Popull shqiponjash

Kultura

Popull shqiponjash

Nga: Emine S. Hoti Më: 9 dhjetor 2024 Në ora: 09:35
Emine S. Hoti

Jemi popull shqiponjash,

një “fis” kemi qenë qyshkur,

shqiponjat fluturojnë në male,

me zemrat tona në flamur.

Malet janë jeta dhe foleja e tyre,

atje lindin e vigjilojnë si trimëresha,

i përshkojnë pareshtur majat e maleve,

nga Tomori, Korabi, Sharri dhe Jezerca...

I duan aq shumë malet dhe majat e tyre,

bjeshkët vigane, të gjelbra, madhështore,

se atje kanë lindjen, historinë, legjendat,

kanë prej shekujsh foletë e tyre arbërore.

Si Evropa edhe ne

Bëra një kafe, piva një gotë me ujë të freskët,

në oborr shoh kopshtin me lule e pemë frutore,

shumica bëhen prush atje në Dardaninë time,

madje më shumë, tokat i kemi më pjellore.

Kujtoj me sa gëzim punonte babai në Drenicë,

“tani punoj për vete, - thoshte, - jo për Serbi”,

ashtu duhet të punojnë të gjithë në Dardani,

fjalët e babai nuk i harroj, i kam trashëgimi.

Atdheu im s`të kam hequr kurrë nga mendja,

në gjithë këto vite të jetës sime në Norvegji,

kam ëndërr si të gjithë shqiptarët e mërguar,

të zhvillohesh si Evropa, e dashur Dardani!

Puna kudo është nder, zhvillim dhe shpëtim,

ndaj të punojmë pa u lodhur si bota dhe ne,

të bëhemi të përparuar, o populli im i dashur,

të zhvillohemi siç meriton, i shtrenjti atdhe!

Adem Jashari

Me trimërinë e tij, tërë bota bëri çudi,

luftonte një familje për komb dhe liri.

Ademi, gjithë fisi, u bënë flamurtarë,

me ta UÇK -ja ndezi Dardaninë zjarr.

Gjaku i pastër në Dardaninë fisnike,

themel i pavarësisë i tokës heroike.

Ademi dhe familja lart në piedestal,

kryetrima në jetë e në mijëvjeçarë!

Brezat do thërrasim, prina flamurtar,

eja Adem Jashari, eja o legjendar!

Atje ndihem shqiptare

Në vendin tim flas shqip dhe mendoj shqip,

jetën, ëndrrat, aventurat, i kam shqiptare,

ndihem krenare me një punë e me një lojë,

se ka aromën e mirë e të dashur atdhetare.

Gjithçka në vendin tim më zgjon kënaqësi,

edhe fshati, rruga, shkolla, lumi aty pranë,

gjithçka është atje, e ndiej se është e imja,

vatra e zjarrit, rrëfenjat që flasin për vatan.

Atje kam kujtimet e mia, të bukura rinore,

atje kudo shoh gjurmët e të parëve të mi,

atje tokës, pemëve, luleve u ndiej aromën,

atje freskohem e direkt nga burimi ujë pi.

Atje krenohemi me legjendat dhe historinë,

me heroin Gjergj Kastriotin - Skënderbeun,

atje më emocionon flamuri, shqipja krenare,

atje ndiej pranë vendlindjen, mëmëdheun.

Lulja arbërore

Jeta kudo është kalimtare

lindje, rritje edhe zhvillim,

lulet thahen dhe farat bien,

në tokë pjellore lulja rilind.

Mbirja e lules jetën gjallëron,

mjedisin përreth ajo freskon,

është lulja e nënës Shqipëri,

lulja që atdheun hijeshon.

Kopshti plot lule, plot ngjyra,

të bardha, të kuqe natyrore,

atje lule “shqiponja” dallon,

është lulja arbërore.

Norvegji, më 8 dhjetor 2024

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat