Kandidatja e LDK-së nga Podujeva shmang duplikimin e pozitave, liron detyrën e këshilltares komunale

Kosova

Kandidatja e LDK-së nga Podujeva shmang duplikimin e pozitave, liron detyrën e këshilltares komunale

Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 16:03
Foto nga takimi

Kandidatja për deputete nga LDK, Arjeta Salihu-Abazi, ka njoftuar dorëheqjen nga posti i këshilltares në Komunën e Podujevës.

Siç tha ajo kjo për të shmangur duplikimin e pozitave dhe për t’iu përkushtuar garës për Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka falënderuar votuesit dhe kolegët për bashkëpunimin dhe ka shprehur besimin te pasuesja e saj, Qendresa, për përfaqësimin e qytetarëve me përkushtim.

”Ju njoftoj se në seancën e mbajtur sot kam liruar pozitën e këshilltares në Komunën e Podujevës, pasi ditë më parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës jam nominuar kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës.

Këtë vendim e kam marrë për të mos i duplikuar pozitat dhe për të qenë korrekte ndaj funksionit të asambleistes dhe e përgjegjshme ndaj garës në të cilën jam futur, përmes të cilës besoj fuqishëm se do të avancoj në përfaqësimin tuaj në Kuvendin e Kosovës.

Falënderoj të gjithë votuesit e mi, kolegët dhe bashkëpunëtorët me të cilët, gjatë këtyre tri viteve, adresuam tema të ndryshme dhe ofruam mbështetje e zgjidhje aq sa kishim mundësi si opozitë.
Të dashur miq,

Jam e lumtur që në funksionin tim në kuvend do të pasohem nga Qendresa, një vajzë e fortë, për të cilën jam thellësisht e bindur se do të vazhdojë t’i përfaqësojë interesat e qytetarëve në Kuvendin e Podujevës.
Ajo, me forcë dhe dashuri, u ka bërë ballë sfidave të jetës, ndaj jam besimplotë që me të njëjtin përkushtim do t’i përfaqësojë ato vlera edhe në kuvend. Këtë ma premtoi edhe në takimin e ngrohtë që pata me të dje.
Mbështetja ime do të jetë gjithmonë e pranishme për të dhe për të gjithë kolegët e tjerë, të cilëve ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat