Relaksim përmes realizimit të imazheve artistike

Kultura

Relaksim përmes realizimit të imazheve artistike

Nga: Prof. Dr. Hivzi Muharremi Më: 9 dhjetor 2024 Në ora: 21:22
Prof. Dr. Hivzi Muharremi

Me rastin e ekspozitës të nxënësve me nevoja të veçanta, hapur në ambientet e Qendrës Burimore për mësim dhe Këshillim “Xheladin Doda” – Pejë.

Ky institucion funksionon si qendër burimore dhe ofron shërbime për shkollat e rregullta, të cilat kanë nxënës të integruar ose klasë të bashkangjitura, duke ofruar atyre mbështetje profesionale me arsimtar udhëtues. Pra, edhe ideja e Projektit ishte që me nxënësit e këtij Institucioni të organizohet ekspozita me punime të punuara në ambientet e kësaj Qendre në programin e së cilës janë përfshirë përsonat me nevoja të veçanta duke aplikuar metodat bashkëkohore me tretmane psiko-terapike të aplikuara në teknikat  e artit figurativ. Objektivat kryesore janë: socializimi, terapia, relaksimi përmes realizimit të imazheve të ndryshme artistike ku përmes artit arrijnë afrim me grup moshën e tyre shkollore dhe arrijnë një qetësim shpirtëror si në mesin familjar po ashtu edhe në atë shoqëror ku do jenë në kontakt me shtresat tjera shoqërore.                     

Ekspozita e hapur në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” ofron një platformë të veçantë për të shfaqur talentin dhe kreativitetin e nxënësve me nevoja të veçanta-si shkollë speciale për të verbër dhe me dëmtime në të parë. Punimet e paraqitura reflektojnë emocion, identitet dhe shprehje artistike unike. Një nga veprat dalluese paraqet shqiponjën dy krenare, autorit Azem  Krasniqi, simbolin kombëtar shqiptar, të vendosur brenda një zemre të madhe të kuqe. Ky kombinim ngjyrash dhe formash simbolizon dashurinë dhe krenarinë për trashëgiminë kulturore. Ngjyrat janë të pastra dhe të fuqishme, duke dhënë një mesazh të qartë dhe të ndjerë. Një tjetër punim vjen në formën e flamurit të Kosovës, autorit Eron Hyseni i përshkruar me ngjyra të gjalla dhe me një stil të thjeshtë e autentik. Yjet dhe harta e artë mbi sfondin blu reflektojnë unitetin dhe shpresën, ndërsa përdorimi i kujdesshëm i ngjyrave i jep veprës një ndjesi të freskët dhe optimiste. Në mesin e krijimeve, shfaqet edhe një vepër abstrakte ku spikasin nuancat e kuqe dhe të zezë, Manjolla Krasniqi. Ky punim pasqyron një ndërthurje të fuqishme të emocioneve dhe spontanitetit, duke krijuar një ndjesi energjie dhe dinamizmi. Stili i lirë dhe teknikës së përdorur e bën këtë vepër veçanërisht tërheqëse. Një tjetër krijim me shqiponjën shqiptare i realizuar mbi një kanavacë autorit Benjamin Delijaj shquhet si realizimi që shfrytëzon teknika moderne të spërkatjes dhe përzierjes së ngjyrave. Ky interpretim bashkëkohor i një simboli tradicional përçon një mesazh të fortë për përzierjen e së kaluarës me të tashmen përmes artit. Kjo ekspozitë është një shembull i jashtëzakonshëm i potencialit krijues të këtyre nxënësve dhe një dëshmi e fuqisë së artit për të thyer kufijtë dhe për të shprehur emocionet dhe identitetin personal.

Qëllimi i kësaj ekspozite është të theksojë fuqinë e artit si një mjet shprehës dhe transformues për fëmijët me nevoja të veçanta. Puna e tyre artistike paraqet një mundësi për të shprehur emocione, për të ndarë përvoja dhe për të krijuar lidhje me komunitetin dhe botën rreth tyre. Përmes kësaj ekspozite, këta nxënës kanë mundësinë të përfshihen në një proces krijues që ndihmon në zhvillimin e aftësive të tyre sociale dhe emocionale, duke forcuar besimin e tyre në vetvete dhe kapacitetet e tyre për të kontribuar në shoqëri.

 Mesazhi kryesor i ekspozitës është se artet mund të krijojnë mundësi për individët, veçanërisht ata që janë shpesh të margjinalizuar ose të paqartë për shoqërinë, të shprehin veten dhe të krijojnë një hapësirë ku ndjenja e vlerës dhe pranimit është e fortë.

Për organizimin e kësaj ekspozite i falemnderohem Drejtorit Xhevat Kastratit, të Qendrës Burimore për mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” – Pejë. Profesoreshës Violeta Kurhasani e cila deri në finalizim të ekspozitës ka qenë aktive dhe ka kontribuar për realizimin e kësaj ekspozite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat