I lirë, por prapë i akuzuar: Logopedi Fazliu ua lë seancat praktikantëve

Kosova

I lirë, por prapë i akuzuar: Logopedi Fazliu ua lë seancat praktikantëve

Më: 10 dhjetor 2024 Në ora: 15:11
Foto ilustrim

Iljasa Fazliu, logoped dhe defektolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është në fokus të një stuhie kritikash për sjelljen e tij.

Prindër dhe praktikantë ankohen për mungesat e tij të shpeshta në punë, moskryerjen e detyrave dhe trajtimin e papërshtatshëm të pacientëve dhe kolegëve.

Situata merr një drejtim edhe më serioz, kur kihet parasysh se Fazliu, dy vjet më parë, u arrestua nën dyshimet për abuzim verbal të një pacienteje 3-vjeçare, por se më pas u lirua.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi logopedin për të diskutuar rreth ankesave kundër tij, por ai nuk u përgjigj - kërkoi që “pyetjet të drejtohen në institucionin përgjegjës”, përkatësisht në Zyrën për Informim të QKUK-së.

Ndërkohë që udhëheqësit në këtë institucion i drejtojnë përgjegjësitë nga njëri-tjetri, prindërit e fëmijëve me probleme në të folur thonë se përparimi i tyre ka ngecur, në mungesë të përfshirjes së Fazliut.

“Mungesa në seanca”

Nëna e një djali 17 vjeç, me nevoja të veçanta, thotë se ka pasur përvojë të hidhur me logopedin Fazliu.

Ndonëse pacient i tiji, ajo thotë se djali i saj është kontrolluar vetëm një herë prej tij - “seancat e tjera i kanë zhvilluar praktikantët”.

Për gati një vit gjatë 2023-shit, atij i janë caktuar seanca trajtimi tri herë në javë.

“Në vend se të ishte i pranishëm në to, Fazliu shihej duke pirë duhan para objektit”, thotë kjo bashkëbiseduese në kushte anonimiteti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se është drejtuar te Fazliu “me rekomandimin e të afërmve” dhe se është zhgënjyer.

Tregon se djali i saj nuk ka pasur asnjë përparim, por, përkundrazi, “ka treguar vazhdimisht shenja shqetësimi”.

“Ai është i dashur dhe i fliste kur e shihte në korridor, por mjeku nuk ia kthente dhe kjo nisi të ndikonte keq te djali”, thotë e ëma.

Në tre muajt e fundit të trajtimit, ajo thotë se djalin e ka përcjellë një logopede tjetër dhe se me të ka kaluar “jashtëzakonisht mirë”.

Ajo shton se nuk ka qenë e informuar se praktikantët nuk kanë të drejtë të ofrojnë shërbime logopedike pa mbikëqyrjen e specialistit të fushës.Ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi Shërbimin e Logopedisë më 29 nëntor, kur qëndroi për disa orë pranë zyrës së Fazliut dhe pa se seancat i zhvillonin praktikantët - mjeku nuk ishte i pranishëm.

Duke iu përgjigjur shkurtimisht pyetjes së REL-it se ku është logopedi, njëra prej praktikanteve tha se “i doli një punë dhe shkoi në Gjilan, porse zakonisht është këtu”.

Nëna e një fëmije 11 vjeç, që po e priste ta përfundonte seancën, tha se logopedi jo gjithmonë merr pjesë në trajtim.

“Unë nuk e di qysh duhet. Stafi i qendrës e di”, u shpreh ajo.

Drejtori i Klinikës së ORL-së, Arsim Behramaj, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se Fazliu ka kërkuar leje më 29 nëntor, për të shkuar në Prokurorinë në Gjilan - qyteti prej nga vjen - për të marrë një dokument në lidhje me një lëndë, të cilën e ka prezantuar te drejtori.

Prokuroria në Gjilan nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse Fazliu ka marrë ndonjë dokument në atë datë.

Ankesa edhe nga praktikantët

Por, për mungesat e vazhdueshme të logopedit në punë flasin edhe praktikantët në Shërbimin e Logopedisë.

