Tre zyrtarë komunal dhe tre qytetarë janë nderuar me çmimin vjetor të Komunës së Obiliqit, për angazhimin e tyre në këtë qytet.
Suzana Hashani ishte e para që mori çmimin si “Zyrtarja e dalluar komunale”. Pas Hashanit u ftua Agim Preniqi e Hamdi Grajqevci ku të dy u nderuan me po të njëjtin çmim.
Pas ndarjes së çmimeve vjetore për zyrtarët e dalluar komunal, Elisah Terbuja ishte ai që fitoi çmimin e qytetarit të dalluar. Me çmime të qytetarëve të dalluar u nderuan edhe Albanota Hyseni dhe Kastriot Sadiku.
Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi për të dytin vit me radhë ka nderuar qytetarët e kësaj komune me çmimet e mirënjohjes publike për angazhimin qytetar.
Të shumtë ishin qytetarët e nuk munguan as përfaqësues të kuvendit komunal, përfaqësues të USAID-it dhe përfaqësues të OJQ-ve.
Gashi tha se ishte e vështirë të bëhet përzgjedhja e “më të mirit nga më të mirët”.
Gashi: Ky çmim të bëhet tradicional
“Ky është viti i dytë që ne po ndajmë një çmim bashkërisht me USAID-in dhe mbesim me shpresë që kjo të bëhet traditë në vazhdimësi sepse edhe zyrtarët komunal po e japin maksimumin në angazhimin e tyre që të jenë në shërbim të qytetarëve, por edhe qytetarët janë aktiv edhe në planifikime buxhetore e në aktivitete të ndryshme të tjera”, tha ai.
Pjesë e komisionit komunal për çmimet e mirënjohjes publike ishte edhe Hajriz Bekteshi. Ai tha se si komision kanë bërë zgjedhjen e duhur.
Bekteshi: Tre persona të respektuar në Obiliq
“Komisioni gjatë punës së vet pranoi disa nominime të njerëzve të cilët ne i kemi kërkuar sipas rregullave të cilat kanë qenë. Komisioni arriti që t’i përzgjedh personat e duhur, atëherë iu uroj sukses të gjithëve... Sipas procedurës arritëm t’i gjenim tre persona të angazhuar dhe tre persona të respektuar në komunën e Obiliqit”, deklaroi Bekteshi.