Timo Flloko në Athinë

Kultura

Timo Flloko në Athinë

Nga: Armela Hysi Më: 11 dhjetor 2024 Në ora: 12:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Disa aktivitete radhas me kurorëzimin e një mbrëmjeje poetike në një nga epiqendrat e kulturës greke, siç janë ambientet me peshë të Fondacionit M. Kakkogiani dhe veprimtarisë së përzgjedhur aktive që përfaqëson, kushtuar një nga Artistëve më të dashur e të njohur të aktrimit shqiptar, Timo Flloko, nën shoqërinë e tingujve elegantë e profesionistë muzikor dhe poezisë së tij botuar në tre tituj poetik, patën fatin të ndiqnin shumë nga shqiptarët e Athinës këtë fillim dhjetori.

E ideuar ekskluzivisht nga Kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Greqi, Liter-Art, Brikena Qama me një bashkëpunim model, siç ndodh shpesh të arrihet nëpërmjet Ambasadës Shqiptare të Akredituar në Athinë, dhe vetë prezencës nderuese të Ambasadores së Jashtëzakonshme e Fuqiplotë, zonja Luela Hajdaraga, vizita e aktorit shqiptar me famë botërore qe një hallkë e rëndësishme dhe e gëzuar për të vlerësuar e nderuar bashkatdhetarët tanë që jetojnë dekada të tëra tashmë në qytetin Helen, artistin Timo Flloko.

Qe gjithashtu një tribut por edhe njohje e brezave më të rinj me kontributin e tij të shquar në kinematografinë shqiptare si një sinonim i padiskutueshëm i suksesit dhe ëndrrës së këtij arti në vendin tonë, të mishërimit të sa e sa karaktereve simbol, në historinë e artit dhe brumosjes artistike e kolektive, në të njëjtën substancë thelbësore të botëkuptimit intim sipëror. Përherë duke cilësuar veçantinë e gjenialitetit sublim të artistit Timo Flloko, magjisë që shpalos në secilin karakter, për emocionet që fal, intelektin dhe botën e tij shpirtërore, për të shijuar të gjithë xixëllimet bujare që survejon e synon, si artist prestigjioz edhe nëpërmjet gjetjes së fjalës, dhe krijimit të një fortese, aspak modeste, por me madhështinë dhe klasicizmin që i shkon për shtat edhe në poezinë e tij, një emri të tillë.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Duhet thënë se qe një spektakël i rrallë, përkushtuar Artistit Flloko, trajtuar si një buqetë emblematike e përvojave të shumta të aktorit, mes miqsh dhe artistësh, poetësh e shkrimtarësh dhe bashkatdhetarëve artdashës, apo miqve të zemrës, si dhe mjaft shokëve të tij të fëmijërisë e bashkëqytetar të dashur, që përveç se mbushën sallën, dhe madje ambiente të shumta të hollit të madh të ndërtesës ku ndoqën aktivitetin me anë të monitorëve transmetues, pasi pjesëmarrja qe tepër e lartë, përkujtuan vazhdimisht ngjarje e vende, ditë e periudha ndjesore për të gjithë Shqipërinë duke e bërë tepër të ngrohtë e transparent komunikimin me këtë idhull të artit shqiptar.

Ambasadorja tepër e suksesshme dhe e shumëdashur në qarqet e diplomacisë së dy vendeve, gjithashtu dhe të komunitetit të madh të emigrantëve shqiptar të Greqisë, znj. Luela Hajdaraga, me të cilën dy ditë më parë u zhvillua edhe një takim i ngrohtë në Ambasadë për të ftuarin e nderit, në fjalën e saj përshëndetëse përmendi dashurinë dhe nderimin që ka populli ynë për aktorët e mëdhenj si Timo Flloko. Iu referua paraqitjes së tij gjeniale në skenën dhe kinematografinë shqiptare, si dhe vuri theksin për trajtën e tij të kompletuar si artist e poet dhe gëzimin e tërë bashkatdhetarëve për këtë takim miqsh.

Teksa poetja dhe shkrimtarja Armela Hysi, mëtoi në një analizë optimale mbi tre librat poetik të autorit, botuar në dy dekadat e fundit, me timbër klasik dhe veçori moderne e mjaft të pasura tematike e figurative të artistit Timo Flloko, të hedh dritë mbi përgjithësitë artistike e stilistike të kësaj poezie të pëlqyer nga publiku.

Vlerësim e impenjim për spektaklin e organizuar me këtë rast pati veçanërisht prej kolegëve të nderuar, disa prej zërave më të spikatura të skenës, aktrimit dhe muzikës shqiptare të kultivuar, e evoluar në Athinë si një bashkë-ndijim sublim tërë sharmë e talent dhe peshën e karierës së tyre profesionale në të dy shtetet, teksa së bashku me kujtimet dhe dashurinë, dhanë për auditorin interpretime emocionuese të mjaft poezive të Timo Fllokos, nën vështrimin regjisorial të regjisores shqiptare të vlerësuar me çmime në Greqi, njëkohësisht dhe letrares Alma Ibi Zekollari.

