Një incident i rëndë ka ndodhur dje në Veternik të Prishtinës, ku në orët e pasdites është raportuar për një shpërthim të fuqishëm. Dy persona kanë mbetur të lënduar nga shpërthimi i një bombole gazi, ndërsa tashmë janë zbardhur edhe detaje të reja për rastin.
Mësohey se shpërthimi ka ndodhur te pompa e derivateve “Valoni Petrol”.
Sipas informacioneve që posedohen, bombola e cila ka shpërthyer, dyshohet se përdorej për ngrohjen e ujit.
Ndërkaq, dy personat të cilët kanë pësuar lëndime nga ky incident, janë punëtorë të kompanisë “Valoni Petrol”.
Siç merr vesh media, pronari i kompanisë në fjalë ka dhënë një deklaratë para zyrtarëve të Policisë, ku ka thënë se të gjitha pajisjet kanë qenë të instaluara ashtu siç duhet.
Njësitet policore tashmë kanë nisur hetimet në lidhje me këtë incident, ndërkaq rasti eshte iniciuar në drejtim të vepres penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Rasti dje është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.