Një shtetas i Shqipërisë është plagosur në fshatin Nec të Gjakovës, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Rasti është konfirmuar nga drejtori i Policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.
Ai tha se ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje.
Sipas deklaratave të viktimës, dy persona e kanë sulmuar pasi fillimisht i kishin kërkuar ndihmë duke pretenduar se automjeti i tyre kishte defekt.
Viktima pohon se të dyshuarit e kanë goditur me shufra metalike dhe më pas e kanë plagosur me armë zjarri.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rastin.