Balidemaj: Kosova të ndalë simbolikën me diasporën – duhet bashkëpunim konkret dhe investime reale

Intervista

Balidemaj: Kosova të ndalë simbolikën me diasporën – duhet bashkëpunim konkret dhe investime reale

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 2 mars 2026 Në ora: 08:56
Deli Balidemaj

Deli Balidemaj, kandidat i CSU-së, rikandidon për një mandat të ri në bashkinë e Mynihut. Në një intervistë për “Bota Sot”, ai shpjegon se rikandidimi bazohet në bindjen se politika lokale është themeli i një qyteti të fortë dhe funksional.

Ai thekson rëndësinë e diasporës shqiptare dhe angazhimin për ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor, duke punuar për njohjen e gjuhës shqipe në gjimnazet e Mynihut dhe Bavarisë. Po ashtu, ai mbështet programe kulturore, edukative dhe iniciativat që lidhin qytetarët lokalë me diasporën.

Gjithashtu, ai shpreh shqetësim për situatën politike në Kosovë, ku dy zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër dhe rreziku për zgjedhje të treta krijojnë paqëndrueshmëri dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Sipas tij, mungesa e dialogut politik pengon zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.

Intervista e plotë:

“Bota Sot”: Çfarë ju shtyu të rikandidoni dhe të vazhdoni angazhimin politik?

Deli Balidemaj: Rikandidimi im bazohet në bindjen themelore të CSU-së se politika lokale është themeli i një shteti të fortë dhe funksional. Mynihu ka nevojë për ndryshim të qëndrueshëm, përgjegjësi politike dhe vendimmarrje të qartë. Gjatë mandatit tim kam parë se politikat pragmatike, të orientuara drejt zgjidhjeve konkrete, japin rezultate reale për qytetarët. Pikërisht për këtë arsye dua ta vazhdoj këtë angazhim me përkushtim edhe më të madh. 

Angazhimi politik është për mua një thirrje personale dhe një nder i veçantë. Është privilegj të mund t’i shërbej qytetit në të cilin jetoj unë dhe familja ime, si dhe qytetit ku shpresoj që fëmijët e mi të kenë një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe me perspektivë.

“Bota Sot”: Çfarë arritjesh nga mandati i mëparshëm ju bëjnë krenar?

Deli Balidemaj: Jam krenar që gjatë mandatit tim kam kontribuar në forcimin e dialogut të drejtpërdrejtë midis institucioneve komunale dhe qytetarëve, veçanërisht në fushat e integrimit, rendit social dhe përmirësimit të shërbimeve komunale. Duke pasur parasysh se rreth 52% e qytetarëve të Mynihut kanë histori migrimi, dialogu i hapur, i bazuar në respekt të ndërsjellë, nuk është thjesht çështje komunikimi, por një element kyç për funksionimin e vetë qytetit. 

Angazhimi im ka qenë gjithmonë i orientuar drejt zgjidhjeve konkrete dhe të zbatueshme në praktikë.

 “Bota Sot”: Cilat janë tre objektivat kryesore për mandatin e ri?

Deli Balidemaj: Së pari, siguri dhe rend social në lagjet e Mynihut.

Së dyti, integrim përmes arsimit, punës dhe respektimit të rregullave.

Së treti, mbështetje e ekonomisë lokale dhe e bizneseve të vogla, të cilat janë shtylla e mirëqenies sonë.

“Bota Sot”: A do të ketë ndryshime në fokusin tuaj?

Deli Balidemaj: Fokusi mbetet i njëjtë në vlera, por do të jetë më i thelluar në zbatim. CSU përfaqëson stabilitet dhe qartësi politike. Përvoja e mandatit të kaluar më mundëson të veproj më shpejt dhe më efektivisht brenda strukturave komunale.

 “Bota Sot”: Si e shihni situatën politike në Kosovë?

Deli Balidemaj: Është për keqardhje që brenda një periudhe kaq të shkurtër në Kosovë janë zhvilluar dy herë zgjedhje dhe tashmë ekziston rreziku real për zgjedhje të treta me radhë. Kjo situatë krijon paqëndrueshmëri politike dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, por edhe besimin e bashkësisë ndërkombëtare.

 Nga këndvështrimi im dhe i CSU-së, është e pakuptueshme dhe e papranueshme që partitë politike në Kosovë të mos jenë në gjendje të dialogojnë me njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhje në interes të vendit dhe të qytetarëve. Mungesa e dialogut politik është e rëndë dhe e pafalshme, pasi pengon zhvillimin, stabilitetin dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës.

 “Bota Sot”: Si e shihni politikën e Kosovës dhe sa keni bashkëpunim me Konsullatën në Mynih?

Deli Balidemaj: Politika e Kosovës duhet të vazhdojë të forcojë lidhjet reale dhe të qëndrueshme me diasporën, jo vetëm në nivel simbolik, por përmes bashkëpunimit institucional konkret dhe të matshëm. Diaspora përbën një potencial të rëndësishëm shoqëror, ekonomik dhe politik, i cili duhet trajtuar me përgjegjësi dhe vizion afatgjatë.

Duke pasur parasysh se diaspora është shpeshherë ura e vetme reale për sjelljen e investitorëve të jashtëm në Kosovë, kjo tregon qartë rëndësinë e krijimit të kushteve dhe mekanizmave që diasporës t’i jepet mundësia reale për të vepruar. Fatkeqësisht, vitet e kaluara kanë treguar se përfaqësitë diplomatike të Kosovës nuk kanë arritur gjithmonë të depërtojnë dhe të shfrytëzojnë në mënyrë efektive potencialin për tërheqjen e investimeve të huaja. 

Nëse diaspora përfshihet në mënyrë serioze dhe strukturore, ajo mund të luajë një rol vendimtar në krijimin e vendeve të punës në Kosovë dhe në ndërtimin e perspektivës ekonomike për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të largohen nga vendlindja për të siguruar një të ardhme më të mirë.

“Bota Sot”: Çfarë keni mësuar nga bashkëpunimi me kolegët në Këshillin Bashkiak?

Deli Balidemaj: Kam mësuar se politika lokale kërkon kompromis, por pa humbur parimet. CSU është parti dialogu, por edhe vendosmërie. Këtë përvojë do ta përdor për të ndërtuar shumica funksionale dhe për të shtyrë përpara vendime të qëndrueshme.

“Bota Sot”: Si do të angazhoheni për komunitetin shqiptar dhe diasporën?

Deli Balidemaj: Unë e shoh diasporën si pjesë aktive dhe të pandashme të shoqërisë. Angazhimi im do të fokusohet në integrim dhe pjesëmarrje të suksesshme përmes punës, arsimit dhe respektimit të ligjit, duke ruajtur njëkohësisht identitetin gjuhësor dhe kulturor. Integrimi i suksesshëm nuk është në kundërshtim me ruajtjen e identitetit -përkundrazi, ai e forcon bashkëjetesën dhe stabilitetin shoqëror.

 Në kuadër të angazhimit tim konkret, jam duke bashkëpunuar me Muhamet Idrizin nga Shoqatën ODA e Hamburgut, me qëllim që gjuha shqipe të njihet si gjuhë zgjedhore në gjimnazet e Mynihut dhe të Bavarisë. Ky do të jetë një nga prioritetet e angazhimit tim në periudhën e ardhshme.

 Për ta bërë më të realizueshme një iniciativë të tillë, është e domosdoshme që arsimi plotësues në gjuhën shqipe, i cili tashmë funksionon në disa pika të caktuara, të përmirësohet ndjeshëm në cilësi, të jetë më i strukturuar, më profesional dhe më funksional. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen kushtet e nevojshme që gjuha shqipe të trajtohet seriozisht dhe në mënyrë të qëndrueshme brenda sistemit arsimor.

“Bota Sot”: A keni plane për të krijuar programe kulturore, edukative ose biznesi që lidhin qytetarët lokalë me diasporën?

Deli Balidemaj: Po, kam në plan mbështetjen e programeve kulturore dhe edukative që promovojnë diversitetin dhe bashkëpunimin ndërkulturor, si dhe iniciativa që lidhin bizneset lokale me sipërmarrësit e diasporës.

 “Bota Sot”: Si mund të ndihmojë Këshilli Bashkiak në integrimin e komuniteteve të ndryshme dhe forcimin e marrëdhënieve midis diasporës dhe qytetit?

Deli Balidemaj: Këshilli Bashkiak mund të luajë një rol kyç përmes politikave gjithëpërfshirëse, mbështetjes së projekteve serioze komunitare dhe krijimit të platformave të qëndrueshme të dialogut. Integrimi kërkon bashkëpunim të ndërsjellë, rregulla të qarta dhe respekt të ndërsjellë nga të gjithë aktorët shoqërorë.

 Në këtë drejtim, si CSU në veri të Mynihut, ne organizojmë një herë në vit një pritje të përbashkët për të gjitha komunitetet dhe konsullatat e pranishme në qytet. Kjo iniciativë synon të forcojë internacionalitetin e Mynihut, dialogun ndërkulturor dhe bashkëpunimin institucional. Shembuj të tillë tregojnë qartë se integrimi nuk është vetëm përgjegjësi e komuniteteve me histori migrimi, por një proces i përbashkët që forcon kohezionin shoqëror dhe vetë funksionimin e qytetit.

Përveç politikave dhe dialogut, nuk duhet harruar as rëndësia e përgjegjësisë individuale dhe vlerësimit të kontributit konkret. Qyteti i Mynihut prej vitesh ndan një herë në vit Çmimin “Phoenix” për ndërmarrësit më të suksesshëm me prejardhje migrimi; gjatë viteve të fundit, edhe katër ndërmarrës shqiptarë kanë qenë përfitues të këtij çmimi. Kjo iniciativë është një shembull i qartë se si qyteti njeh dhe vlerëson kontributin e diasporës në ekonomi dhe shoqëri.

Këto forma vlerësimi forcojnë respektin e ndërsjellë midis komuniteteve dhe qytetit, rrisin ndjenjën e përkatësisë dhe tregojnë se integrimi i suksesshëm ndërtohet mbi përgjegjësi, punë dhe angazhim konkret.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat