Në stacionin policor në Leposaviq u inaugurua dhoma miqësore për viktimat e dhunës në familje

Kosova

Në stacionin policor në Leposaviq u inaugurua dhoma miqësore për viktimat e dhunës në familje

Më: 9 dhjetor 2024 Në ora: 21:59
Leposaviq

Në stacionin policor në Leposaviq është inauguruar dhoma miqësore për viktimat e dhunës në familje.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili shkoi atje me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Bashkë me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ditën e filluam në Stacionin Policor në Leposaviq me inaugurimin e dhomës miqësore për viktimat e dhunës në familje. Me libra dhe lojëra të ndryshme rekreative, fëmijët do të shmangen nga rrëfimet e ngjarjeve të dhunës në familje dhe viktimat do të kenë më të lehtë intervistimin pa i rënduar më tej fëmijët.  Stacionet policore janë dera e parë e shpresës dhe e zgjidhjes për viktimat e dhunës në familje. Kështu duhet të jenë gjithmonë, mbi këtë përgjegjësi duhet të punojmë të gjithë dhe këtë e inkurajoj më së shumti”, ka shkruar Sveçla.

Më tutje, ministri ka shkruar edhe për ndriçimin e stacionit policor qendër në mbështetje të fushatës globale kundër dhunës në familje.

“Në simbolikë të kësaj dhe në mbështetje të fushatës globale kundër dhunës në familje, ditën e përmbyllëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha dhe Drejtoreshën e Divizionit të Policimit në Bashkësi Zylfije Dema, me ndriçimin portokalli të objektit të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Dhuna është e ndaluar dhe e patolerueshme në të gjitha format dhe në të gjitha rastet. Si Ministri e Punëve të Brendshme bashkë me Policinë e Kosovës kemi ngritur e po avancojmë kapacitetet tona në mënyrë që të jemi sa më efikas në parandalimin, hetimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës që raportohen. Angazhimi ynë për sigurinë e qytetareve tona mbetet prioritet sot dhe çdo ditë tjetër”, ka shkruar ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat