Fshati Rakinicë i Skenderajt vazhdon të përballet me probleme të mëdha infrastrukturore, ku rrugët e mbuluara me baltë kanë izoluar banorët për vite të tëra.
Në një intervistë për emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM, banor i këtij fshati, Syl Dajakaj, rrëfeu për vështirësitë që përballojnë banorët e kësaj zone për baltën e madhe që ndodhet aty.
“Kjo gjendje është kështu prej ’97-ës. Ka qenë këtu kryetari Fadil Nura, e ka shikuar, e ka hedh një kamion, aty-këtu një gur, deri afër 100 metra, dhe asgjë më shumë”, tha Dajakaj.
Ai theksoi se banorët kanë bërë disa herë përpjekje për ta zgjidhur çështjen, por pa sukses.
“Kemi shkuar disa herë për këtë zgjidhje të rrugës. Që 30 vite, prej që jam kthyer nga Gjermania, kjo gjendje ka qenë gjithmonë e njëjtë. Ne fshatarët kemi investuar, kemi mbartur me traktorë gurë dhe zhavorr, por është e mundimshme për neve”, deklaroi ai.
Në fund, Dajakaj bëri thirrje për veprime konkrete nga institucionet.
“Le të vijnë, le ta shikojnë dhe të bëhet një zgjidhje,” u shpreh ai.