50 fotografi që dëshmojnë rrugëtimin e Kosovës drejtë anëtarësimit në UEFA dhe FIFA janë shfaqur sot në ekspozitën “Historiku dhe promovimi për pranimin e Kosovës në sportin ndërkombëtar nëpërmjet aparatit fotografik” e autorit Blerim Uka.
Fotografi që përfshijnë periudhën nga vitit 2005 deri më sot shpërfaqin sfidat nëpër të cilat ka kaluar futbollit i Kosovës deri në ditët e sotme, me theks të veçantë në vitet e pas luftës.
Autori Blerim Uka tha se në vitet e para të pas luftës edhe pse në kushte shumë të vështira arriti që përmes fotografive të lobojë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare sportive.
Uka: Përmes fotografisë kam lobuar për Kosovën
“Unë asnjëherë nuk kam pritur kur kam nisur në vitin 2003 me Llapin apo në Drenicë duke fotografuar në kushte të vështira po duke e dashur futbollin në izolimin të cilin kemi qenë pas luftës jemi munduar, veçmas pas pavarësisë me mënyrën time fotografike, me një top, me një ndrres të lobojë për pranimin e Kosovës”, thotë Uka.
Ai tregon edhe për njërën nga fotografitë e tij që bëri bujë të madhe në mediat botërore.
Uka: Fotografia “Accept Kosova in UEFA” ka bërë bujë të madhe
“Është ky kroati këtu me ‘Accept Kosova in UEFA’, unë kam qenë më shallin e Kosovës dhe në momentin kur më është ofruar ma ka marrë shallin. Unë i kisha 20 topa, e kam pasur një pompë të vogël dhe në atë moment e kam fryrë topin dhe është fotografuar nga fotografi i agjencisë më të madhe botërore AFP. Atëherë nuk kemi pasur internet në telefona por kur kam shkuar në stadium e kam parë NCC, BBC dhe shumë media të botës që kroatët e kërkojnë pranimin e Kosovës”, kujton Uka.
Hapjen e kësaj ekspozite e vlerësoi lart edhe ish-sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.
Salihu: Fotografitë si këto flasin vet
“Thuhet që fotografia flet vet, është e vërtetë. Këto nuk mund të zhduken, nuk mund të humben dhe pjesa kryesore ka qenë të pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, pastaj edhe në FIFA dhe më vjen mirë që të gjitha ju mediat e keni marrë një rrugëtim së bashku me federatat, me shtetin keni qenë pjesë aktive e këtij procesi”, tha Salihu.
Të pranishëm në hapjen e ekspozitës kishte figura të rëndësishme nga sporti vendor, por edhe nga politika dhe Minsitria e Sportit.