Në fshatin Nec të Gjakovës janë dëgjuar disa të shtëna me armë, si pasojë e të cilave është plagosur një shtetas nga Shqipëria.
Sinjali mëson se i plagosur ka mbetur shtetasi shqiptar, Jetmir Gosturani.
Viktima i cili është jashtë rrezikut për jetë, ka deklaruar te organet e rendit se dy personat që thotë se e kanë sulmuar i kishin kërkuar ndihmë me pretendimin se automjeti i tyre kishte defekt.
Sipas tij, të dyshuarit më pas e kanë goditur me shufra metalike, dhe e kanë plagosur me armë zjarri.
“Me datë 08.12.2024, rreth orës 12:25, jemi njoftuar se një shtetas shqiptar rreth moshës 28 vjeçare, ishte dërguar në spitalin e përgjithshëm në Gjakovë me lëndime të shkaktuara nga armë zjarri. Sipas informatave të para, viktima ka raportuar se, gjatë lëvizjes me veturë në rrugën Morinë-Gjakovë, në fshatin Nec, është ndalur nga dy persona të panjohur, të cilët fillimisht e kanë sulmuar me mjet të fortë dhe më pas me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Nga personeli mjekësor, jemi njoftuar se viktima aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e nevojshme policore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme hetimore, me ç’rast edhe janë gjetur tre fishekë dhe dy gëzhoja”.
Lidhur me këtë ngjarje është njoftuar Prokurori për Krime të Rënda, me vendimin e të cilit është iniciuar rast vrasje e mbetur në tentativë.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe identifikuar të dyshuarit.