Sot, me 10.12,.2024 në sallën “Teki Dervishi” në bibliotekën e qytetit në Gjakovë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, drejtuar nga Prof. dr. Ruzhdi Sefa e në bashkëpunim me Rrjetin Intelektual Shqiptarë, organizoi Akademi përkushtuese me rastin e 45 vjetorit të ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza.
Një pjesë të biografisë, veprës së Nënë Terezës, të pranishmit e përcjellën përmes monitorit në sallë. Moderimin e kësaj Akademie e udhëhoqi me zgjuarsi z. Albiona Bytyqi nga Gjakova.
Në këtë akademi i pari që mori fjalën ishte z. Zef Prenka, i cili në fjalim e tij të thukët, pos tjerash ceki se “ jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dhe nderuar një prej figurave më të ndritura të historisë së kombit shqiptar dhe të botës- Shën Nënë Terezën, ose Nëna e botës së mjerimit, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, pikërisht me 10.Dhjetor, të vitit 1979” Mëtej z. Zef Prenka në fjalimin e tij shtoi se Nëna Terezë është një mundësi për të reflektuar mbi vlerat e paqes, dashurisë dhe solidaritetit, të cilat janë thelbësore për formimin e bashkëjetesës dhe identitetit kombëtar”.
Pas zotëri Zef Prenka, fjalën e mori zonja Edita Tahiri, e cila në kumtesën e saj shpalosi vlerat fondamentale në këndvështrimin kombëtarë-humanitarë-diplomatik të Nënë Terezës.
Ajo në kumtesën e saj, u ndal në disa momente kyçe të takimeve me të madhen Nëna Terezë, në Romë e Prishtinë, duke veçuar madhështinë e saj dhe mos harresën për popullin e saj, atë kujtesë që bartë thellë historinë e stërvuajtjeve të gjata të popullit nga i cili doli Nënë Tereza.
Shenjtëresha jonë, Nëna Terezë, kombit shqiptar ia la lavdinë e përjetshme në tërë rruzullin tokësorë.
Ndër të tjera z. Edita Tahiri, me nostalgji ceki momentin kur Nëna Terezë, në njërin nga takimet, ia kishte dhuruar një zingjir ari, në shenjë kujtimi e respekti, të cilin ua tregoi të pranishmëve në sallë. Ishte një nga momentet nostalgjike dhe i ndjeshëm për auditorin e pranishëm.
Folësi më i dashur dhe shumë i pëlqyer ishte studiuesi biografik e bibliografik i fikurës së Shenjtëreshës Nëna Terezë, z. Dom Lush Gjergji, autor i mbi njëzet veprave shkruar vetëm për këtë figurë markante të kombit tonë. Ai foli gjatë për Nënë Terezën, duke shkoqitur pjesë të ndryshme të biografisë se saj, me fjalë të zgjedhura, emocionale, fjalë shpirti e zemre.
Fjala e dom Lush Gjergjit u prit nga audienca me kureshtje të veçantë nga se masa e njeh prej moti, jo vetëm si një studiues të Nënë Terezës, por si një veprimtarë i devotshëm, i pandalshëm që nga vitet 90 ta, i cili së bashku me plejadën e asaj kohe, kurrë nuk pushoi për të mirën e vendit, kombit. Mes tjerash, z. Dom Lush Gjergji, në fjalimin e tij karakteristik, ceki se njeriu punën e mëdha e fillon nga të voglat, kur ato nisen nga shpirti dhe pastërtia shpirtërore. Veprën jetësore të Nënës Terezë duhet ta kemi si pikësynim të jetës për të afruar vlera njerëzore në vepër, për njerëzimin kudo në botë. Këtë na mëson humanizmi i papërshkruar i Shenjtores sonë, Nënë Tereza.
Në mbarim të fjalës së z. Dom Lush Gjergji, auditori e priti me duartrokitje të gjatë, në shenjë falënderimi për fjalët plot mirësi, edukatë, si udhërrëfim i karakterit dhe humanizmit gjithë shqiptarë.
Në fjalën mbyllëse të kësaj Akademie përkushtuese në 45 vjetorin e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe Nën Terezës, prof.. dr. Ruzhdi Sefa, drejtuesi i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit në sallën përplot, folësit në Akademinë solemne ,z .Zef Prenka, Edita Tahiri dhe z. Dom Lush Gjergji .