, në mandatin që sapo e lamë, sipas matjeve të jashtme ka ulur nivelin e papunësisë nën 11%, ka rritur buxhetin e shtetit në 4 miliard euro, ka dhënë mbështetje për nënat lehona dhe fëmijët, ka ofruar arsim publik falas dhe mbi 20 milion euro bursa për studentët, indikatorë të matshëm që tregojnë se edhe rritja e mirëqenies dhe rritja ekonomike janë në trajektore pozitive. Sigurisht që inflacioni nuk ka prekur vetëm Kosovën, por menaxhimi nga Qeveria e Kosovës ka qenë shembull pozitiv në rajon. Pra, statistikat nuk janë retorikë, por matje e realitetit. Në programin tonë për 4 vitet e ardhshme, fokusi do të jetë mbështetja e prodhimit, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, krijimi i kushteve për investime të huaja, zhvillimi i sektorit të teknologjisë dhe energjisë së ripërtëritshme, si dhe lidhja më e fortë e arsimit me tregun e punës.

Gazeta “Bota sot”: Dialogu me Serbinë vazhdon të jetë temë e nxehtë. Cili është qëndrimi juaj personal për kompromiset që Kosova mund të bëjë dhe ku e vendosni vijën e kuqe?

Taulant Kelmendi: Me Serbinë, parimi është barazia dhe reciprociteti. Kompromiset nuk mund të cenojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Vija e kuqe ka në çdo tendencë të njëanshme për të krijuar struktura monoetnike me kompetenca ekzekutive, apo që rrezikon funksionalitetin e Republikës tonë, ashtu siç kanë qenë dhe janë parimet e Lëvizjes sonë politike, të dëshmuara ndër vite.

Gazeta “Bota sot”: Kohët e fundit ka pasur diskutime të shumta për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe raportet me ndërkombëtarët. Si e vlerësoni qasjen aktuale të institucioneve tona dhe a mendoni se duhet ndryshim strategjie?

Taulant Kelmendi: Ne ruajmë partneritetin strategjik, ndërkohë që mbrojmë interesin shtetëror, sovranitetin dhe ligjshmërinë. Kosova është vendi më pro-evropian dhe pro-amerikan në rajon. Në këtë linjë, bashkëpunimi do të vazhdojë të forcohet edhe më shumë.

Gazeta “Bota sot”: Si e shihni rolin e opozitës aktuale? A mendoni se Kosova ka një opozitë funksionale apo thjesht retorike?

Taulant Kelmendi: Opozita është element i domosdoshëm i demokracisë, por metodologjia e tyre ka rezultuar e pasuksesshme. Diskursi i tyre ka qenë më shumë retorik sesa alternativë programore. Uroj që rezultatet e dhjetorit 2025 ta përmirësojnë opozitën. Një opozitë më konstruktive na ndihmon ta përmirësojmë edhe punën tonë, dhe rrjedhimisht kjo ndikon tek të gjithë qytetarët. Në fund të ditës, kështu do të duhej të ishte.

Gazeta “Bota sot”: Ne fund, gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të ketë ndikim të madh politik dhe shoqëror në Kosovë. Si e vlerësoni qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj këtij procesi dhe çfarë roli mendoni se duhet të ketë Kuvendi në këtë çështje?

Taulant Kelmendi: Procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ndikim emocional dhe politik. Institucionet tona respektojnë drejtësinë ndërkombëtare, duke besuar se ajo të jetë e drejtë dhe parimore, dhe ofrojnë mbështetje ligjore dhe morale për të gjithë ish-krerët e UÇK-së. Dënimet e kërkuara nga Prokuroria Speciale nuk marrin parasysh kontekstin e luftës çlirimtare. Roli ynë është të kërkojmë që procesi të jetë transparent, i drejtë dhe i balancuar, pa lëshime që cenojnë integritetin e shtetit dhe të luftës së UÇK-së. Këtë e kemi bërë edhe me rezolutën e miratuar në Kuvend më 12 shkurt 2026.

Gazeta “Bota sot”: A do ta përkrahni si Grup Parlamentar kandidaturën e Vjosa Osmanit për rizgjedhje në postin e Presidentes apo keni në diskutim edhe ndonjë kandidat/e tjetër?

Taulant Kelmendi: Çështja e kandidaturës për President do të trajtohet brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aleatëve dhe entiteteve politike në Kosovë. Qëndrimi përfundimtar do të merret bazuar në analizën politike dhe interesin më të mirë të vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat