Nga emocionet e 17 Shkurtit te angazhimi për të ardhmen evropiane, për “Bota sot” flet Arianit Besiri

Intervista

Nga emocionet e 17 Shkurtit te angazhimi për të ardhmen evropiane, për “Bota sot” flet Arianit Besiri

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 shkurt 2026 Në ora: 19:00
Arianit Besiri

Në një intervistë për “Bota sot”, kryetar i komunës Morbach në Gjermani, Arianit Besiri, ka folur me emocione për ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Besiri thotë se pavarësia e Kosovës është burim identiteti dhe krenarie për diasporën, por edhe përgjegjësi për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Ai thekson se diaspora në Gjermani shërben si urë e fortë ekonomike, kulturore dhe shoqërore mes dy shteteve.

Tutje, ai shprehet se diaspora është ambasadore e Kosovës përmes punës, integrimit dhe kontributit me dije, investime e rrjete ndërkombëtare.

Ai thekson se Gjermania ka pasur rol vendimtar duke e njohur herët Kosovën dhe duke mbështetur ndërtimin e institucioneve e zhvillimin ekonomik. Besiri shpreh edhe gatishmërinë e tij për të kontribuar.

 “Bota sot”: Si e përjetuat ju personalisht shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008?

Arianit Besiri: 17 shkurti 2008 ishte një nga momentet më emocionuese të jetës sime. Prindërit kanë qajt prej gëzimit.

E përjetova me krenari, me lot gëzimi dhe me një ndjenjë të thellë lehtësimi. Për ne që kemi jetuar larg atdheut, pavarësia nuk ishte vetëm një akt politik, ishte realizimi i një ëndrre historike, sakrifice dhe shprese për liri, dinjitet dhe të ardhme.

“Bota sot”: Çfarë domethënie ka për ju dhe për diasporën shqiptare në Gjermani pavarësia e Kosovës?

Arianit Besiri: Pavarësia e Kosovës është një burim identiteti, krenarie dhe përgjegjësie për diasporën. Ajo na kujton se kush jemi dhe nga vijmë, por njëkohësisht na obligon të kontribuojmë për zhvillimin e Kosovës. Diaspora në Gjermani është një urë e fortë ekonomike, kulturore dhe shoqërore mes dy vendeve.

 “Bota sot”: Si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në procesin e njohjes dhe mbështetjes së shtetësisë së Kosovës?

Arianit Besiri: Roli i Gjermania ka qenë vendimtar dhe shumë i rëndësishëm. Gjermania ka qenë ndër vendet e para që njohu Kosovën dhe ka mbështetur vazhdimisht ndërtimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Kjo mbështetje ka qenë një sinjal i fortë për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Une du me kontribu githashtu.

“Bota sot”: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve në Kosovë lidhur me ruajtjen dhe forcimin e shtetit të tyre?

Arianit Besiri: Mesazhi im për të rinjtë është i qartë: besoni në vendin tuaj dhe investoni në të. Kosova ka nevojë për energjinë, dijen dhe integritetin tuaj. Ndërtoni institucione të forta, luftoni korrupsionin dhe mos e humbni shpresën. E ardhmja e Kosovës varet nga profesionalizmi dhe përgjegjësia e gjeneratës së re. Unë jom me juve.

“Bota sot”: Sa e rëndësishme është që Kosova të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian?

Arianit Besiri: Forcimi i marrëdhënieve me Bashkimi Evropian është jetik. Integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një rrugë drejt standardeve më të larta të demokracisë, ekonomisë dhe sundimit të ligjit. Perspektiva evropiane është garancia më e mirë për stabilitet dhe zhvillim afatgjatë.

“Bota sot”: A mendoni se diaspora shqiptare në Gjermani ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës?

Arianit Besiri: Po, pa asnjë dyshim. Diaspora ka qenë dhe mbetet një ambasadore e Kosovës. Përmes punës, integrimit dhe angazhimit në shoqëri, ajo kontribuon në imazhin pozitiv të vendit. Përveç remitancave dhe investimeve, diaspora sjell edhe dije, përvojë dhe rrjete ndërkombëtare.

“Bota sot”: Si mund të kontribuojnë komunat gjermane, si Morbach, në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me komunat në Kosovë?

Arianit Besiri: Komunat si Morbach mund të luajnë një rol shumë konkret: përmes partneriteteve komunale, shkëmbimeve të nxënësve dhe profesionistëve, bashkëpunimit në administratë, zhvillimit ekonomik dhe projekteve kulturore. Bashkëpunimi në nivel lokal krijon besim, shkëmbim përvoje dhe lidhje të qëndrueshme mes njerëzve dhe pikërisht aty ndërtohen urat më të forta. Na jemi gati.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat