Më mashtrove miku im...
Në ndarje më fole në përsëritje
Se do pimë kafe në Bajram Curri
Do bëhemi së bashku si dikur
E do flasim me zemër e shpirt të dlirë
Do përqafohemi fort te pishat
Të flasim pafund për letërsinë...
Ti ike....
Ike tinëz pa lamtumirë
Pa përqafim e shtrëngim eshtrash
Më le të vyshkur, si të shkretë
Në lëndinat e mallit duke bredhur
Në ballafaqim me erërat e mallit si zjarr
Duke të shikuar qyteteve tona kudo
E lotët ndalen në hijen tënde
Në atë fushë balli plot krenari
Aty ku shëtisin kohët si në log betejash...
Pushojnë kujtimeve mes vargjeve tuaja
Zjarrmia rritet shtatit të degdisur
Malli ngjeshet qepallave si dru i djegur
Si kore buke e çerepit nën saç...
Djersë të valëta pikojnë poreve të shtjerrëta
Sytë nguliten te Blini i Poetit te ”Dukagjini”
Oh! Sa kujtime u derdhen nën aromën e tij
Sa piskamë lëshon dhimbja e heshtur
Fshehur në shpirtin tim të ganduar
Frymëmarrja zvogëlon diafragmën
Zemra zvogëlon ritmin përplasjeve
Gjoksi më dridhet si shelgu
E si t’ia bëj o miku im pa ty...
A t’i flas Lulit, Rremës e miqve tjerë
Se ike pa përqafimin tonë?...
Fol, fol!.. Si t’ia bëjë
Apo ty të morën me nguti në qiell
E nga andej na mëshiron zemrat
Atje bën dritë të përhershme
Si meteorë shkëlqen gjithësinë
I pavdekshëm mbetesh përgjithmonë
Miku im i shtrenjtë...