“Integrimi nuk do të thotë humbje identiteti” – Arbër Jagoda në garë për kryetar komune në Zvicër

Intervista

“Integrimi nuk do të thotë humbje identiteti” – Arbër Jagoda në garë për kryetar komune në Zvicër

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 21 shkurt 2026 Në ora: 18:01
Arbër Jagoda, kandidat i Partia Socialdemokrate e Zvicrës

Nga fshati Potërq i Klinës deri në kandidaturën për kryetar të Komunës së Villeneuve, rrugëtimi i Arbër Jagodës është një histori që ai vetë e përshkruan si “histori pune, sakrifice dhe besimi”.

Si kandidat i Partia Socialdemokrate e Zvicrës, me numër 1 në zgjedhjet komunale të 8 marsit, ai synon të marrë drejtimin e qytetit që, siç thotë, “më ka dhënë kaq shumë”.

Në një intervistë për “Bota sot”, Jagoda ka rrëfyer se ka ardhur në Zvicër si pjesë e diasporës “me ëndrra të mëdha”, ndërsa sot kandidon me bindjen se mund t’i shërbejë komunitetit ku është rritur dhe integruar.

Po ashtu, Jagoda flet për sfidat dhe motivimin e tij, përvojën si pjesë e diasporës shqiptare, prioritetet programore dhe mesazhin që kandidatura e tij përcjell për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë.

Intervista e plotë për “Bota sot”:

Bota sot: Z. Jagoda, si e përshkruani rrugëtimin tuaj deri te kandidimi për kryetar komune në Villeneuve?

Arbër Jagoda: Rrugëtimi im në Villeneuve është histori pune, sakrifice dhe besimi. Kam ardhur si pjesë e diasporës me ëndrra të mëdha dhe sot kandidoj me bindjen se mund t’i shërbej qytetit që më ka dhënë kaq shumë.

Bota sot: Si nisi angazhimi juaj në politikën lokale dhe çfarë ju shtyu të hyni në këtë garë?

Arbër Jagoda: Angazhimi im në politikën lokale në Villeneuve nisi nga dëshira për të kontribuar konkretisht në jetën e përditshme të qytetarëve. Kam qenë gjithmonë i përfshirë në aktivitete komunitare dhe projekte që synojnë përmirësimin e jetës sociale dhe ekonomike. Kandidimi për kryetar komune është vazhdimësi e natyrshme e këtij angazhimi dhe një përgjegjësi që e marr me seriozitet të plotë.

Bota sot: Sa e ka ndikuar përvoja juaj si pjesë e diasporës në formimin tuaj politik?

Arbër Jagoda: Thellësisht. Të jesh pjesë e diasporës do të thotë të kuptosh vlerën e mundësive dhe sfidave. Kjo më ka mësuar të jem më i drejtë, më i hapur dhe më i përkushtuar ndaj barazisë.

Bota sot: Cilat janë tri prioritetet kryesore të programit tuaj?

Arbër Jagoda: Tri prioritetet kryesore të programit tim janë:

 Të forcoj sigurinë në vendet publike dhe përreth shkollave.

 Të mbështes bizneset lokale.

 Të investoj në infrastrukturë cilësore shkollore.

Bota sot: Si e shihni integrimin e komunitetit shqiptar në Zvicër?

Arbër Jagoda: Integrimi nuk është vetëm një proces individual, por edhe institucional. Zvicra është unike në atë që të lejon të integrohesh lehtësisht nëse dëshiron. Personalisht, gjithmonë kam dashur t’i tregoj Zvicrës se shqiptarët janë njerëz që integrohen lehtë. Është shumë e rëndësishme. Integrimi në Zvicër nuk nënkupton humbjen e identitetit, por harmonizimin e tij me vlerat e vendit. Kosova zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time. Unë frymëzohem nga kultura jonë çdo ditë dhe jam krenar që jam shqiptar nga Kosova.

Bota sot: Ju jeni shembull i integrimit të suksesshëm. Si do ta përkthenit këtë përvojë në politika konkrete?

Arbër Jagoda: Duke u dhënë hapësirë, mentorim dhe mundësi reale për përfshirje në vendimmarrje. Mundohem të jem një shembull i mirë që ata ta ndjekin.

Bota sot: Çfarë mesazhi dërgon kandidatura juaj për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë?

Arbër Jagoda: Se integrimi dhe angazhimi japin rezultate. Është mesazh besimi dhe përgjegjësie për të qenë pjesë aktive e shoqërisë. Ne jemi një popull që ka vuajtur shumë, por që ka arritur të ngrihet përsëri; ne mund të arrijmë gjëra të mëdha në Zvicër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat