Pas një përplasjeje publike të nisur në nëntor 2024 mes kryetarit të Mitrovicës së Jugut Faton Peci, dhe ish-presidentit të AKR-së Behgjet Pacolli, vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është pasuar me prishjen e koalicionit AKR-Guxo në Mitrovicë dhe shkarkimin e drejtorit komunal për Ekonomi, Gani Rrustemi.
Gjykata ka vendosur pjesërisht në favor të Behgjet Pacollit në padinë për shpifje dhe fyerje ndaj Faton Pecit, ndërsa vetëm pak orë pas aktgjykimit kryetari i Mitrovicës së Jugut ka ndërprerë bashkëpunimin me AKR-në dhe ka shkarkuar Gani Rrustemin, i cili ishte emëruar drejtor në kuadër të këtij koalicioni.
Rrustemi, i cili ishte emëruar në pozitën e drejtorit më 11 shkurt 2026, pas lidhjes së koalicionit mes AKR-së dhe Guxo, thotë për KosovaPress se është njoftuar për shkarkimin e tij gjatë orarit të punës.
“Këtë detyrë e kam marrë pas lidhjes së koalicionit me partinë në pushtet, Guxo, dhe jam caktuar drejtor më 11 shkurt 2026. E kam marrë këtë drejtori dhe kemi bashkëpunuar mirë. Fillimisht, e falënderoj nënkryetarin për mbështetje. Jemi takuar dhe kemi biseduar, pasi kryetari (Faton Peci) ka qenë gjithmonë i nxënë. Kemi punuar dhe kam realizuar planin gati 95 për qind. Na ka mbetur vetëm edhe një projekt. Nuk e di se çfarë ka ndodhur më parë me Pacollin, që ka qenë president i AKR-së, por ai prej gushtit 2025 nuk është kryetari i AKR-së, është zgjedhur tjetër kush që mua nuk më lidh asgjë me punë. Për drejtori unë kam punuar deri në ora 16:00, pesë minuta para 16:00 më kanë thirrur. Unë mendova se po më thërret nënkryetari për nënshkrimin e një projekti. Unë drejtorin e kam pasur jashtë objektit të komunës. Shkova aty dhe e pyeta se çfarë ka. Më tha: ‘A lexove diçka më herët?’ I thashë: ‘Jo, për besë, unë isha duke pritur e-mailin për bashkëpunim’. Tha: ‘Kjo nuk është çështja e memorandumit, por për shkak se u prish koalicioni dhe me prishjen e koalicionit, ti nuk mund ta ushtrosh detyrën si drejtor’. Arsyetimi është se një mospajtim e ka Fatoni me ish-presidentin e AKR-së, Behgjet Pacollin, që unë nuk di më shumë detaje për atë rast. Edhe me prishjen e koalicionit ka qenë një votë e jona e kryetarit të AKR-së në Mitrovicë, Gjergjit. Pasiqë është prishur koalicioni, unë si drejtor më larguan si pjesë e koalicionit të AKR-së”, tha Rrustemi.
Ai thotë se nuk e konsideron shkarkimin të lidhur me punën e tij në komunë dhe se nuk e ka ndërmend ta kontestojë vendimin në gjykatë.
“Veç inati i Behgjet Pacollit dhe Faton Pecit, përndryshe nuk ka asgjë politike, as paaftësi, pasi unë kam qenë drejtori më i suksesshëm në gjashtëmujorin e parë. Më ka falënderuar dhe e kam falënderuar kryetari. E kam pasur stafin profesional. Kam qenë, do të jem, tash jam shkarkuar, por besoj që do të aktivizohem në AKR sikur në vitin 2007. AKR-ja ka me qenë shumë më lart e më mirë. Jo, nuk kam asnjë pretendim për padi. Se kjo është parti politike, ekzekutivi e ka ashtu, kryetarin populli e ka zgjedhë, ne qysh ngarkohemi ashtu edhe shkarkohemi. Me një fjalë, ‘prej nesër nuk je më drejtor’ edhe u krye. E kam pranuar qetë”, deklaroi Rrustemi.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur për KosovaPress se ka vendosur në çështjen juridike kontestimore të paditësit Behgjet Pacolli kundër të paditurit Faton Peci, me objekt kontesti kompensim dëmi për shkak të shpifjes dhe fyerjes.
Sipas gjykatës, në aktgjykim është aprovuar pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e paditësit, ndërsa Faton Peci është detyruar të paguajë kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga shpifja dhe fyerja.
Gjykata ka caktuar 1 mijë e 500 euro për shpifje dhe 1 mijë e 500 euro për fyerje. Përveç kësaj, i padituri është obliguar të paguajë edhe 1 mijë e 716 euro shpenzime të procedurës kontestimore.
Gjykata ka bërë të ditur se shumat duhet të paguhen me kamatë ligjore prej 8 për qind në vit, duke filluar nga 1 shtatori 2026 deri në pagesën definitive, ndërsa detyrimet duhet të përmbushen brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Ndërkaq, pjesa tjetër e kërkesëpadisë, përmes së cilës ishte kërkuar që i padituri të bënte demantimin dhe përgënjeshtrimin publik të deklarimeve, është refuzuar si e pabazuar.
Vendimi gjyqësor lidhet me publikime dhe deklarime të bëra nga Faton Peci në rrjetin social Facebook më 17 nëntor 2024, në një emisionin televiziv më 19 nëntor 2024 dhe në një tjetër emision televiziv më 21 nëntor 2024.
Pas këtij vendimi, kryetari i degës së AKR-së në Mitrovicë, Gjergj Beka, ka bërë të ditur përmes një reagimi në Facebook, se kryetari Faton Peci ka ndërprerë bashkëpunimin me AKR-në.
“Pas vendimit të Gjykatës në rastin Pacolli–Peci, sot Faton Peci ndërpreu bashkëpunimin me AKR në Mitrovicë. Si pjesë e këtij vendimi, Gani Rrustemi lirohet nga pozita e drejtorit për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrime Evropiane. Ne si AKR nuk ndalemi. Do të vazhdojmë të punojmë dhe të kontribuojmë për çdo të mirë të Mitrovicës dhe qytetarëve të saj. Koalicionet mbarojnë. Përkushtimi ndaj Mitrovicës jo”, ka shkruar Beka.
AKR-ja e ka lidhur kështu ndërprerjen e koalicionit me vendimin e Gjykatës.
Megjithatë, Komuna e Mitrovicës së Jugut nuk ka konfirmuar nëse shkarkimi i Rrustemit është bërë si pasojë e vendimit të Gjykatës. KosovaPress i është drejtuar komunës për një qëndrim zyrtar lidhur me këto zhvillime, por ende nuk ka pranuar përgjigje.