Një incident i rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës, ku është raportuar për të shtëna me armë zjarri.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka identifikuar një veturë të dyshuar, e cila refuzoi të ndalet dhe vazhdoi me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë.
Për shkak të rrezikut të menjëhershëm, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin armët e zjarrit.
“Rreth orës 17:30 është pranuar informata për gjuajtje me armë zjarri në fshatin Mramor të komunës së Prishtinës.Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç ‘rast ka identifikuar një veturë të dyshuar e cila përkundër sinjalizimit të policisë për tu ndalur në pikë kontrolli e njëjta ka refuzuar duke vozitur me shpejtësi të madhe dhe duke manovruar rrezikshëm, kësisoj duke vënë para rrezikut të drejtpërdrejtë zyrtaret policor”, ka deklaruar për median, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Aktualisht, vetura e dyshuar është në arrati dhe personat e përfshirë mbeten të paidentifikuar. Policia ka nisur hetime intensive për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve.
Ky rast ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë publike dhe sjelljen e rrezikshme të personave të armatosur në zona të banuara.
”Policia me përkushtim po vijon punën e saj për identifikimin e të dyshuarve të përfshirë në këtë rast si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre. Siguria e oficerëve dhe qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë më i lartë. I bëjmë thirrje kujtdo që ka informacion në lidhje me personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast të kontaktojë menjëherë policinë”, shtoi tutje Ahmeti.