Botime të rralla, të cilat rëndom nuk gjenden në biblioteka, janë sjellë të mërkurën në Prishtinë në kuadër edicionit të pestë të Panairit të librit të vjetër dhe të përdorur.
Një prej tyre është edhe fjalori i Sami Frashërit – botimi i vitit 1882, tha Berat Dakaj, koordinator i panairit.
Sivjet, ky panair, ka gjetur vend në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.
Kjo ngjarje mbledh koleksionues të librave nga e tërë Kosova, të bëhen bashkë për të ekspozuar libra të vjetër, si dhe për shitjen e tyre.
“Në këtë panair kemi paraqitur edhe disa botime shumë të rralla të cilat nuk i ka as biblioteka Kombëtare e Shqipërisë e as Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Është fjalori frëngjisht-osmanisht i Sami Frashërit, botimi i parë i vitit 1882, botimi i tretë i vitit 1901 dhe botimi i katërt i vitit 1905. Gjithashtu prej autorëve shqiptarë kemi paraqitur disa edicione të para të veprave duke filluar nga viti 1918, 1920, 1921, dhe nga autorët e huaj kemi libra që datojnë nga viti 1742”, tha ai.
Të gjithë qytetarët që janë të interesuar mund të vizitojnë ambientet e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” për të parë nga afër libra para-shekullorë.
Aty mundësohet dhe blerja e tyre.
“Këta libra mund t’i shohin, si janë botuar në atë kohë, por natyrisht edhe kush është i interesuar edhe mund të vijë t’i blejë...Numri i titujve që i paraqesim është rritur shumë, gjithashtu edhe numri i qytetarëve...Kudo që kemi pasur një hapësirë më të madhe, ua kemi dhënë mundësinë edhe koleksionuesve të marrin pjesë dhe të paraqesin librat, por këtë herë kemi një hapësirë shumë më të ngushtë dhe ka koleksionues shumë pak...Shpresojmë që me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, edicionin e ardhshëm ta organizojmë prapë te sheshi “Zahir Pajaziti”, deklaroi Dakaj.
Jehona Shyti nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit, tha se do ta rrisin përkrahjen për këtë panair.
“Jemi të vetëdijshëm që mbështetja që iu kemi dhënë në vazhdimësi nuk ka qenë e mjaftueshme as për së afërmi për të realizuar dhe mbështetur atë që ju e keni konceptuar nga fillimi, por jam e sigurt që në vitet në vijim ne si ministri do ta kemi parasysh që ta mendojmë edhe çështjen e financimit më të madh për një aktivitet si ky, sepse ne gjithmonë e themi kur një ngjarje kulturore i kalon tre vjet me gjithë sakrificat, atëherë ajo e ka bërë rrugën e vështirë dhe e ka marr rrugën e suksesit dhe të konsistencës”, tha ajo.
E një dashamirës i librit që e viziton këtë panair qysh nga edicioni i parë, u rikthye edhe këtë vit për blerje të librave.
“Unë e vizitoj qysh nga edicioni i parë, bile në edicionin e dytë kemi qenë në bashkë-organizim. Është një aktivitet i veçantë, të themi rrallë që organizohet në Republikën e Kosovës ku ofrohen libra të rrallë, të vjetër dhe libra të veçantë që është vështirë të gjenden në panairet e rregullta që mbahen qoftë në panairin e Prishtinës, e edhe atij të Tiranës”, tha ai.
Panairi do jetë i hapur për tri ditë.