​Ortopedia e re në QKUK me shërbime më cilësore se ajo e vjetra

Kosova

​Ortopedia e re në QKUK me shërbime më cilësore se ajo e vjetra

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 10:52
Foto ilustrim

Funksionalizimi i aneksit të ri të Klinikës së Ortopedisë po mundëson shërbime më cilësore për pacientët, por edhe kushte më të mira të punës për profesionistët shëndetësorë.

Hapësira më të mëdha për sistemim të pacientëve, tualete, klimatizim dhe aparaturë më modern, janë vetëm disa nga ndryshimet pozitive që po i ndiejnë nga afër pacientët, por edhe mantelbardhët.

Nga kjo e hënë, në Klinikën e Ortopedisë po merr trajtim mjekësor Netushe Canolli.

Kjo paciente e cila ka kryer ndërhyrje në gju, shprehet tejet e kënaqur me shërbimin mjekësor që ka marrë.

Sipas Canollit secili qytetar që ka nevojë për shërbime të tilla, adresa e vetme duhet të jetë Klinika e Ortopedisë në QKUK.

Canolli: Trajtimi dhe qasja e mjekëve, shumë e mirë

“Të hënën jam operuar, mirë më ka shkuar operimi, mirë po na shikojnë shumë, tepër mirë, tepër me mjekë, me mjeke shumë, shumë mirë....Për këta këtu mirë ishte boll mjeket, mjekët për pastërti tepër mirë....Iu kisha thënë kush ka nevojë, këtu të vijë”, thotë Canolli.

Krahas pacientëve, kushtet e mira ua kanë lehtësuar punën edhe mantelbardhëve të kësaj klinike.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Xhavid Gashi thotë se kushtet në ankesin e ri të kësaj klinike, krahasuar me ato në hapësirat e vjetra, janë si “nata me ditë“.

Ai thotë se ka një përmirësim drastik të shërbimeve spitalore në këtë klinikë.

Gashi: Kushtet në këtë aneks, krahasuar me atë të vjetrin, janë si nata me ditë

“Ka ardhur deri tek një përmirësim drastik i kushteve për të mirë, për pacientët dhe për stafin. Blloku operativ me katër dhoma, pastaj është një pritore shumë e madhe në hyrje, janë ri reparte që janë funksionalizuar. Të gjitha dhomat janë të pajisura me nga dy shtretër, e kanë një tualet që rrinë vetëm dy pacientë, hapësira të mjaftueshme, është klimatizimi qendror....Ka një përmirësim tepër të madh, edhe tepër të mirë edhe për pacientët që janë të shtrirë, por njëkohësisht çka është kryesorja edhe për stafin.. Këtë kohën e fundit kemi pasur një përmirësim të shërbimeve, është pastërtia në nivel për pacientin që vjen, e ke një pamje krejt tjetër në raport me siç ka qenë....Janë shumë më të qetë, mirëpo edhe stafi kur është pacienti i qetë, edhe stafi për të ofruar shërbim është më në qetësi, nuk e ke presionin e palës, nuk e ke presionin e përcjellësve, nuk e ke presionin e hapësirës së ngushtë, mirëpo ke komoditet. Mund të them se është si nata me ditë”, thotë ai.

Edhe kryeinfermieri i Klinikës së Ortopedisë, Bekim Syla thotë se falë hapësirave të reja që tashmë janë në dispozicion, edhe infermierët po arrinë ta kryejnë punën e tyre me profesionalizëm.

Syla: Na është lehtësuar puna

“Me hapjen e aneksit të ri të Klinikës të Ortopedisë na është lehtësuar puna mjaft, përpara kemi pasur shumë më shumë punë. Është dashur të sjellim pacientin nga ortopedia e vjetër jashtë të vijë në klinikë të operohet dhe e kthehet prap. Pra, me një pacient përafërsisht 30-40 minuta është dashur të merremi...edhe për punën e infermierëve është shkurtuar koha, puna....me hapjen e klinikës edhe ambienti dhe kushtet janë më të mira edhe për pacientët dhe për stafin dhe shumë më shumë mund t’u ofrojmë pacientëve kushte më të mira. Në pjesën e vjetër që kemi qenë nuk kanë qenë edhe aq kushtet e mira, po këtu është shumë më mirë“, thotë Syla.

Në fillim të muajit tetor, reparti i Ortopedisë spinale, ai i traumatologjisë dhe ortopedia e përgjithshme, bashkë me bllokun operativ, kaluan në aneksin e ri të Klinikës së Ortopedisë.

Kjo klinikë ka 22 dhoma e 44 shtretër, dhe kostoja e ndërtimit të këtij objekti është rreth 2.8 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat