Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua në Gjakovë, e cila ka denoncuar djalin e saj.
60-vjeçarja ka deklaruar se i biri ushtron dhunë psikike sistematikisht ndaj saj, i kërkon para dhe ia shet gjësendet me vlerë.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe e frikësuar, viktima e ka raportuar rastin.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje por nuk ka arritur ta lokalizojë vendndodhjen e tij.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.