Numri i sinjalizuesve në Kosovë ka shënuar rritje, porse mungon mbështetja dhe mbrojtja e tyre nga institucionet.
Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Transparencë për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Menaxheri i projektit “Sinjalizuesi”, nga organizata joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Transparencë, Bujar Ejupi tha se nga monitorimet e bëra del se ka zero përkrahje për sinjalizuesit nga institucionet, për çka shton se këto të fundit mbrojnë zyrtarët që kanë qenë të raportuar nga sinjalizuesit.
Ejupi i bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë që bëhen ndryshime në Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
Ndërkaq, gazetarja Ardiana Thaçi tha se sinjalizuesit në vend që të mbrohen ata dënohen apo ndëshkohen nga institucionet duke u larguar nga puna.
Në konferencë u potencua se këtë vit ka pasur dhjetëra raportime nga sinjalizuesit.
Sinjalizuesi është një person që shpërfaq apo raporton informacion për aktivitete joligjore, joetike apo mashtruese brenda një organizate apo institucioni.