Kështu së bashku me Kryetaren e Lidhjes, që udhëhoqi në mënyrë brilante tërë aktivitetin, zonjën Qama, dhe bisedës së tyre intime e të ngrohtë, Timo Flloko ndau skenën prestigjioze me aktorët e mirënjohur, siç është zonja e skenës Gjenovefa Redhi, e cila i dha zë idilik poezisë së Fllokos “Hëna e një yll”, dhe iu referua edukimit profesional që vënë re kolegët e saj grek në skenat më në zë të teatrit profesional helen dhe se sa nderon edhe sot profesorët e saj, e në veçanti vetë Timo Fllokon për mësimdhënien dhe plotësimin e saj profesional, pikë që u ndal me mallëngjim edhe aktorja e re, e tepër e talentuar Marsela Lena, teksa artisti Timo Flloko qe dhe profesori i saj për mbrojtjen e diplomës.

Aktori i shquar Nikolla Lambro me një karrierë të ndezur në të dy vendet fqinj, veç interpretimit emocionues të poezisë së Fllokos “Sokaku i të marrëve” nuk mund të mos sillte edhe kujtime të shumta për katër bashkëpunimet e ngushta me të – veçanërisht për një nga rolet më të dashura për shqiptarët, atë të Kapedan Çerçiz Topullit.

Edhe aktori tepër i dashur me të gjitha rolet e tij të arrirë edhe në skenën shqiptare të Athinës, edhe në tërë karrierën e tij artistike teatrale e kinematografike, Karafil Shena veç kujtimeve e interpretimit ndjenjë-përcjellës, e solli rasti të sensibilizonte në disa pika bazë, për artin shqiptar dhe mëkëmbjen e tij produktive jashtë e brenda atdheut. Për t’u veçuar qenë momentet e mrekullueshme të interpretimit plot emocion edhe të aktoreve Irma Loka, gjithashtu nxënëse – më me fat se të tjerët, pasi e kisha “kujdestar” për katër vjet,- siç u shpreh ajo me modesti dhe përmallje, dhe të aktores së re e të suksesshme si dhe poetes, Katerina Haska që interpretoi në mënyrë të veçantë poezinë “Mjellma” të Timo Fllokos, në gjuhën greke, përkthyer nga letraret Jasmina Kotrri e Armela Hysi, nën përkujdesjen artistike të B. Qamës e K. Haskës. E gjithë mbrëmja çdo çast i së cilës kaloi plot ngazëllim u zbukurua nga trioja muzikore me muzikantët virtuozë dhe të sprovuar në skenë Nasho Qirizidhi, në oboe, Sokrat Kana, në violonçel dhe Kristo Basko në piano, që veç larmisë dhe emocioneve me muzikën e mirënjohur të Enio Morikones e Evanthia Rebucikës shoqëruan plot ngjyra, në interpretimet e tyre të gjithë aktorët.

Përkujdesja grafike profesionale prej piktorit Librand Dhrami dhe grafistit Ersi Rama, krahas lançimit të një video-filmi me rolet më të spikatura të mbetura në kujtesën e spektatorëve që solli përlotje në sallë, falë regjisë së Zekollarit, krijuan nota edhe më të veçanta në spektakël si mbi të gjitha interpretimet e rralla të vetë Timo Fllokos, që s’u prishi “qejfin” spektatorëve, madje as kur ata të malluar i kërkuan të dëgjojnë interpretime emblemë të aktrimit të tij, duke dëftuar edhe një herë madhështinë e tij skenike dhe se paraqitja ideale përpara publikut është gatishmëria e pa-kufij profesionale dhe respekti për publikun.

Duhet thënë së fundi se Liter-Art, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Greqi dhe Komuniteti Shqiptar ku ajo përket, është rinovuar dhe e rilindur në vitin e fundit, duke u rikonstruktuar me anëtarë të të gjitha moshave e arteve. Nën qëllimet fisnike që përmbajnë në vetvete këto organizma të ruajtjes, kultivimit dhe shtrirjes së të gjitha vlerave sociale, kulturore, patriotike, tradicionale e familjare, të trashëguara e mbartur tek secili ne, edhe pas emigrimit të gjatë dhe për shumë vendimtar, jashtë atdheut lindës - si identiteti më i kompletuar dhe i shëndetshëm i çdo njeriu në këtë vazhdë jete, këto lidhje janë lartuar e funksionuar kryekëput nën punën vullnetare e vetëmohuese veçanërisht të kryesive përkatëse, e tërë anëtarëve të saj, (përpos andrallave të jetës së secilit). Së bashku me bashkëpunimet e vazhdueshme dhe mbështetjen optimale e prore të Ambasadës së Athinës dhe vetë Ambasadores Hajdaraga, e stafit të saj, veçanërisht koordinatores për diasporën Joneda Dodaj, përbëjnë një poliedri sublime për zhvillimin e jetës kulturore shqiptare në Greqi e në marrëdhëniet vendimtare mes diasporës e tokës mëmë si dhe të dy popujve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat