YIHR me aksion simbolik, kërkohet nga katër partitë politike diskurs politik gjithëpërfshirës

Kosova

YIHR me aksion simbolik, kërkohet nga katër partitë politike diskurs politik gjithëpërfshirës

Më: 13 dhjetor 2024 Në ora: 13:40
Pamje nga aksioni

Pranë selive të katër partive politike është zhvilluar aksion simbolik, ku u kërkua që gjatë periudhës zgjedhore të ketë diskurs gjithëpërfshirës. Organizata “Youth Initiative for Human Rights Kosovo” filloi aksionin simbolik nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje më pas tek Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe për të përfunduar pranë selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky aksion u shoqërua me pankarta të mesazheve të përcjella nga vet partitë për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

“Sot, në ditën e fundit të Javës së të Drejtave të Njeriut, YIHR po zhvillon një aksion simbolik pranë selive të partive politike, për të përcjellë një mesazh të qartë dhe të patjetërsueshëm: gjatë kësaj periudhe zgjedhore të ngjeshur me premtime e zotime, individësh e subjektesh politike, ne kërkojmë që diskursi politik të jetë gjithëpërfshirës, respektues dhe i mbështetur mbi parimet e të drejtave të njeriut. Në kuadër të këtij aksioni, po vizitojmë selitë e partive politike që garojnë në këto zgjedhje për të kërkuar që fushatat dhe programet e tyre politike të reflektojnë një përkushtim të sinqertë ndaj të drejtave të njeriut, barazisë dhe dinjitetit të çdo individi”, deklaroi ajo.

"Të gjithë në Lëvizje, Gjithë për Kosovën", "Gjithë për Kosovën, të lirë nga femicidi" dhe "Gjithë për Kosovën, të lirë nga dhuna", kanë qenë mbishkrimet në pankartat që kanë mbajtur në duar aktivistë para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ky aksion e tejkalon idenë e një thirrje për përgjegjësi ndaj aktorëve politikë, kjo është një përpjekje për të ngritur një standard të ri për fushatat zgjedhore dhe politikëbërjen, një standard i tillë që i vendos në qendër njerëzit, shtynë përpara drejtësinë dhe promovon unitetin. Kërkojmë një vizion politik që ndërton një shoqëri ku të gjithë ndihen të vlerësuar dhe të respektuar, ekonomik. Pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike, gjinisë, orientimit seksual apo statusit social”, ka thënë drejtoresha e YIHR, Marigona Shabiu.

Edhe pranë kësaj selie, aksioni u shoqërua me pankarta, me mbishkrime si: "Kosova mundet ma mirë veç pa femicid", "Kosova mundet ma mirë veç pa dhunë", "Kosova mundet ma mirë veç pa diskriminim".

Kristian Rrasaj nga YIHR para selisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ftoi kandidatët për deputetë që të reflektojnë mbi rolin e tyre në këtë proces.

“Ftojmë të gjitha partitë politike dhe kandidatët për deputetë që të reflektojnë thellë mbi rolin e tyre në këtë proces. Mesazhi ynë është i qartë: Kosova ka nevojë për liderë politikë që marrin përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi të drejtat e njeriut, që luftojnë diskriminimin dhe pabarazinë dhe që garantojnë një shoqëri ku çdo qytetar ndihet i përfaqësuar dhe me dinjitet”, tha ai.

Pjesëmarrësit në këtë aksion kanë mbajtur pankarta me mbishkrime "Bëhu ndryshimi, jepi fund diskriminimit", dhe “Lumir 2025 bëhu ndryshimi".

Nga këtu, aktivistët kanë vazhduar aksionin deri tek Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku Blendë Pira bëri thirrje për fuqizimin e njerëzve dhe respektimin e dinjitetit të tyre.

“Ne sot nuk kërkojmë vetëm fjalë; ne kërkojmë veprime konkrete që i japin jetë parimeve të lirisë, drejtësisë dhe barazisë për të gjithë. Në këtë ditë të fundit të Javës së të Drejtave të Njeriut, po e mbyllim këtë kapitull me një thirrje të fuqishme: është koha për një politikë që fuqizon njerëzit dhe respekton dinjitetin e tyre, Ne kërkojmë liri, për ne liri do thotë, fund dhunës, fund femicidit, fund diskriminimit, fund LGBTQI+ fobisë”, përfundoi ajo.

"Koalicioni për Kosovën fituese", “Kosova është fituese veç kur s'ka diskriminim", me këto mesazhe pranë selisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka përfunduar aksioni simbolik i YIHR. Ku nga katër parti politike u kërkua që gjatë fushatës zgjedhore të kenë diskurs gjithëpërfshirës, respektues dhe të mbështetur mbi parimet e të drejtave të njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat