Qatip Mara (nuk ka njeri më të gjendshëm se ai), erdhi si me një frymë në Tiranë dhe më dhuroi këtë libër. Ndodhi një gjë e çuditshme: ai me vrap dhe unë gjithashtu "me vrap"! Me një shpoti do të thosha: “Me ‘inat’ më foli dhe po me ‘inat’ iu përgjigja!” E them me shaka, pasi mbreti i humorit, Çarli Çaplini, thoshte: “Një ditë pa të qeshur është një ditë bosh.”
Natyrshëm, ky takim i shkurtër me Qatipin meriton jo një shpotitje, por më shumë – si një çast i këndshëm gëzimi midis dy miqsh. Kam thënë edhe diku tjetër që nuk kalon ditë pa lexuar. Më kujtohet shprehja e Luis Borges: “Mos e mat veten me atë që ke shkruar, por me atë që lexon.” Ndërsa për shkrimet e mia modeste, qoftë në prozë apo poezi, nuk kam arsye të mburrem, në fushën e leximit zor se ia lëshoj vendin dikujt tjetër. Jam një lexues i përkushtuar dhe nuk e lë librin nga dora nëse më pëlqen.
Kur marr librin e QATIP MARËS, nuk e lëshoj pa e përfunduar. “Sherr” me time shoqe:
- Mos të duket vetja i ri? Do të ngrihet tensioni dhe do të na hapësh telashe!
- Nuk kam faj unë, por Qatipi që shkruan për një mësues, - ia kthej unë.
“Fajin” e Qatipit e “shlyen” një thënie e poetit spanjoll Lorka:
“Çdo libër është një oborr. Lum ai që mbjell në atë oborr lule dhe ushqen shpirtin e tij.”
Këto fjalë sikur janë thënë posaçërisht për autorin, Qatip Mara, i cili jo vetëm ka mbjellë një oborr me lule, por ka bërë që petalet e tyre të flladitin shpirtin e tij dhe të mësuesit shembullor Leonidha Dhrami nga Qeparoi.
Kam shumë arsye për të shkruar për këtë libër. Së pari, autori, Qatip Mara, është një nga miqtë e mi më të shtrenjtë. Së dyti, libri flet për një mësues model – një shembull që duhet ndjekur. Unë vetë kam punuar mbi dyzet vjet si mësues i gjuhës dhe letërsisë, dhe është paksa si një “thirrje e gjakut.” Tek heroi i këtij libri kam gjetur pjesë të vetes. Çuditem që paska qenë mësues në Mallakastrën e ashpër, ku vetëm disa hapa më tej, mes viteve ‘60 të shekullit të kaluar, kam punuar dhe unë.
Çudia e dytë lidhet me një fakt interesant: në shkollë apo në çdo kolektiv pune, rrallë ndodh që një koleg të bëhet mik aq i afërt sa ta përjetësosh në një libër, siç ka bërë Qatip Mara. Në një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më e ftohtë, ja tek del një mësues si Leonidha Dhrami nga Qeparoi, që të jep zemrën në dorë. Nuk ke si të mos e bësh shembull atë. Përmes leximit të këtij libri, kam kuptuar se Leonidha Dhrami është jo vetëm një mësues i ditur, por edhe një njeri i madh. Ai mishëron ato fjalët e Biblës: “Jezusit nuk i intereson sa vargje di nga Bibla, por si i trajton ti njerëzit.”
Duke ndjekur çdo faqe të këtij libri me kërshëri, shoh një model mësuesi që meriton gjithë respektin. Tek përfytyroj sukseset e tij nëpër shkolla të ndryshme, më kujtohen fjalët e Ralph Waldo Emersonit:
“Njeriu që i bën gjërat e rënda të duken të lehta, është një edukator i vërtetë.”
Për mësuesin Leonidha Dhrami, fjala “EDUKATOR” duhet shkruar me gërma të mëdha.
Mustafa Qemal Ataturku ka thënë:
“Mësuesi i mirë është si qiriri; e konsumon veten për të ndriçuar mendjet e të tjerëve.”
A nuk ndodhi kështu me mësuesin Leonidha Dhrami? Për këtë flasin nxënësit e tij, të cilët e kujtojnë me superlativa. Nga përvoja ime e gjatë si mësues, mund të them me bindje se janë nxënësit ata që vendosin notën më të saktë për mësuesit. E parë nga kjo pikë, Leonidha Dhrami ka një faqe të bardhë. Siç thoshte William Arthur Ward:
“Një mësues i mirë dhe profesionist, frymëzon.”
Puna dhe përkushtimi i tij më sjellin ndër mend fjalët e Virgjilit:
“Të ngresh emrin tënd me vepra – kjo është arritja e virtytit.”
Duke e përfshirë tërë veprimtarinë e tij edukative, mund të them se Leonidha Dhrami mishëron atë që Konfuci thoshte:
“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë.”
E vlerësoj jashtëzakonisht këtë figurë model, jo vetëm si mësues, por edhe si familjar shembullor. Por s’kam si mos të ndalem te krijimtaria e tij letrare. I tërë libri duket si një “gosti e madhe,” ku poezitë e tij janë “ëmbëlsira” e fundit. Vargjet e Leonidha Dhramit burojnë nga shpirti. Ai është vetvetja, siç thoshte Osho:
“Të jesh vetvetja është gjëja më e çmuar.”
Për ta përmbyllur, më kujtohen fjalët e Hegelit:
“Njeriu është veçse vargu i veprave të tij.”
Viktor Hygoja shton:
“Çdo njeri ndërton piedestalin e vet; të tjerët zbukurojnë statujën.”
Leonidha Dhrami ka ngritur piedestalin e tij, ndërsa Qatip Mara e ka zbukuruar me këtë libër. Njerëz si Leonidha Naqe Dhrami janë modele që duhen ndjekur.