Disa prej tyre, madje, kanë dorëzuar ankesa në drejtori.

Radio Evropa e Lirë i pa disa dhe ato ishin të adresuara te Behramaj dhe tek ushtruesja e detyrës së shefes së Shërbimit të Logopedisë, Zahide Uka-Rraci.

Në disa thuhej se “logopedi nuk i njeh fëmijët që trajtohen në zyrën e tij”.

Në të tjera përmenden: fyerje, ofendime, bërtitje, presion psikologjik dhe kërcënime për mosnënshkrimin e dokumenteve të nevojshme për përfundimin e praktikës.

Në kushte anonimiteti, një ish-praktikante tregon se i ka dërguar ankesë drejtorit të ORL-së, Behramaj.

“Më kanë thënë se nëse sillet edhe një herë në këtë mënyrë, do të marrim masa. Nuk e di se çka ka ndodhur, sepse nuk jam më aty”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.I pyetur në lidhje me këto ankesa, Behramaj nuk pranon se ka marrë ndonjë të tillë për ndonjë logoped.

Duke iu përgjigjur insistimit të REL-it, ai thotë se Shërbimi i Logopedisë ka ushtruese detyre të shefes Zahide Uka-Rracin, e cila merret me organizimin e Logopedisë.

Uka-Rraci, në anën tjetër, pranon se ka pasur ankesa zyrtare dhe thotë se secilën e ka adresuar tek udhëheqja e klinikës.

“Si rrjedhojë e ankesave që kemi pranuar, unë i kam shqiptuar vërejtje me shkrim [logopedit Fazliu] me datën 07.08.2023”, tha Uka-Rraci në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Por, edhe pas reagimit, tërheqjes së vërejtjes me gojë dhe me shkrim, kolegu në fjalë nuk ka reflektuar”, sipas saj.

Rasti i Iljasa Fazliut

Logopedi Iljasa Fazliu u arrestua më 27 nëntor të vitit 2022, pasi në mediat vendore u publikua një audio-incizim nga ordinanca e tij private në Gjilan, ku ai dëgjohej duke e fyer dhe sharë një paciente 3-vjeçare me autizëm.

Ai u akuzua për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

Gjykata Themelore në Gjilan ia hoqi masën e paraburgimit më 19 dhjetor të vitit 2022 dhe ia zëvendësoi atë me masën e ndalimit për t’iu afruar personave të caktuar, me të cilët kishte pasur përleshje fizike për rastin e pacientes 3-vjeçare.

Në QKUK, ai u hoq nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të Shërbimit të Logopedisë, por, përkundër akuzës, nuk u shkarkua dhe vazhdoi punën si logoped.

Dhe, më 30 tetor të këtij viti, Gjykata Themelore e Gjilanit e liroi atë nga akuza për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor”.

Kundër këtij vendimi reaguan Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social, e cila, më 21 nëntor, organizoi protestë para Gjykatës së Apelit në Prishtinë, duke kërkuar dënimin e logopedit.

Sipas kësaj qendre, vendimi për ta liruar nga akuza “është goditje e rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin e prindërve dhe respektimin e standardeve etike nga profesionistët që punojnë me persona me nevoja të veçanta në Kosovë”.

Organizata u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që ta rishikojnë këtë rast me urgjencë dhe të sigurojnë një proces të drejtë dhe transparent.Prokuroria Themelore e Gjilanit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se po atë ditë - më 21 nëntor - ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Derisa ende nuk ka një vendim përfundimtar nga sistemi i drejtësisë, Radio Evropa e Lirë mori vesh prej burimeve të saj se drejtori i ORL-së, Behramaj, i është drejtuar me një kërkesë QKUK-së dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për ta rikthyer Fazliun në pozitën e ushtruesit të detyrës së shefit të Shërbimit të Logopodisë.

Në këtë institucion punojnë katër logopedë që trajtojnë fëmijë me probleme në të folur. Në kabinetet e tyre janë po ashtu edhe katër praktikantë.

Shërbimet e tyre, pacientët i kanë falas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat