Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë. Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale.
Një rast i tillë ka ndodhur në Rahovec, ku persona ende të paidentifikuar kanë thyer Xhaminë e Kasumit.
Media mëson se imami i xhamisë e ka njoftuar Policinë lidhur me rastin, ku ndër të tjera ka bërë me dije se një person është futur me forcë brenda, duke përdorur mjete të forta.
Bazuar në dëshminë e tij, i dyshuari e ka thyer kasafortën dhe ka arritur t’i marrë të gjitha paratë e mbledhura dhe më pas ka ikur.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohet dhe të kapet i dyshuari.