Vjeshtë

Kultura

Vjeshtë

Nga: Hajdar Mallaku Më: 30 nëntor 2024 Në ora: 12:00
Hajdar Mallaku

Fletët e zbehta e të përgjumura

Kalamenden, e humbin sigurinë,

Anohen, hepohen e posht bijnë

Në çilimin e vakët që e valëvit era.

S'është ky det i vdekur

Që e vajton vit e stinë;

Janë mbyllur llogaritë e verës

Stinë e pjekur sytë na i ngin.

Kujdes! Pashtriku vuri plisin e bardhë

Një këshillë e një kumt nga goja do t'i dalë:

"Bëhuni gati, o ju të pasur e bujarë

Të varfërit janë gati, ofrojani dorën e mbarë".

Unë dhe vjeshta jemi moshatarë,

Shetisim bashkë e përshpërisim në vesh

Ajo mua shtatëdhjetë e tetë urime

Unë asaj vetëm përtërirje të mbarë.

Sa llogari dhashë për pranverë e verë

Deri sa e shkarkova trastën me pemë

Do doja ta dija për shijen që kishin,

Koha sa aromë do kishte përherë.

Aty dy të rinj mbahen të shtrënguar,

I shoh me zili dhe më duken si një

S'di pse në vjeshtë i fshihen pranverës

Do ta kalojnë dimrin me afshe të nxehta.

Nga frika se po e humbin përgjithmonë gjelbërimin

Tërë bota murrtohet, hesht e zbehet,

Vetëm plaku në sheti dredh mustakun

Pushon mbi shkop, ofshan e në kujtime prehet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat