Hipokriti quhet, mjeshtër i maskimit,
Virtyti i rremë, një art i mashtrimit.
Flet për drejtësi, me gojën plot moral,
E n’shpirt mban një botë me skandal.
Kur merr nismën aksioni shoqëror,
I pari ngarend me flamurin në dorë.
Në rrjetet sociale shpërthen ideali:
- Heroi ynë po na shpëton nga halli!
Përpara kamerave shkëlqen lavdërimi:
- Falë atyre si unë, me burim frymëzimi!
Kur media ikin, thotë kur mbetet vet:
- Pa mua kjo botë, vërtet, s’ka lezet!
Një festival maskash një ditë në Hajat,
Qytetarët ftojnë Hipokritin fjalëzjarrtë:
- Vish maskën e bukur që e ke krijuar,
Se ti je mjeshtër për botën e ilustruar!
Ai, paraqitet pa maskë, krenar si kurorë:
- S’dua maskarada, jam i pastër si borë!
Qytetarët qeshin, ia kthejnë me ironi:
S’mjaftojnë dy fytyra, për ty o zotëri!”
E vërejti Hipokriti, ku qëndron problemi,
Kot shtiret në popull, me maska karremi.
Në qytetin tonë shpesh thuhen këto fjalë:
- Kush jeton dyfytyrësh, ngelet në përrallë!