Historianët reformatorë s'mund të jenë Don Kishotë!

Kultura

Historianët reformatorë s'mund të jenë Don Kishotë!

Nga: Prof. Dr. Elmas LECI Më: 5 dhjetor 2024 Në ora: 15:58
Autori Elmas Leci

Titulli i shkrimit i Prof.Xhelal Gjeçovit "Don Kishotët e historisë", botuar në prag festën e 28 nëntorit në një gazetë shqiptare, ishte shumë “i bukur”, madje i gjetur si figurë artistike e teper "interesant" për tërheqje komerciale mediatike. Tërë shokët e tij, historianët me të mirë të këtij vendi, profesor Xhelali i quan Don Kishotë! Habi! Aferim o profesori im që shokët padrejtësisht i quan Don Kishotë dmth se ata luftojnë me mullinjtë e erës! Mund të shpreheshe pak më ndryshe por ju keni zgjedhur atë figurë artistike, Don Kishotin. Puna jote. Unë gjykoj ndryshe se çdo mendim shkencor, domosdoshmërisht duhet bërë me debat shkencor. 

Nga ana tjetër nuk e kuptoj mllafin tuaj, kur e di se në shkencë, në se mund të jetë e tillë historia, nuk fiton mllefëria! Nuk i lejohet një historiani aq më tepër profesor ta prishë gojën e të thotë ekskatedra se “ballistët e rinj, si Kaba, Lalaj, Dezhgiu, Butka po e po etj” na qenkan Don Kishotë se shkruajnë për të vërtetat e Luftës Antifashiste. Jo kështu profesor! Di që shqiptarët në luftë kanë qenë edhe nacionalistë edhe partizanë, e në luftë nacionalistët rezulton se kanë qenë jo më pak trima se partizanët se të dy palët shqiptarë ishin. Partizanët fituan, dakort. Fitore e hidhur thotë në një libër të tërë anglezi Joan Hollidei dhe gjykon mbi fakte jo pa të drejtë. 

Të gjykosh historianët e mirë të këtij vendi e të ngjallësh ende ndjenjën e përçarjes, vetëm të ardhmes nuk i shërben. Duket largësia jote në SHBA e ka bërë punën e vet. Historianët nuk janë gjithmonë e velezel statikë se edhe vetë historia nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë, pasi ajo pasurohet vijimësisht me dokumente, me ngjarje , me fakte, e në vartësi të tyre edhe me ndryshime e konkluzione të reja. Dhe përse i quan shokët e tu po historianë që reflektojnë, e ju i quani Don Kishotë?! Sepse profesorët e nderuar e akademikët e shquar, Beqir Meta, Paskal Milo, Muharrem Dezhgiu, Ana Lalaj e Uran Butka, na paskan marrë përsipër detyrën e vështirë të rishikimit e të rishkrimit të Historisë sonë të kohës moderne, veçanërisht të asaj të Luftës Antifashiste, duke prekur tabutë komuniste të shikimit e të shkrimit të sajë, që është bërë për afro gjysmë shekulli në komunizëm dhe aktualisht kanë kaluar 80 vjet nga ato ngjarje. 

Po mirë, madje shumë mirë kanë bërë ata, që kanë shkruar e po shkruajnë historinë tonë sa më të saktë, atë histori të bërë me dashje ashtu siç e ka kërkuar politika e mbrapshtë e madje të rregulluar aq mirë rrëmujë nga "historianët e Komitetit Qendror të PPSH-s". Ajo ishte histori pa sens dhe e manipuluar, që nuk i shërben sot aspak çështjes së përbashkuar të shqiptarëve.

A do qe më mirë t'ia kishin lënë këtë histori ta rishkruante nga “hiri i luftës së klasave” profesor Xhelalit nga Amerika?! Edhe mundet të qe “më mirë” por ja që Xhelali "na ka braktisur ne dhe ka shkuar e jeton “keq e mos më keq” atje larg në Amerike, atje në mesin e imperializmit", që e ka anatemuar në dhënien e lëndës së tij në Universitet për 30 vjet me radhë. Çfarë t’i bësh, hapësira e mirë e demokracisë kjo e sotmja, që "ju "kolabracionistët" u a thanë me kohë që gjatë Luftës, ju xhelalistëve por nuk i dëgjuat ata"! Tani u erdhi mendja dhe shkuat për të pleqëruar "keq e më keq" në Amerikën borgjeze, ku siç ta jep përshtypjen edhe nga shkrimi i botuar, duket se pleqëria e “kandari i sajë” e ka bërë edhe pak të vetën te ju. Përse? Sepse në 3 faqe shkrim gazete të një studiuesi e profesori, që të them të drejtën sapo e dëgjova botimin, "vrapova" pasdite ta gjej dhe e bleva gazetën, pasi mendova se “profesor Xhelali do ketë shkruar gjëra të mëdha, që ne i presim nga njerëzit tanë përtej oqeanit, aq më shumë të kalibrit të Xhelalit! 

Mirëpo profesori im, artikulli e them me shumë keqardhje më rezultoi komplet ujë. Unë lexo dhe ai, artikulli, me gjithë atë epitet "Don Kishotët e historisë", e ujë dhe përsëri ujë. Më kot përpiqeshit i nderuar profesor të kapeshit pas ndonjë personazhi të shquar si te i madhi Kristo Frashëri por edhe atë, me citimet abuzive që i bëje, nuk e nderoje. Kristo e ka thënë fjalën e tij lapidare për atë udhëheqësin e madh të Luftës që ju mbrini, e që ju profesor ende e quani Komandanti legjendar, ndërsa Kristo i ndjerë e ka përcaktuar saktë atë, Enver Hoxhën se ka qenë me "rol sufleri". Por ky etiketim nuk e shfajëson udheheqësin tuaj nga krimet që ka bërë e këto ju nuk i thoni por i amplifikoni me epitete se për lirinë partizanët “u rropatën maleve për të kontribuar e ofruar çlirimin e pavarësinë, përfshi dhe udhëheqjen e lartë të luftës, Komandantin e Përgjithshëm Enver Hoxha e bashkëpuntorët e tij, antarët e shtabit të Përgjithshem”. 

Po përse profesori im nuk thua se çfarë bëri Enver Hoxha me 13 anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, të gjithë personalitete të Luftës Antifashiste?! I pushkatoi e dënoi pothuajse të gjithë ata, plot 11 prej tyre nga 13 që ishin. Se si e përse, kjo është çështje më vehte dhe ende ha diskutime të mëdha por fakt është që ai i eliminojë. Sa për kujtesën tënde, në Shtabin e Përgjithshëm të krijuar më 10 korrik të vitit 1943, psh major Abaz Kupin e dënoi me përjashtim nga shtabi, major Spiro Moisiun ish Komandant i Shtabit të Përgjithshëm e liroi nga Ushtria (nga ajo Ushtri të cilën ai e krijoi dhe e komandoi), Baba Faje Martaneshin (Mustafa Xhanin) e vranë, Dali Ndreun zv.Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm e pushkatoi, Dr. Ymer Dishnicën e dënoi, Ramadan Çitakun e dënoi, Mustafa Gjinishin e vrau në pabesi, Bedri Spahiun e dënoi, Sejfulla Malëshovën e dënoi, e me pas me kooptimet që u bënë në Shtabin e Përgjithshëm të dy të tjerëve si kolonel Islam Radovickën që e pushkatoi dhe gjeneralmajorin Mehmet Shehu ish Komandantin e Brigadës së parë partizane heroinë e vrau. Ky ishte pra miku im, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë partizane, i cili nga 13 anëtarë që kishte në krijimin e tij, 11prej tyre Enver Hoxha i pushkatoi dhe i dënoi. 

Rast i rrallë ky e i pa precedent ose i pa ndodhur kurrë në Historinë e Ushtrive Botërore. Dhe ju flisni si “ajo majë thanës” ende për vlerat e tij?! Unë nuk kam asnjë interes që e mora këtë nismë për replikë e përgjigje me një ish profesorin tim dhe asgjë as me profesor Xhelalin, që e kam dashur dhe e dua shumë, as me mendimet e tij, që paskan mbetur vetizoluese, punë e tij, të cilat gjithsesi ja respektoj por ulja që u ka bërë historianëve tanë në nivele të pa para e zhargoneve ndaj tyre, akademikë e profesorë te shquar (gjykoj më shumë se sa ai), me të cilët ai edhe ka punuar, një pjesë në mos gabohem edhe të një ideali me të, le shumë për të dëshiruar e aq më shumë, shumë shije të keqe.

Profesor Xhelali shkruan e madje guxon të marrë në mbrojtje edhe viktimat e Enver Hoxhës, Tuk Jakovën e ndonjë tjetër dhe për këto jep "justifikime" kohore duke u hedhur degë më degë e me "argumentime" qesharake. Kështu bën edhe për Liri Gegën e Dali Ndreun. A i vrau Enveri këto njerëz të shquar të Luftës?! Për profesor Xhelalin jo, Enveri veçse i ka "dekoruar". Si mundet të gjykojë kështu një historian o profesori im?!

Profesor Xhelali përpiqet të na shpjegojë edhe mosekzistencën e luftës civile në Shqipëri! Mirëpo ajo ka qenë dhe e thonë "malet" me dokumente. Të djegësh, vrasësh e presësh siç ka bërë "komandanti legjendar" i Brigadës së parë, në Dumre, në Mallakastër, në Martanesh, në Lushnje e në shumë krahina të tjera, jo vetëm ky por edhe të tjerët e kallëpit të këtij, për profesor Xhelalin jo, nuk është luftë civile?! Jam i bindur se profesor Xhelali e di, madje e di "si dreqi" që në mesin e Luftës Antifashiste kishte edhe elementë të luftë civile por profesori e ka graduar mendjen në 1960-n, në 1970-n e në 1980-n dhe nuk lëviz që andej, e madje qëndron e thotë "jo nuk kishte luftë civile"?! Po të mos kishte luftë civile, do qe shumë mirë. Mirëpo bëhet pyetja, se çfarë ishte o historiani ynë, o "amerikani" i vonuar, ajo lufta mes partizanëve e nacionalistëve qe ka ndodhur, që nuk do ta pranosh ti, a nuk ishte luftë civile?! Ajo aq sa ishte, as ja ngren e as ja ul vlerat Luftës Antifashiste ku ju keni merakun, Luftë që ishte më e madhja se gjithçka. Se i themi edhe dy-tri gjëra ndodhi gjatë asaj Lufte, që kanë ndodhur padiskutim brenda saj edhe elementë të luftës civile, nuk i bën gjë, nuk i a ul vlerat Luftës sonë Antifashiste, përkundrazi.

Nuk po flas për akademikët e shquar Beqir Meta e Paskal Milo as për të tjerët Lalaj e Butka por me që si "mburojë" zije në gojë me shkrim disa herë për mirë, që patjetër janë meritat e tija, profesorin Kristo Frashëri, atëhere po të citoj Kriston për një nga historianët që ju e anatemoni si Don Kishot. Kristo Frashëri shkruan se: "Doktor profesor Muharrem Dezhgiu, nuk është as ballist e as komunist, por një historian i ekuilibruar". Atëhere, kujt t'i besojmë juve që e etiketoni profesor Muharremin "Don Kishot", apo Kristo Frashërit, që e quan Muharremin "historian të ekuilibruar"?! 

Nuk mundet profesori im të mbrohen bëmat makabre të Enver Hoxhës e të justifikohet regjimi i tij i kasaphanës. Për ilustrim po të kujtoj ca vite pas të ashtuquajturit çlirim, që ju patjetër i dini, megjithatë kujtesa thonë se është mëma e dijes dhe rikujtimi ju bën mirë atje ku jeni.

Në pragçlirimin e Shqipërisë nga nazifashistët, ikën të detyruar nga forcat komuniste që morën pushtetin me grykën e pushkës 13.600 nacionalistë (e dhëna sipas Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit), shumica mes tyre që ikën nga Atdheu ishin intelektualë të shquar, që kishin studiuar në vendet perëndimore e ishin paisur me kulturën perëndimore.

Gjithsesi këtu në Shqipëri mbetën edhe plot intelektualë të tjerë jo me pak të ditur në problemet e demokracisë, që duhet thënë me të madhe se mendimet e tyre që nga momentet e para ranë ndesh me idetë lindore të pushtetarëve të rinj komunistë. Të tillë ishin intelektualësh të shquar, që luftuan antifashizmin por që ishin kundër komunizmit si ideologji dhe si qeverisje. Po të përmend Dr. Ymer Nishanin e Dr.Ymer Dishnicën. I pari, Dr. Nishani njeri me prirje nacionaliste e demokratike, u hodh me lëvizjen dhe Luftën Antifashsite. Kishte mbaruar shkollën e lartë shkëlqyer për mjekësi në Stamoll dhe pas çlirimit u bë edhe ministër i jashtëm e më pas në Kuvendin Popullor.

Në vitin 1953, pasi dha dorëheqjen nga detyra i detyruar nga presioni i Enver Hoxhës, për mendimet demokratike që manifestonte, “u gjet i vrarë” në vilën e tij qeveritare. Një tjetër intelektual i zëshëm, siç e përmendëm Dr. Ymer Dishnica, eksponent i krijimit të partisë dhe i luftës Antifashiste, mbaruar mjekësinë po shkëlqyeshëm në Francë, ish ministër i shëndetësisë në qeverinë e parë të Enver Hoxhës, ku më pas regjimi e burgosi dhe e internoi sepse “ishte firmëtari i Mukjes” dhe shfaqte hapur mendime jo dogmatike komuniste. Dhe vijoi ky kalvar me “sabotatorët” e tharjes së Kënatës së Maliqit, ku u ekzekutuan 63 intelektualë të mirë e të shquar. I pari kryeinxhinjeri i ndërmarrjes, Abdyl Sharra, 35-vjeçar, që kishte kryer shkollën teknike në Stamboll dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë. E dënuan me varje në litar se kishte mendime pro amerikane. Inxhinjeri tjetër Kujtim Beqiri, po 30 vjeç, që kishte përfunduar me medalje të artë inxhinierinë civile, rruga-ura në Universitetin e Vjenës dhe në korrik 1946 dërgohet drejtor në punimet e Maliqit, u dënua me varje në litar e plot 63 vetë. Ç’të të them më profesori im i dashur?! Vetëm një gjë të them që shokët e tu, akademikët e profesorët e nderuar, që kanë marrë përsipër reformimin e historisë së kaluar e të shtrembëruar nga ish politika komuniste, kurrsesi nuk janë Don Kishotë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat