​Skema fajdeje prej 1 milion euro, dy të arrestuar përdorën dhunë dhe kërcënime

Kronikë

​Skema fajdeje prej 1 milion euro, dy të arrestuar përdorën dhunë dhe kërcënime

Më: 12 mars 2026 Në ora: 18:22
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e paraburgimit 30-ditor ndaj të pandehurve E.K. dhe A.K., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Sipas prokurorisë, nga viti 2021 e në vazhdim, i pandehuri E.K. ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., duke i dhënë shuma parash me përfitime të tejskajshme dhe duke grumbulluar mbi 400,000 euro vetëm nga kamata. Viktima e dytë, B.B., gjithashtu u përfshi në këtë skemë, duke marrë para për të ndihmuar B.Ç. në shlyerjen e borxhit.

Sipas prokurorisë, i dyshuari dhe bashkëpunëtori i tij kanë detyruar viktimat që t’iu kalojnë pronësinë mbi 2 lokale afariste dhe 1 shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 milion euro, duke përdorur dhunë dhe kërcënime. Aksioni i policisë ndërhyri në kohë për të ndaluar të pandehurit më 11 mars 2026.

Gjatë hetimeve janë sekuestruar para të gatshme, pasuri të paluajtshme, pajisje elektronike, kontrata dhe dokumente noteriale që lidhen me rastin. Prokuroria thekson se do të vazhdojë përkushtimin në luftën kundër kriminalitetit dhe mbrojtjen e viktimave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat